Ç’është Libri i kuq i faunës?
Vitin e kaluar, për herë të parë është punuar edhe Libri i kuq i faunës së Republikës së Kosovës (paraprakisht, në vitin 2013 është publikuar Libri i kuq i florës vaskulare të Kosovës), me çka edhe vendi ynë u bashkohet shumë vendeve të botës në mbrojtje të biodiveristetit, i cili është bazë e botës së gjallë në planet. Ç’është e ç’paraqet ky libër?
Biodiversiteti – shumëllojshmëria e botës së gjallë, bimëve dhe kafshëve – është themel i jetës në planet. Megjithatë, njeriu gjatë tërë ekzistencës së tij ka ndikuar në zhdukjen e llojeve të bimëve e të kafshëve të ndryshme, ndërsa sot jemi dëshmitarë të njërës ndër epokat më dramatike të zhdukjes dhe rezikimit të llojeve të organizmave të gjallë, të cilët, në të vërtetë, shërbejnë si shtylla të mbarëvajtjes dhe qëndrueshmërisë së jetës në Tokë. Aktivitetet njerëzore gjatë dekadave të fundit kanë shkaktuar rritjen rapide për qindra herë të nivelit të humbjes së llojeve.
Sipas Indeksit të Planetit të gjallë (Living Planet Index LPI) midis viteve 1970 dhe 2018 kemi pasur një rënie të popullatave të disa prej grupeve kryesore të kurrizorëve deri në 60% (WWF 2018). Krahas kësaj, ekosistemet e ujërave të ëmbla dhe ato përreth, të njohura si qendra të biodiversitetit për shumë grupe të pakurrizorëve dhe kurrizorëve, kanë pësuar degradim drastik gjatë këtyre dekadave, duke çuar mijëra lloje drejt zhdukjes. Gjatë periudhës së njëjtë, 1970 – 2018, popullatat e ujërave të ëmbla kanë rënë me mbi 80% (WWF 2018).
Përpjekje për vetëdijesim
Por, njëkohësisht janë bërë përpjekje të shumta që të ngritet vetëdija për parandalimin e veprimtarive që shkaktojnë përkeqësimin e jetës së organizmave të gjallë. Njëri nga konkluzionet e OKB-së nga Konferenca e Rio-s për Mjedisin dhe Zhvillimin e vitit 1992 ishte se mungesa e informatave cilësore rreth gjendjes së biodiversitetit në nivel lokal, shtetëror, rajonal dhe global, është një ndër pengesat kryesore në mbrojtjen dhe konservimin e natyrës. Në këtë kontekst, “listat e kuqe” dhe librat e kuq të përgatitur në shtete të ndryshme gjatë viteve gjashtëdhjetë të shekullit XX, ishin përpjekje për parandalimin e humbjes së llojeve dhe krijimin e politikave për mbrojtjen efektive të tyre.
Ndërkombëtarizimi i kësaj ideje u kurorëzua në vitin 1980, kur IUCN krijoi Njësitin e Librit të Kuq, i cili e konceptoi këtë dokument si udhëzues për formulimin, mbrojtjen dhe menaxhimin e llojeve të listuara (Collar 1996). Që nga atëherë, një mori librash të kuq të grupeve të ndryshme të organizmave janë krijuar në përmasa
globale, rajonale, nacionale e lokale, duke u bërë edhe obligim ligjor në shumë vende në botë.
Vitin e kaluar, për herë të parë është punuar edhe Libri i kuq i faunës së Republikës së Kosovës (paraprakisht, në vitin 2013 është publikuar Libri i kuq i florës vaskulare të Kosovës). Me këtë, edhe vendi ynë u bashkohet shumë vendeve të botës në mbrojtje të biodiveristetit, si bazë e botës së gjallë në planet.
Sipas të dhënave të Agjencionit për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës (AMM), Kosova karakterizohet si një pjesë e rëndësishme e Gadishullit Ballkanik në aspektin e biodiversitetit, për shkak të një numri të madh të llojeve bimore e shtazore stenoendemike, endemike, të rralla, të rëndësishme, por edhe të kërcënuara dhe të rrezikuara. Megjithëkëtë, vendi akoma ballafaqohet me mungesë të investimeve të rëndësishme në ruajtjen e biodiversitetit, hulumtime gjithëpërfshirëse dhe vendosje të një baze të informatave themelore për biodiversitetin.
Mbrojtja e zonave natyrore në Kosovë është iniciuar gjatë viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, me përcaktimin e disa rezervateve natyrore, si në Kozhnjer, Rusenicë, Gubavc etj., me më shumë zhvillime në këtë drejtim gjatë viteve tetëdhjetë, kur është shpallur parku i parë kombëtar, ai i Bjeshkëve të Sharrit. Kjo zonë e mbrojtur është zgjeruar tutje në vitin 2012. Një park tjetër kombëtar është shpallur në vitin 2014, ai i Bjeshkëve të Nemuna (këto ditë është në diskutim publik plani hapësinor i këtij parku). Aktualisht, rreth 10.9% e territorit të Kosovës e ka statusin e zonës së mbrojtur ligjërisht. Megjithatë, mbrojtja e këtyre zonave dhe pasurisë llojore të
organizmave të gjallë që jetojnë aty, mbetet ende sfiduese.
Krahasuar me vendet përreth, hulumtimet e organizmave të gjallë në Kosovë janë relativisht të vonshme dhe, rrjedhimisht, akoma nuk ka ndonjë inventar sistematik të biodiversitetit në përgjithësi. Sidomos janë të mangëta njohuritë e pasurisë llojore të shtazëve. Shumica e hulumtimeve faunistike në të kaluarën – ndonëse hapat e parë janë hedhur që më 1907 (Apfelbeck), janë sporadike për grupe të caktuara, josistematike dhe të kryera në zona
të ngushta në Kosovë. Libri i kuq i faunës, prandaj, është kthesë e madhe në këtë veprimtari.
Inventarizimi i biodiversitetit
Publikimi i Librit të Kuq të Faunës së Kosovës është realizuar në kuadër të projektit “Inventarizimi i biodiversitetit përmes Librit të Kuq të Faunës” si pjesë e Programit Mjedisor te Kosovës (PMK) financuar nga Qeveria Suedeze – SIDA.
Finalizimi i këtij projekti ka rendësi të madhe për institucionet qeveritare mjedisore, atyre arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile të sektorit të mbrojtjes se biodiversitetit, sepse për herë të parë në Kosovë behet inventarizimi i faunës dhe në bazë të dhënave të Librit të Kuq të Faunës do të hartohen politikat dhe strategjitë për mbrojtjen dhe konservimin e faunës në Kosovë.
Ne Librin e Kuq te Faunës te Republikës se Kosovës janë përfshire gjithsejte 306 lloje, të cilat u takojnë këtyre grupeve te shtazëve: Gastropoda, Bivalvia, Oligochaeta, Hirudinea, Arachnida (Araneae, Mesostigmata), Malacostraca, Diplopoda, Insecta (Ephemeroptera, Plecoptera, Odonata, Coleoptera, Mecoptera,Diptera, Trichoptera, Lepidoptera), Cyclostomata, Actinopterygii, Amphibia, Reptilia, Aves dhe Mammalia. Numri i llojeve te vëzhguara është shumë më i madh, por për shkak te hapësirës së kufizuar, vlerësimi është bërë vetëm për këto lloje.
Gjatë implementimit të projektit për Librin e Kuq në kuadër të Programit Mjedisor të Kosovës në aktivitetet e hulumtimit te kafshëve, është evidentuar edhe prania për here te pare e një lloj te ri në Kosovë. Ky lloj takon grupit Insecta, rendit Trichoptera dhe gjinisë Potamophylax, grupit Juliani, që është grup endemik i Ballkanit me përhapje te ngushtë.
Një numër i madh i llojeve të Ephemeroptera-ve, Coleoptera-ve, Mollusca-ve, Araneae-ve dhe të tjera bëjnë pjese në ketë grup te materialit të paidentifikuar ende, dhe përfundimi i përcaktimit të tyre mund te krijohen rezultate të rëndësishme për faunën e Republikës se Kosovës.
Numri më i madh i llojeve të përfshira në Librin e Kuq të Faunës te Republikës se Kosovës i takon grupeve: Insecta (140 lloje), Mammalia (39), Aves (24), Reptilia (20) dhe Gastropoda (20), kurse grupet e tjera janë te përfaqësuara me numër me të vogël të llojeve.
Shumë lloje pa të dhëna të pamjaftueshme
Numri më i madh i llojeve të përfshira në Librin e Kuq të Faunës së Republikës së Kosovës i takon kategorive: Të dhëna të pamjaftueshme (gjithsej 90) dhe Gati i Kërcënuar (gjithsej 80), kurse numri më i vogël i llojeve i takon kategorive: I Rrezikuar (24) dhe Skajshmërish i Rrezikuar (25).
Këto të dhëna reflektojnë gjendjen faktike në hulumtimet e diversitetit shtazor në Kosove, ku akoma ka mungesa thelbësore për një numër te madh te llojeve sa i përket te dhënave rreth popullatave, numrit te individëve, trendit te tyre dhe faktorëve qe i kërcënojnë.
Ky është një paralajmërim emergjent që të fillohet monitorimi i llojeve te tilla, ne mënyre qe llojet te cilat nuk kane mundur të vlerësohen për kategoritë e kërcënueshëmerisë për shkak te mungesës se te dhënave, të vlerësohen drejt, para se ato të rrezikohen në mënyre të pakthyeshme prej rreziqeve antropogjene dhe rreziqeve te tjera.
Numri më i madh i kërcënimeve për llojet e vlerësuara i takon këtyre grupeve të kërcënimeve: përdorimi i burimeve biologjike, modifikime të sistemeve natyrore, ndryshimi i klimës dhe moti i ashpër, ndërhyrje dhe shqetësime njerëzore, ndotja dhe zhvillimi rezidencial dhe komercial. Prerja dhe vjelja e pyjeve, aktivitetet rekreative të pa menaxhuara mirë, eksploatimi i ujërave sipërfaqësore (veçanërisht për qëllime bujqësore), ujërat e zeza shtëpiake dhe urbane, zhvendosja dhe ndryshimi i habitatit dhe zonat e turizmit dhe rekreacionit janë rreziqet specifike më të shpeshta, qe i kërcënojnë llojet e vlerësuara.
BB Green Kosova tash e tutje do të prezantojë grupe dhe lloje të faunës së Kosovës dhe atyre të rrezikuara nga Libri i kuq i faunës (prej ku u morën të dhënat edhe për këtë artikull), në mënyrë që publiku i gjerë të njihet me këtë pasuri të Kosovës, ta çmojë e ta mbrojë./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës së Republikës së Kosovës
Foto: Libri i kuq i faunës, Wikipedia