Pejzazhi i mbrojtur – i pa mbrojtur

Degradimi i natyrës

Gjatë dekadave të fundit vlerat natyrore të parkut të Gërmisë kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, sidomos në aspektin e biodiversitetit – thonë ekspertët, ndërsa degradimi po vazhdon. – Ç’thonë zyrtarët komunalë?

Masivi malor i Gërmisë në verilindje të kryeqytetit të Kosovës numërohet një ndër vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës. Në vitin 1987 një pjesë e tij prej 1.126.01 hektarësh (18% të sipërfaqes) vëhet nën mbrojtje si Park regjional i natyrës dhe si i tillë është evidentuar edhe në listën e IUCN-së. Së fundit, në vitin 2016, është shpallur Peizazh i mbrojtur. Sipas propozimit, meqenëse ky masiv malor ngërthen në vete vlera natyrore, peizazhore e të biodiversitetit gati të ngjashme me pjesën tjetër të mbrojtur të Parkut të Gërmisë, si e tillë duhet të merret nën mbrojtje një sipërfaqe edhe më e madhe, e cila perfshinë territoret përreth kufijve ekzistues, deri tek Liqeni i Badovcit.

Por, edhe përkundër këtyre, në Gërmi, pos që shumë pjesë të saj janë shndërruar në deponi hedhurinash, për çka edhe kemi shkruar, në të gjitha anët kah ka qasje rrugësh, drunjtë priten, të veçuar, po në disa vende edhe në masë.

Shtegu kryesor i Gërmisë, i shënuar para do vitesh, këto ditë duket i pastër e i mbrojtur, dhe përgjatë tij janë vënë tabela me të dhëna për bimët e kafshët e saj. Te kroi i fundit përgjatë stazës, po u shmange nëpër një shteg anësor djathtas, i cili lidhet me një rrugë të kalueshme, e cila del në livadhet mbi Sofali, të pret befasia. Përgjatë tërë atij shtegu e asaj rruge, qindra trungje ahesh e qarri, ndër ta edhe të tillë me diametër një metër, janë prerë vazhdimisht. Nga cungjet e mbetur, nga ata të kalbur e mbi të cilët kanë mbirë kërpudha, të tjerët vetëm të nxirë po ende të fortë e të tjerë që ende nuk e kanë hunbur krejtësisht ngjyrën natyrale, e kupton se andej pylli është prerë vazhdimisht për shumë vite. Në të dalë të malit, ndërkaq, ka prerje masovike edhe sot e kësaj dite, gjë që e dëshmojnë fotografitë tona të bëra të shtunën e kaluar.

Fatime Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë së parqeve në komunën e Prishtinës, nëpërmjet emailit ka thënë se, me kërkesë të komunës, ndërmarrja publike lokale “Hortikultura” Sh. A. vitin e kaluar ka shtuar numrin e rojtarëve të peizazhit të mbrojtur të Gërmisë, pothuajse duke e dyfishuar atë.

“Ky fakt ka ndikuar që të ketë rënie të theksuar të numrit të prerjeve ilegale brenda Gërmisë, megjithatë fatkeqësisht ende ka raste, ndonëse të rralla, sidomos në prona private. Të gjitha këtyre rasteve iu shqiptohet fletëparaqitja nga pylltarët”, thotë Fatime Hajdari në emailin e saj.

Ajo premton se rastin për zonën e denocuar do e përcjellë personalisht, për t’u siguruar që të shtohet vigjilenca në atë pjesë.

Parku i Gërmisë nuk është vend vetëm për pushim e rekreacion, por është edhe një rezervat i biodiversitetit të pasur. Sipas të dhënave të Insitutit të Kosovës për mbrojtjen e natytës (IKMN), në katër bashkësitë pyjore të Gërmisë (e shpardhit dhe e qarrit, e bungut dhe e shkozës, e bungut dhe ajo e ahut) janë evidentuar 610 lloje të florës vaskulare nga 82 familje, duke mos llogaritur barojat, si dhe 83 lloje kërpudhash. Prej tyre 5 lloje janë endemikë, d.m.th. që ekzistojnë vetëm këtu.

Po sipas IKMN-në, kompleksi i biotopeve natyrore të Gërmisë siguron kushte për jetesën e një sërë llojesh shtazore: 5 lloje ujëtokësorësh, 7 lloje rrëshqitësish, 30 lloje të shendëve dhe 19 lloje të gjitarëve. Po ashtu, jetojnë një numër i madh i insekteve që përbëjnë grupin më të madh të gjallesave në këtë masiv.

Në një punim shkencor të titulluar “Gërmia – nga parku regjional në peizazh i mbrojtur” të një grupi profesorësh universitarë, thuhet se gjatë dekadave të fundit vlerat natyrore të parkut kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, sidomos në aspektin e biodiversitetit. Siç po shihet, ato vazhdojnë të jenë edhe më tej dramatike./DG/bbreenkosova

Burimi: IKMN
Foto: BB Green Kosova

Shtrirja

Gërmia shtrihet në verilindje të kryeqendrës së Kosovës (Prishtinë) dhe përfshinë një sipërfaqe prej 62 km katrorë. Kufijtë e Gërmisë fillojnë prej kodrës së vreshtave në perëndim, pastaj në lindje të Prishtinës përmes kodrës së Mirditës deri te xeherorja e Hajvalisë e deri të rrjedha e lumit të Graçanicës, kufiri jugor shkon përmes rrjedhës së këtij lumi deri te derdhja e lumit të Busisë në të. Në lindje kufiri shtrihet përmes lumit të Busisë deri te fshati Mramor e Butovc e pastaj deri te lumi i Prishtinës, i cili është kufiri verior i këtij masivi malor. Pika më e lartë e Gërmisë është maja e Butovcit, me lartësi mbidetare prej 1050m. (IKMN)

Peizazhi i mbrojtur

Sipas ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, Peizazhi i Mbrojtur është zonë natyrore ose artificiale me vlerë të madhe peizazhore dhe larmi biologjike ose me vlerë kulturo-historike, ose peizazh me veçori të ruajtura unikale karakteristike për zonën e caktuar, i dedikuar për pushim dhe rekreacion. Në peizazhin e mbrojtur nuk lejohen ndërhyrjet dhe punët të cilat prishin karakteristikat, për shkak të të cilave është shpallë i mbrojtur. (IKMN)

Leave a Reply