Çfarë mbrojmë, në të vërtetë, duke mbrojtur ambientin?
Shkruan: Dush Gashi
1.
Mbrojmë planetin. Mbrojmë ambientin. Të dy shprehjet, të cilat i dëgjojmë shpesh nga aktivistë mjedisorë, janë mjaft problematike.
Toka, e ka thënë me kohë Alan Weisman, bën edhe pa ne. Por, ne nuk mundemi pa Tokën. Toka ka përballuar ndryshime të fuqishme klimatike, lëvizje e përplasje të pllakave tektonike, erupcione vullkanike dhe goditje asteroidësh. Dhe ia ka dalë të ripërtëritet dhe ta ruajë jetën në të.
Mjedisi, ndërkaq, sikur tregon për diçka që është jashtë njeriut, rreth tij, prej të cilit ai është i ndarë, me çka ai fare s’ka të bëjë, dhe se ai ekziston vetëm për një qëllim: që njeriu ta shfrytëzojë për nevojat e tij.
Sipas antropologëve, njerëzit e parë, deri sa jetonin nga gjuetia dhe mbledhja e frutave në natyrë, kanë qenë animistë: kanë besuar se lugina në të cilën jetojnë si dhe tërë mjedisi përreth, u takojnë të gjithë banorëve të saj. Ndryshimi ka ndodhur në kohën e revolucionit agrar, kur njeriu e ka zbuluar bujqësinë dhe ka filluar t’i shfrytëzojë kafshët e zbutura, që e kanë bërë të ndjehet më i pavarur nga natyra. Kësaj periudhe i takon edhe Bibla, e cila e përligj këtë qasje. Në librin e Zanafillës thuhet se Zoti, pasi ka krijuar së pari qiellin e tokën me të gjitha bimët e gjallesat e ujit e të tokës, e krijon burrin dhe gruan, i bekon dhe u thotë: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. Deri sa teizmi këtë e ka asyetuar në emër të Zotit, humanizmi, më pas, “duke e lënë njeriun si të vetmin aktor në skenë”, këtë e ka arsyetuar në emër të njeriut. Një qasje e tillë ndaj tokës, sipas të cilës gjithçka që lind e rritet në planet është thjeshtë lëndë e parë të cilën e shfrytëzon njeriu, ka mbetur e pandryshuar pothuajse deri në ditët tona.
Yuval Noah Harari, në në njërin prej librave të tij bestselerë, “Homo Deus, një histori e shkurtër e së ardhmes”, si problemin më të madh të modernitetit e veçon ekonominë e mbështetur në rritje të përhershme, ndërsa resurset janë të kufizuara.
“Armik i vërtetë i ekonomisë moderne është kolapsi ekologjik. Edhe përparimi shkencor edhe rritja ekonomike ndodhin brenda biosferës së brishtë, kështu që sapo ato marrin hov, po ashtu valët goditëse destabilizojnë ekologjinë. Nëse arrijmë deri aty sa përparimi dhe rritja të shkatërrojnë ekosistemin, çmimin nuk do ta paguajnë vetëm lakuirqët, dhelprat e lepujt, por edhe sapiensët. Rrënimi ekologjik do të shkaktojë shkatërrim të ekonomisë, kaos politik dhe rënie të standardit të jetesës, ndërsa mund të kërcënojë edhe ekzistencën e civilizimit njerëzor.”
Sipas Hararit, njerëzimi sot nuk është i gatshëm të ballafaqohet me ngrorjen globale në mënyrën e duhur, e kjo, sipas tij, është vetëm ndalja e rritjes ekonomike. Në vend të kësaj, njerëzit besojnë se, siç ia kanë dalë deri tash – që të gjejë zgjidhje ekonomike dhe shkencore për shkatërrimin ekologjik. Por, çka nëse nuk i gjejnë këto zgjidhje…?!
Për këtë, sipas tij, nuk ka një ligj që garanton sukses të tillë në të ardhmen. “Kush e di se a do të t’ia dalë gjithmonë shkenca që njëkohësisht ta shpëtojë ekonominë nga ngrirja dhe ekologjinë nga vlimi. E, meqë shpejtësia me këmbëngulje po rritet, kufijtë për gabim gjithnjë po ngushtohen”.
Këtë ai e arsyeton me shembullin e ndalimit të gazrave serrë, të cilat po rriten vazhdimisht, ndërsa Protokoli i Kyotos ka pasur për qëllim vetëm të ngadalësojë ngrohjen gobale e jo ta ndalojë dhe këtë nuk do ta bëjë as Marrëveshja e Parisit, me kufizimin e rritjes së temperaturës mesatare në 1,5 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial. Shumë hapa për këtë janë lënë për pas vitit 2030, pra për gjeneratat e ardhshme. Kuptohet, nëse nuk do të jetë vonë. Se Harari kishte të drejtë para dissa vitesh, kur e ka shkruar librin, tregon një studim i këtoditshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, i cili thotë se rritja e temperaturës mesatare globale për 1,5 gradë, mund të arrihet në cilindo nga pesë vitet e ardhshme.
Njëri prej gjenive të kohës sonë, fizikani Stephen Hawking, para se të vdiste, thoshte se ka frikë se tashmë ngrohja globale është bërë një proces i pakthyeshëm. Po ashtu, intelektuali i shquar i kohës sonë, Noam Chomsky, njërën prej mundësive që civilizimi i sotshëm të mos e presë shekullin e ardhshëm mund të jetë, bashkë me mundësinë e një lufte bërthamore – kolapsi ekologjik.
Fjala është, pra, për të shpëtuar nga një katastrofë ekologjike nëse jo llojin njerëzor në tërësi, atëherë civilizimin tonë gjithsesi.
2.
Në Kosovë, por edhe në institucione, ka mjaft entuziastë të natyrës dhe ekspertë të mbrojtjes së mjedisit, të cilët edhe kanë njohuri të mira rreth kësaj problematike. Por, për fat të keq, shpesh ata që marrin vendime qëndrojnë më keq. Madje, ndodh edhe që që një ministër i ambientit, nga ata të mëhershmit, me sinqeritet naiv të deklarojë se, deri sa është ulur në kolltukun e ministrit, ka menduar se mbrojtja e ambientit ka të bëjë vetëm me mbledhjen e hedhurinave. Tash së fundi, një deputet, në njërën nga mbledhjet e fundit të parlamentit të Kosovës, duke folur për djegien e mbeturinave, thoshte se “janë të dëshme për mjedisin, por jo për shëndetin e njeriut”, sigurisht duke mos e kuptuar lidhshmërinë organike të mjedisit dhe të shëndetit e jetës së njeriut e të gjithë botës së gjallë. Nuk është e çuditshme, pra, që shumëkush edhe të mos i kuptojë dimensionet tjera më të thella të kësaj fushe, prandaj mbase nuk do të jetë e tepërt që këtu t’i numërojmë tri aspektet themelore të saj:
a)
Duhet mbrojtur biodiversitetin, apo shumëllojshmërinë e botës së gjallë, bimëve e të kafshëve, pjesë e të cilit jemi edhe ne vetë. Ky është një sistem kompleks, i cili vepron me tërësinë e tij, kështu që çdo lloj gjallese e zhdukur e çrregullon sistemin dhe e kërcënon të shkatërrohet në tërësi. Në Strategjinë e biodiversitetit deri në vitin 2030 të BE-së të publikuar para do kohe (e cila, meqë ra fjala, nuk pati asnjë jehonë në asnjë institucion për mjedisin ndër ne), ndër tjera, theksohet edhe roli ekonomik i biodiversitetit. Për shembull, polenizuesit (bletët, fluturat, mizat polenizuese) janë të domosdoshme për 84% të specieve bujqësore në Bashkimin Evropian, dhe një total prej 76% të prodhimit të ushqimit varet nga polenizimi i insekteve. Në përgjithësi, polenizuesit jo vetëm që krijojnë sigurinë ushqimore, por kryejnë edhe veprimtari ekonomike me vlerë prej 577 miliardë dollarësh. Kjo është arsyeja pse është edhe më alarmante që në 40 vitet e fundit popullsitë e specieve të egra kanë rënë në 60% në nivel global, dhe vlerësohet se 1 milion specie janë në prag të zhdukjes.
b)
Për të mbrojtur biodiversitetin, si edhe fundja shëndetin e jetën tonë, duhet t’i mbrojmë ujërat, tokën e ajrin nga ndotja me materie kimike. Nga veprimtaria industriale e shekullit XXI, dhjetëra mijëra përbërës kimikë të ndryshëm derdhen në lumej, të cilët pastaj e ndotin edhe tokën, ndërsa në ajër lirohen gazra të ndryshme të helmueshme.
Gjëra të mëdha dhe të rrezikshme të mbeturinave, si goma, pajisje elektrike, elektronikë, bateri dhe kontejnerë të mëdhenj industrialë hidhen ndonjëherë në vende të izoluara, siç janë pyjet ose parqet kombëtare dhe tokat e tjera publike. Mbeturinat mund të ekzistojë në mjedis për periudha të gjata kohore para dekompozimit. Ndotja nga plastika, me të cilën janë mbushur amdje edhe oqeanet, rrezikon habitatet e kafshëve.
c)
Problemi më i madh e më shqetësues është grohja globale, ngrohja graduale e sipërfaqes së Tokës dhe shtresave të ulëta të atmosferës e shkaktuar nga efekti serrë. Gazrat e serrës, kryesisht dioksidi i karbonit, por edhe komponimet e azotit e gazra tjera, të cilët lirohen nga djegia e karburanteve fosile si thëngjilli e nafta, bëjnë që rrezet e diellit të qëndrojnë më shumë në tokë dhe në shtresat e ulëta të atmosferës, si në një serrë – kopsht të mbuluar. Sipas mendimit të një numri të madh shkencëtarësh, të përfshirë në Panelin ndërqeveritar për ndryshimet e klimës, të publikuar në vitin 2000 e 2001, i cili tregon ngrohjen e padyshimtë në njëqind vitet e fundit – mendohet se deri në vitin 2100 temperatura e ajrit do të jetë më e lartë madje për 1,5 deri 5,8 °C. Kjo do të shkaktonte pasoja katastrofale për disa pjesë të njerëzimit: për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe shtresës së borës do të ngritej niveli i detit, i cili do të përmbytte shumë vendbanime bregdetare, shtimin e fatkeqësive të motit në shumë pjesë të botës (ciklone, uragane, përmbytje). Meqë kushtet tropike do të ngjiteshin në veri, temperaturat e larta do të shkaktonin përhapje të sëmundjeve infektive si malarja, ethet e verdha, encefaliti, zhvendosja e shumë llojeve bimore e të kafshëve drejt veriut dhe zhdykjes së tërë komuniteteve të tyre. Është mendim unik se një zhvillim i tillë i pritur mund të ngadalësohet e të ndryshojë vetëm me zvogëlimin drastik të emisioneve të gazrave të serrës.
3.
Në vitet e para të pasluftës, një mëngjes me habi shoh se në kontejnerët e mbeturinave të lagjes ishin vënë mbishkrime: letër, dru, xham, plastikë, metal… Kishte filluar seleksionimi i mbeturinave, që do të thoshte se do të bëhej edhe reciklimi i tyre. E pranova me entuziazëm këtë risi, madje edhe e tërë lagja, sepse tashmë kontejnerët ishin më të pastër, vetëm në njërin prej tyre ishte për mbeturina organike dhe ato, ashtu të veçuara, ishin më të pakëta dhe, sigurisht, edhe më të lehta për t’u trajtuar. Mendova se problemi i hedhurinave më në fund po zgjidhej në Kosovë. Por, kjo nuk zgjati shumë. Pas njëfarë kohe, në kontejnerë filluan të përzihen materialet, deri sa shumë shpejt ata ishin si gjithmonë, një larushi shëmtirash kundërmuese gjithfarë lloji. Më kot pritja se do të dilte ndokush aty për ta rikthyer rendin, por jo, kjo nismë ishte e gjykuar të dështonte. E pata të qartë: ndonjë organizatë e shoqërisë civile ka fituar ndonjë donacion për këtë aksion, por sapo paratë kanë filluar të shpenzohen, ka rënë edhe entuziazmi i saj. Në vend që kjo nismë të fitonte përkrahje me të gjerë, nga komuna e mbase edhe nga qeveria, që ky shembull të promovohej në media dhe të shërbente për nxitje që të ndiqej edhe në mjedise të tjera, e tëra përfundoi me shpenzimin koti të sigurisht disa mijëra euro të taksapaguesve të ndonjë vendi të Evropës. Që atëherë mbeturinat në Kosovë mblidhen e deponohen të pa klasifikuara e pa reciklim. Të vetmit njerëz që mbledhin ndonjë gjë për riciklim dhe atë duke i marrë drejtpërdrejt nga kontejnerët, duke e rrezikuar kështu edhe shëndetin e tyre, janë pjesëtarët e komunitetit RAE, duke nxjerrë në pah kështu edhe dimensionin social të diskriminimit të kësaj kategorie.
Por, nuk janë vetëm OJQ-të ato që joshen vetëm nga paratë. Edhe investimet nga qeveria kryesisht joshën nga tenderët, me tërë atë që nënkupton kjo shprehje tash në Kosovë. Ndonëse, kryesisht më shtytjen dhe investimet e BE-së dhe të shteteve të veçanta të saj, janë bërë hulumtime dhe janë hartuar raporte për shumë aspekte të ndotjes së ambientit dhe janë hartuar ligjet e domosdoshme, aktivitetet nga qeveria rrallë janë të tilla që sjellin rezultate konkrete në përmirësimin e mjedisit. Investohet në rregullimin e shtratit të ndonjë lumi, kryesisht për nevoja të ujitjes apo për pamjen estetike të ndonjë qyteti, por jo edhe në atë që lumenjtë do t’i mbronte vërtet nga ndotja: ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura (pos në Gjilan, që pritet të ndërtohet me mjete të Bankës Botërore), apo nga derdhja në ta e hedhurinave nga industria, kështu raportet e AMM-së rregullisht tregojnë për lumnej të ndotur në vend. Mbahen konferenca koti, për shembull se si të evitohen qeset e plastikës, por sot e kësaj dite nuk ndërmerret asgjë, ndërsa ato kanë mundur të hiqen kaherë nga përdorimi, si dhe të ndiqet shembulli i vendeve të BE-së, që të ndalohet përdorimi i plastikës për një përdorim. Madje, edhe ndonjë aksion simbolik për mbledhjen e mbeturinave bëhet vetëm sa për promovime politikanësh, duke lënë dyshime madje edhe në këso rastesh për abuzime financash. Tash e shtatë vite pret për miratim Plani hapësinor i parkut kombëtar “Bjeshkët e nemuna”, ndërsa gjatë tërë kësaj kohe atje bëhen ndërtime e dëmtohet pylli. Në disa mjedise të Kosovës janë shpallur zona të mbrojtura, por edhe sot e kësaj ditë mungon harta zonale e Kosovës dhe e komunave, me të cilat më në fund do të kufizohej zgjerimi i pandalur i zonave urbane në dëm të tokës bujqësore dhe habitateve të botës bimore e shtazore, shumë lloje të të cilave, ndër to edhe ato endemike, kategorizohen si “të rrezikuara” dhe “skajsshmërisht të rrezikuara”. Investimi më serioz në mbrojtjen nga ajri i ndotjes, për ndërrimin e elektro-filtrave të termocentralit Kosova B dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it, për të cilin BE-ja vjet ndau 76,4 milionë (për 54 mipionë të tjera është zotuar KEK-u), u bë pasi që të gjitha institucionet përgjegjëse në Evropë alarmojnë për ajrin e ndotur që u vjen nga termocentralet e Ballkanit, ndër to edhe këto tonat. Por edhe u drejtuan kritika ndaj pushtetit vendor, se nuk po vepron në mbrojtje të mjedisit.
Sigurisht, do të mbetet kështu gjithnjë deri sa Kosova të jetë shtet partiak, e jo shtet ligjor, në krijimin e të cilit kemi dështuar, dhe deri sa partitë politike nuk i bashkojnë idetë, por interesat, ndërsa anëtarësia nuk bën zë.
Foto: BB Green Kosova