Aguliçja, lajmëtare e pranverës dhe bimë shëruese

Bimët

Për fat të keq, për shkak të eksploatimit të shumtë, kjo bimë është gati duke u zhdukur, prandaj nuk duhet lejuar të nxirren pjesët nëntokësore të saj, ato mund të nxirren vetëm në vendbanime të pasura

Aguliçja (Primula officinalis Jacq.) është bimë shumëvjeçare, e cila herët në pranverë formon rozetën e gjetheve përdhese dhe qet një ose shumë bishta të drejtë të luleve, në maje të të cilit ndodhen lulet e verdha të bashkuara në lulesë në formë mburoje. Gjethet janë në formë gjatësore ovale, pak a shumë të rrudhura në formë rrjete, të kthyera prapa, skajeve të valëzuara dhe gradualisht kalojnë në bisht gjethor. Lulet kanë pesë petale të rritura në gyp në formë hinke, i cili në anën e poshtme është i mbështjellë me kupëz me ngjyrë të gjelbër të çelët. Rizoma është e mbuluar me rrënjë të shpeshta rrypake me ngjyrë të bardheme.
Vendbanimet e aguliçes janë vendet e thata, livadhet kodrinore e malore me diell, pyjet e rralla, shpatet, gurishtet, lisnajat etj.

Droga. – Lulet e aguliçes me kupëz (Primulae flos cum calycibus), lulja e aguliçes pa kupëz (Primulae flos sine calycibus); rizoma me rrënjë të aguliçes (Primulae radix).

Mblidhen vetëm lulet e hapura me ose pa kupëznë mot të mirë e me diell dhe thahen në tertore ose në hije në vend të ajrosur.

Prej 6-7 kg lulesh të njoma fitohet rreth 1 kg lulesh të thara.

Droga e mirë duhet të ruajë ngjyrën e verdhë. Si pasojë e tharjes së ngadalshme, ndodhë që droga të marrë ngjyrë të gjelbër dhe duhet të hudhet. Lulja e thatë s’ka erë. Ka shije mukozore dhe ngapak të ëmbël.
Droga paqetohet në kuti të mbyllura mirë dhe ruhet në vend të thatë dhe të errët.


Rizoma nxirret në pranverë para ose gjatë lulëzimit të bimës.
Nxirren vetëm rizomat prej bimëve të vjetra, sepse ato janë të mbuluara nga çdo anë me rrënjë, të cilat janë të gjata deri 15 cm, e të trasha deri 1 m. Pasi pastrohen prej bishtave e të lahen në ujë, thahen në tertore ose në diell.

Prej 4 kg rrënjësh të njoma fitohet rreth 1 kg rrënjësh të thata.

Droga e tharë mirë është joelastike dhe thyhet lehtë. Rizoma ka ngjyrë të errët ndërsa rrënja me të qelët. Droga është gati pa erë. Kur përtypet të gërvishë në fyt.

Përbërja kimike dhe përdorimi.– Përbërësit kryesorë shërues të aguliçes janë saponinet. Që të dyja drogat përdoren në formë çaji ose shurupi kundër kollës dhe të ftohurit.

Për shkak të eksploatimit të shumtë, kjo bimë është gati duke u zhdukur, prandaj nuk duhet lejuar të nxirren pjesët nëntokësore të saj, ato mund të nxirren vetëm në vendbanime të pasura.

Këtë bimë nuk duhet ngatërruar me aguliçen e zakonshme (Primula vulgaris Huds), e cila i ka lulet përdhese me bishta të shkurtër dhe lulet janë me ngjyrë më të çelë, të verdhë sulfurike./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply