Lulebora, lajmëtarja e parë e pranverës

Bimët

Lulëzon edhe nën borë, i zbukuron fushat e malet për disa muaj, por ka edhe veti shëruese

Në emrin shqip e përmban fjalën borë, si edhe në gjuhë tjera dhe në emrin shkencor Galanthus nivalis L. Emri latin i gjinisë Galanthus (greq. gala – qumësht, anthos – lule) dhe i llojit nivalis (borë i bardhë) tregon për bardhësinë e lules apo se fillon të rritet edhe kur ende ka borë.

Lulebora është bimë barishtore shumëvjeçare nga familja Amaryllidaceae. Kërcyelli është vertikal, rritet deri në lartësi prej 20 cm me gjethe të bashkuara rrafshore me gjatësi deri 9 cm, te gjera rreth 0,5 cm. Kërtolla është e madhe deri 1,5 cm. Lulja e bardhë e përkulur rritet në maje të kërcellit njëkohësisht me gjethimin, ka aromë të këndshme ndonëse të dobët. Lulja është e përbërë prej tri petalesh të brendshme, të cilat në maje kanë njollë jeshile dhe tri petale të jashtme, të gjata. Vezorja është e trefishtë, që përmban disa embrione farash në secilën ndarje. Pas rënies së petaleve, piqet qeska e verdhë në të gjelbër, e mishtë, e cila përmban disa fara të tjera. të ndritshme. Lulebora është njëra prej luleve më të hershme të pranverës, e cila lulëzon që në fund të janarit, qoftë edhe nën borë, e deri në prill. Disa lule lulëzojnë rreth 2-3 javë.

Vendbanimi. – Është e përhapur në rajoni e Evropës dhe Azisë perëndimore. Rritet në tokë të lagësht, të plleshme, në trualle të shkriftëa me reagim acidik të butë deri të matur. E gjejmë në pyje gjethrënëse, halorë apo të përzier, në shpate e livadhe deri në 2200 m lartësi mbidetare. Është bimë e mbrojtur, ndonëse numërohen ndër ato me shqetësimin më të vogël.

Përdorimi. – Nga kërtolla e luleborës në vitin 1952 është izoluar galantamini, alkaloid, i cili e ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit dhe ndihmon kundër demences së pleqërisë.

Nga lulebora bëhen pikat lulore të Bachut. U ndihmojnë personave të dëshpëruar, depresivë, pesimistë, personave të pasigurtë e ngurrues dhe atyre që e kanë mall të kaluarën./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply