Galiveri shton imunitetin dhe pastron sistemin limfatik

Bimët

Përdoret edhe për prodhimin shtëpiak të djathit, sepse e koagulon kazeinën në qumësht. Aroma e mjaltit mbetet e pasi që bima të thahet, prandaj në të kaluarën është përdorur për bërjen e jastekëve për gjumë më të mirë

Në Enciklopedinë shqiptare e kanë quajtur ngjitësja e vërtetë, po njihet edhe me emrin galiveri, ndërsa emrin shkencor e ka Galium verum L. Emri i gjinisë Galium rrjedh nga fjala greke gala (qumësht), sepse ky lloj është përdorur për mpiksjen e qumështit. Emri i llojit verum do të thotë i vërtetë.

Është bimë barishtore shumëvjeçare nga familja Rubiaceae. Kërcellin e ka vertikal apo të pjerrët, të hollë dhe të degëzuar, të zhveshur apo leshatuk, me katër vija konvekse, rritet deri 100 cm. Gjethet janë të gjelbra të errëta, të shkurtër, të hollë, të gjatë 1-2,5 cm, të gjerë 1-2 mm, të plotë dhe me skaj të lakuar me maje të mprehtë, të tubuar 8-12 në vertebër. Lulet janë me aromë, në lulesa të dendura si fshesë. Kurorëza është e verdhë, me diametër rreth 2-3 mm, petalet janë të mbrehta. Lulëzon nga qershori deri në tetor. Kanë aromë të këndshme si mjaltë. Fruti është i lëmuar, i zhveshur, i kuq deri i zi, i gjatë rreth 1,5 mm.

Vendbanimi

Është e përhapur në Evropë, Azi, Afrikë Veriore dhe Amerikë Veriore. Vendbanim ka pyjet më të ndritshme, lëndinat, livadhet e thata, djerrinat, kërkon vende me diell. Shumohet me fara dhe në mënyrë vegjetative.

Përdorimi

Përdoret pjesa e epërme e bimës në fazën e lulëzimit. Mblidhet në mot të thatë e me diell dhe thahet në hije dhe në vend të ajrosur. Ndikon në imunitet, pastron dhe e mirëmban sistemin limfatik, përdoret tek gjëndrrat e enjtura limfatike, bajamet, ulçerat, ka veprim diuretik, nxit pastrimin e sekretit. Për dhembje të fytit zihet çaj dhe bëjmë gargara.

Përdoret në prodhimin shtëpiak të djathit, sepse e koagulon kazeinën në qumësht. Aroma e mjaltit mbetet e pasi që bima të thahet, prandaj në të kaluarën është përdorur për bërjen e jastekëve për gjumë më të mirë./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply