Kosova me ajër të ndotur si dhe ujë e tokë të kontaminuar
Pikë e nxehtë konsiderohet menaxhimi i lokacioneve të kontaminuara në Kosovë e cila është e madhe
Foto e ballinës: Radio Evropa e Lirë
Ndotja e ajrit dhe i kontaminimit të tokës në Kosovë është një sfidë mjedisore që duhet adresuar urgjentisht, tha për emisionin ON AIR drejtori i Bankë Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Marco Mantovanelli.
Ai foli për dy raportet analitike, Menaxhimi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe Shërimi i Tokës për të Ardhmen e Kosovës, kanë për qëllim kuptimin më të mirë të problemit dhe dhënien e rekomandimeve për zgjidhje. Adresimi i ndotjes së ajrit dhe tokës në Kosovë është lartë në agjendën e Bankës Botërore. Ndërsa me këtë sfidë po përballen në shumë vende të botës, shtoi Mantovanelli.
Duke përmendur detaje të raporteve se: “Në shumicën e zonave në Kosovë nivelet e përllogaritura të koncentrimeve të PM2.5 janë dukshëm mbi vlerën udhëzuese të OBSH-së, ku viset urbane e tejkalojnë këtë vlerë një deri në katër herë”, thotë drejtorit i BB-së Mantovanelli.
Duke rikujtuar se rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit. Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër. Në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane.
Po ashtu edhe kontaminimi i tokës mund të shkaktojë kontaminim serioz mjedisor, dhe probleme serioze shëndetësore. Lokacionet e kontaminuara në Kosovë janë kryesisht të pa menaxhuara, megjithatë Kosova e ka realizuar një inventarizim fillestar të asaj që i konsideron lokacione posaçërisht të rëndësishme (të quajtura “pika të nxehta”).
Mantovanelli si profesionist me mbi 20 vite përvojë në zhvillimin ekonomik thotë se: “Numri i lokacioneve të kontaminuara në Kosovë që kërkojnë sanim llogaritet të jetë rreth 200 e ndërsa kostoja totale e veprimeve në lokacion për ta menaxhuar tërë kontaminimin e mbetur të tokës në Kosovë përllogaritet të jetë 345 miliona € gjatë 20 viteve”.
Shkalla e sfidës për menaxhimin e lokacioneve të kontaminuara në Kosovë është e madhe, duke i marrë parasysh resurset në dispozicion, prandaj kërkohet një formë e prioritizimit. Kosova mund ta përdorë një qasje me faza për ta zvogëluar me sukses numrin dhe ndikimet e lokacioneve të kontaminuara për të mirën e popullit dhe të ekonomisë së saj.
Banka Botërore, është themeluar në vitin 1944 për të rindërtuar Evropën e shkatërruar nga lufta, Banka Botërore ka programe aktive në më shumë se 100 vende në mbarë botën. Kosova është bërë anëtare e plotë e Grupit të Bankës Botërore në mesin e vitit 2009. BB që nga viti 1999, ka punuar me Kosovën dhe i ka ofruar rreth US$400 milionë në grante dhe kredi, në më shumë se 30 operacione. Përkrahje është ofruar në një spektër të gjërë sektorësh, përfshirë këtu bujqësinë, kadastrin, arsimin, energjinë, mjedisin, sektorin financiar, sektorin e administratës publike dhe përfshirjen sociale.