Gështenja e egër i zbukuron parqet, na jep mjaltë dhe është shëruese

Bimët

Trungje të larta me kurorë të bujshme, në vjeshtë me gjethe të verdha të arta, bëjnë hije dhe i zbukurojnë parqet edhe në qytetet tona, por frutat e saj janë edhe shërues.

Gështenja e egër (Aesculus hippocastanum L.) është dru gjetherënës nga familja me emër të njëjtë (Hippocastanaceae). Emri latin e gjinisë Aesculus rrjedh nga fjala esca (haje, ushqim) sepse frutat i shërbejnë për ushqim drerit dhe kafshëve tjera. Emri i llojit hippocastanum rrjedh nga fjala greke hippos (kalë). Thuhet se turqit i kanë përdorur farat si ilaç për kuaj.

Mund të rritet deri në 35 metra lartësi, diametri i trungut është deri 2 m. Kurora është e dendur dhe e degëzuar gjerë, e rrënja gjithashtu është e degezuar dhe e zhvilluar mirë, por e vendosur sipërfaqësisht. Lëvirja është e trashë, e përhitur e errët, me trashësi rreth 1 cm, për kohë të gjatë e lëmuar, më vonë me plasaritje të parregullt. Degët janë të trasha, të mbuluara me lanticella, sythat jënë të kundruelltë. Gjethet janë të kundruelltë, të vendosur në bishta rreth 15-20 centimetra të gjatë dhe të përbërë prej gjashtë fletësh të cilat janë të gjata 8-20 cm, të gjerë 4-10 cm, në bazë janë të ngushtë ndërsa në maje të gjerë, fletëza e mesme është më e madhja, dy të fundit janë të vogla. Në vjeshtë marrin ngjyrë të verdhë të artë para se të bien.

Lulet janë të mëdha dhe vertikale, të mbledhura në kalavesha piramidalë të gjatë rreth 20-30 cm, janë më ngjyrë të bardhë me njolla të dukshme të verdha e rozë, të lakuara së prapthi, me shtatë pistila, më të gjatë se petalet, vezorja është e rritur. Lulëzojnë 7-8 ditë në prill e maj pas gjethimit. Frutat janë me diametër rreth 6 cm, kanë mbështjellëse me gjemba ndërsa brendë gjenden 1-3 fara të mëdha, të cilat janë të kafta në të kuqe dhe të shkëlqyeshme. Piqen në shtator e tetor.

Vendbanimi

Në natyrë rritet në rajonin e Evropës juglindore, nga ultësira deri në rajone kodrinore. Shpesh kultivohet si dru dekorativ në parqe dhe në parqe pyjore, mbillet e veçuar, në grupe apo në ale.

Kultivimi

Shumohet me fara, të cilat mbijnë pas 3-4 javësh nëse mbillen në pranverë. Ndonjëherë pranë trungut mund të gjenden filiza, të cilat kanë mbirë nga farat, dhe se vetëm mbillen sipas dëshirës. U përshtatet tona e lagësht, e thellë dhe e pasur me humus, e durojnë hijen, të ftohtit dhe thatësinë.

Ka disa forma dekorative të gështenjës së egër:

‘Albovariegata’ – gjethet kanë njolla të bardha
‘Luteovariegata’ – gjethet kanë njolla të verdha
‘Baumanii’ – lulet janë të plota, të bardha
‘Incisa’ – skajet e gjetheve janë fyfish të dhëmbëzuara
‘Pendula’ – degët janë shumë të lakuara
‘Pyramidalis’ – kurora është piramidale
‘Umbraculifera’ – kurora është kompakte dhe rrumbullake

Bimë mjalti

Është bimë e mirë mjaltsjellëse, bletët mbledhin shumë nektar, më pak polen e propolis. Në sipërfaqe prej 1 ha bletët mund të mbledhin mbi 100 kg mjaltë. Mjalti është i pangjyrë dhe kristalizohet lehtë.

Përdorimi

Për dallim nga gështenja e butë (Castanea sativa) nuk hahen, por mblidhen gjatë vjeshtës, kur bien nga trungjet. Farat e gjetura brenda frutit përmbajnë mjaft saponin escin, i cili ndikon mirë në muret e kapilarëve dhe venave, kështu që përdoret për shërimin e venave dhe kapilarëve të sëmurë, venave të enjtura, këmbëve të lodhura.

Tinktura e gështenjës së egër

Farat e gështenjës grimcohen dhe vëhen deri në gjysmë të një ene prej xhami mbi të cilën qitet raki apo vodkë. Edhe më lehtë është nëse keni një blender të mirë, atëherë tërë kjo bluhet shkurt. Lihet në vend të ngrohtë 3-4 javë, pastaj filtrohet dhe me atë lëng u bëhet masazh vendeve reumatike që dhembin.

Marrja e gështenjës së egër nga goja është helmuese, simptomat janë vjellja, brakqitja, rritja e madhe e bebëzave dhe në raste më të rënda deri te humbja e vetëdijes./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova, Wikipedia

Leave a Reply