FAO nisë fushatën për edukimin pyjor ku në qendër ka rininë, nxënësit, shkollat, gratë dhe komunitetet rurale

Më të rejat, Ndryshimet Klimatike

Ka nisur sot fushata ndërgjegjësuese për edukimin mbi rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, me theks të veçantë në përfshirjen e të rinjve dhe grave në sektorin e pylltarisë.

Kjo fushatë gjithëpërfshirëse për ndërgjegjësimin dhe edukimin mbi rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjen e mjedisit do të vë në qendër të saj rininë, nxënësit, shkollat, gratë dhe komunitetet rurale. Aktivitetet zhvillohen në kuadër një të programit të rëndësishëm të mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), me financim nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.

Një nga komponentët kryesore të kësaj fushate janë kampet pyjore, të cilat organizohen në zona të ndryshme të Kosovës dhe synojnë të rrisin ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e pyjeve dhe përdorimin e tyre të qëndrueshëm. Këto kampe shërbejnë si hapësira edukative për të rinjtë dhe anëtarët e komuniteteve rurale, ku përmes trajnimeve, diskutimeve dhe aktiviteteve praktike, ata mësojnë për kontributin e pyjeve në ruajtjen e ekosistemeve, rolin e tyre në përballjen me ndryshimet klimatike dhe rëndësinë që kanë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e fushatës është fuqizimi i grave në sektorin e pylltarisë. Gratë në Kosovë kanë një rol të pazëvendësueshëm në menaxhimin dhe shfrytëzimin e produkteve pyjore, duke kontribuar në mirëqenien ekonomike të familjeve dhe komuniteteve të tyre. Përmes këtyre aktiviteteve po promovohet pjesëmarrja aktive e grave, sfidimi i stereotipeve gjinore dhe krijimi i mundësive të reja në një sektor që tradicionalisht ka qenë i dominuar nga burrat.

Ndërsa, kampi Pyjor i vitit të kaluar mblodhi dhjetëra të rinj entuziastë dhe të përkushtuar ndaj çështjeve mjedisore. Të rinjtë janë të vendosur të jenë pjesë e ndryshimit, duke marrë përgjegjësi për mbrojtjen e resurseve natyrore dhe duke nxitur praktika të qëndrueshme që i shërbejnë jo vetëm mjedisit, por edhe zhvillimit të zonave rurale. Gjatë kampit, pjesëmarrësit patën rastin të mësojnë për ruajtjen e biodiversitetit, rreziqet nga shpyllëzimi, si dhe përfitimet afatgjata që sjellin pyjet për shoqërinë.

Fushata është e ndarë në katër shtylla të vechanta e cila do paraqesë dhe pasqyroj para publikut video me nxënës në katër regjionet më të mëdha të Kosovës, sich është Prishtina, Peja, Prizreni dhe Gjilani. Në këto video nxënësint ndajnë njohuritë e tyre rreth pyjeve, natyrës dhe mjedisit duke i ndarë këto informata me njëri tjetrin dhe me arsimtarët me qëllim të rritjës së ndërgjegjësimit për ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve. Gjithashtu gjatë fushatës do të publikohen dhe tre dokumnetarë rreth angazhimit të grave në sektorin e pylltarisë, ecoturizmin dhe agroturizin si shtylla kryesore të mjediseve pyjore.

Kjo fushatë është pjesë e programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, i cili po zbatohet nga FAO, me përkrahje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.

Përmes këtij programi, synohet krijimi i një kulture të re të menaxhimit të pyjeve që i vë në qendër njerëzit, natyrën dhe të ardhmen e qëndrueshme të Kosovës./BB Green Kosova

Leave a Reply