Çaji ynë i malit i njihet edhe në botë

Bimët

Etnobotanistja amerikane flet për çajin e malit, i cili rritet në Shqipëri dhe në Kosovë, për shijen e këndshme dhe vetitë e kësaj bime

Dr. Cassandra Quave, një etnobotaniste amerikane, ka bërë që nami i çajit tonë të malit të njihet edhe më gjerë. Në një postim në Twitter, ajo ka shkruar për “shijen e mahnitshme” dhe përbërjen e kësaj bime.

“Fola me profesorin Avni Hajdari (biolog në Universitetin e Kosovës) për shijen e mahnitshme dhe përbërjen e çajit të malit. Rigoni i egër mblidhet në Shqipëri e Kosovë për këtë pije të veçantë bimore”, ka shkruar dr. Quave në profilin e saj në Twitter.

Ajo ka dhënë edhe linkun e një fajli audio, në të cilën flet për vetitë e kësaj bime.

Pra, bima që ne e quajmë çaj mali, është e njohur gjerësisht si rigoni i egër (Origanum vulgare). Është bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të degëzuar, të lartë deri 20 cm. Gjethet i ka të imëta, të kundruellta dhe me bisht të shkurtër. Në maje të degëzave paraqiten lulesat e rrumbullakëta me lule ngjyrë vjollce të kuqe, me aromë të këndshme. Kjo bimë lulëzon gjatë tërë verës.

Rigoni rritet nëpër djerrina, gurore, nëpër vende me diell, shpate, nëpër ara, nëpër gëmusha, skaj rrugëve, hekurudhave etj.

Droga. – Pjesa mbitokësore e rigonit (Origani herba).

Mblidhet gjysma e epërme e kërcellit në lulëzim në kohë të bukur e të thatë. Nuk duhet të mblidhet bimët e lulëzuara së tepërmi dhe me fruta embrionalë. Gjatësia e pjesës së epërme të kërcellit duhet të jetë 25 cm. Pjesa e poshtme e drunjëzuar lihet, sepse e zvogëlon cilësinë e drogës. Pjesët e mbledhura të bimës thahen në shtresë të hollë në hije ose në tertore në temperaturë deri 40 °C

Prej 5 kg pjese mbitokësore të njomë fitohet rreth 1 kg pjese mbitokësore të tharë.

Gjatë tharjes duhet pasur kujdes që droga të humbë sa më pak lule dhe gjethe, sepse në to ndodhen përbërësit kryesorë shërues.

Paqetohet në thasë, kuti ose arka të mveshura me letër ngjyrë mavi dhe ruhet në vende të thata dhe të ajrosura.

Postimi i profesores Dr. Cassandra Quave dhe linku i fajlit audio të saj për çajin e malit

Përbërja kimike dhe përdorimi. – Përmban vaj eterik, materie të hidhura etj. Përdoret për infeksionet e sistemit të frymëmarrjes, infeksioneve nga kërpudhat dhe cistitisit. Në formë çaji përdoret për shërimin e inflamacioneve të lëkurës dhe të lëkurës mukozore, kundër kollitjes. Populli e përdor për shërimin e organeve të tretjes dhe të urinimit. Vaji eterik i rigonit ndikon fort në mënyrë antiseptike.

Duhet theksuar se ndër ne çaj mali quhet edhe një lloj tjetër bime, e njohur me emrin shekncor Sideritis L., nga familja Lamiaceae, po për këtë njëherë tjetër.

Burimi: Literatura profesionale, profili në Twitter i Dr. Cassandra Quave
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply