Peshkatarët në Mauritius në përpjekje të shpëtojnë delfinët e plagosur

Më të rejat

Peshkatarët në Mauritius u mblodhën të dielën në përpjekje për të shpëtuar dhjetëra delfinë të plagosur të gjetur pas derdhjes së naftës nga një anije japoneze, e cila para do kohe u përplas në bregun lindor të këtij vendi.

Ditët e fundit, ata gjetën 40 gjitarë të vdekur në një lagunë afër vendit ku derdhej nafta nga anija transportuese pasi goditi një shkëmb koralesh.

Jasfer Hinaje, një nga peshkatarët, tha se kishte numëruar të paktën 45 delfinë të ngordhur afër qytetit të Pont-o-Feyes në bregun lindor të ishullit që kur u panë për herë të parë të mërkurën. Ai shtoi se të paktën gjashtë të tjerë prej tyre në gji po luftojnë për jetë.

Ai tha se ai beson se nafta e derdhur dëmtoi shikimin e kafshëve, prandaj ata goditën shkëmbinjtë nën ujë, duke pësuar dëmtime të rrezikshme për jetën.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët lokalë të Mauritiusit thonë se 42 delfinë vdiqën dhe nuk përjashtojnë mundësinë e një skenari të tillë. Ata gjithashtu thonë se hetimi për këtë rast është ende duke vazhduar.

“Një raport paraprak i autopsisë përjashton mundësinë e ndikimit të naftës në vdekjet e delfinëve. Sidoqoftë, disa kafshë të ngordhura u dërguan në La Reunion për të përcaktuar pse nuk mund të notonin dhe pse radari i tyre natyror dështoi,” thotë Jasvin Sok Apadu nga Ministria e peshkimit e këtij vendi.

Ai shtoi se deri më tani, veterinerët kanë ekzaminuar vetëm dy trupa në të cilët ishin të dukshme lëndimet, por sipas rezultateve paraprake të autopsisë, nuk kishte asnjë gjurmë të hidrokarbureve nga nafta në to. Rezultatet e autopsisë së trupit të delfinëve priten të hënën, tha zyrtari.

Të dielën në mëngjes, Hinaje lundroi me peshkatarët e tjerë në shtatë varka rreth delfinëve në gji.

Duke goditur shufra metalike njëra me tjetrën, ata u përpoqën të bënin një zhurmë mjaft të lartë që do t’i largonte delfinët nga shkëmbinjtë koralorë drejt detit të hapur.

“Nëse qëndrojnë në lagunë, do të vdesin si të tjerët … ne po përpiqemi t’i dëbojmë për ta gjetur rrugën e tyre nga laguna dhe për të mos rënë në kontakt me naftën,” tha ai./bbgreenkosova

Burimi: Hina
Foto: REUTERS/Reuben Pillay

Leave a Reply