Ndryshimi i klimës në Evropë përbën rrezik për prodhimet tradicionale

Më të rejat

Ndryshimet klimatike po u sjellin fermerëve evropianë humbje për shkak të thatësirës. Por temperaturat e larta mundësojnë edhe kultivimin e frutave ekzotike.

Vera më të nxehta, stuhi të mëdha dhe periudha të zgjatura thatësire: fermerët në Evropë ku temperaturat mesatare vjetore pritet të rriten me rreth 1 deri në 5.5 gradë Celsius janë përpara sfidash të reja. 

Sipas një raporti të  Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) nxehtësia, ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet dhe stuhitë e breshërit si dhe mungesa e ujit i kanë ndryshuar tashmë kushtet e rritjes të disa të bimëve në jug të Evropës. Nga ndryshimet klimatike janë të prekura veçanërisht prodhimet mesdhetare si ullinjtë dhe rrushi.

Nga ana tjetër në veri të Evropës fermerët po përfitojnë nga ndryshimi i klimës. Kështu për shkak se periudhat e ngricave janë më të shkurtra fermerët në veri të Gjermanisë, në Britaninë e Madhe apo madje edhe në Suedi apo në vendet baltike kanë nisur të kultivojnë bimë tipike për jugun e Evropës, si rrush apo kajsi dhe të prodhojnë madje edhe verë.

Nga ana tjetër ndryshimi i klimës përbën rrezik për prodhimet tradicionale bujqësore në jug të Evropës, thotë Josep Maria Sole që punon për projektin VISCA (Vineyards Integrated Smart Cleimit Application), që financohet nga BE-ja dhe synon të ndihmojë industrinë e verës në Evropë.

Sipas tij zonat që prodhojnë verë do të vuajnë gjithnjë e më shumë nga valët e thatësirave dhe të nxehtit dhe rajone të caktuara në Spanjë nga ngrica më intensive gjatë pranverës, të cilat mund të dëmtojnë sythat e rrushit. Po ashtu sipas ekspertëve nga ndryshimi i klimës mund të preken këtë vit rreth 80% e ullinjëve të Italisë.

Mango, avokado dhe fruta të tjera ekzotike në Evropë?

Italia, e cila renditet e dyta në botë për prodhimin e vajit të ullirit, shënoi një rënie katastrofike në vitin 2018. Moti i keq dhe ngrica bëri që prodhimi të bjerë me 57%, një humbje prej gati 1 miliardë euro.

Siçilia është një nga rajonet më të mira për prodhimin e vajit të ullirit në Itali, së bashku me Kalabrinë dhe Puglian. Por disa fermerë aty kanë filluar ta përqendrojnë vëmendjen në kultivimin e bimëve tropikale, si mango, avokado, papaja apo liçi.

Bimët tropikale nisën të kultivohen për herë të parë në Siçili në vitet 1970, por vitet e fundit aty vihet re një rritje eksponenciale e këtyre kulturave bujqësore dhe kultivimi i specieve të reja si papaja, të cilat po zëvendësojnë agrumet të cilat “nuk sjellin më të ardhura të mjaftueshme”, thotë Vittorio Farina, profesor pranë Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Palermos.

 Ai thotë se për shkak të ngrohjes së klimës në Itali apo Spanjë janë krijuar kushte për kultivimin e mangove dhe të avokadove. Farina tha se për shkak të thatësirave dhe problemeve me ujin është e nevojshme që të nisë kultivimi i bimëve që nuk kanë nevojë për shumë ujë dhe që mund t’i përballojnë periudhat e gjata të thatësirës në verë.

Edhe Margarita Ruiz-Ramos, profesore e asociuar në Universitetin Politeknik të Madridit, tha për DW se dhe në Spanjë po testohet kultivimi i bimëve që nuk kanë nevojë për shumë ujë, si p.sh. fëstëkët (pistachio). Sidoqoftë ajo theksoi se përparësi ka eksperimentimi me lloje të ndryshme të kulturave ekzistuese që mund të përballojnë kushte e reja klimatike.

Burimi: DW

Leave a Reply