ShBA: Lehtësimi i rregulloreve shton ndotjen
Kur Donald Trump-i u zgjodh president gati katër vjet më parë, ekspertët prisnin që politikat e tij ambientaliste do të çonin në ngritjen në mënyrë të konsiderueshme të nivelit të emetimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë.
“Presidenti Trump e ka përmbushur këtë pritshmëri”, thotë Michael Gerrard, drejtor i qendrës “Sabin” për Ligjin e ndryshimit të klimës në Universitetin e Kolumbias. Një analizë e fundit nga firma kërkimore “Rhodium Group” llogarit se lehtësimi i rregullave për nivelin e emetimeve nga ana e administratës Trump do të thotë se ato do të jenë 3% më të larta deri në 2035 sesa do të kishin qenë me rregulloret e mëparëshme.
Sipas kësaj analize, në një kohë kur shkencëtarët kanë paralajmëruar se emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin e serrës duhet të bien ndjeshëm për të mënjanuar ndikimet më të rënda të ndryshimit të klimës, politikat e presidentit Trump i kanë udhëhequr Shtetet e Bashkuara në drejtim të gabuar.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse rregulloret më të lehtësuara të presidentit Trump do të vazhdojnë të qëndrojnë.”Çdo gjë që ka bërë administrata e presidentit Trump për të lehtësuar rregulloret po sfidohet në gjykatë,” tha zoti Gerrard.
Nëse presidenti Trump humb zgjedhjet, shtoi ai, administrata e ardhshme nuk ka gjasa t’i mbrojë këto çështje gjyqësore.
Rregullat për makinat
Administrata Trump anuloi planin e paraardhësit të tij për të shkurtuar emetimin e dioksidit të karbonit nga termocentralet dhe e zëvendësoi atë me një rregullore me standarte shumë më të zbutura.
Presidenti Trump ka zbutur gjithashtu rregullat për kompanitë e naftës dhe të gazit për të kontrolluar rrjedhjet e metanit, një gaz i fuqishëm që shkakton efektin serrë.
Por rregulloret që kanë patur ndikimin më të madh, thonë ekspertët, kanë qenë ato që prekin automobilët dhe kamionët. Administrata e presidentit Obama u kishte kërkuar prodhuesve të automjeteve që të rrisnin efikasitetin e modeleve të makinave të tyre me rreth 5% çdo vit. Presidenti Trump e uli atë në rreth 1.5%.
Rregullat e reja janë “një përditësim i standardeve të kushtueshme, gjithnjë e më të paarritshme për efikasitetin e benzinës së konsumuar dhe emetimeve të dioksidit të karbonit nga automjetet”, tha në një deklaratë sekretarja e Transportit Elaine Chao. Në raportin e firmës kërkimore “Rhodium”, thuhet se standardet e ulura nga administrata Trump janë përgjegjëse për rreth një të katërtën e rritjeve të emetimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serë.
Por një ndikim më i madh vjen nga vendimi i administratës për t’u hequr shteteve të drejtën për të vendosur vetë për standardet e tyre.
Akti federal i ajrit të pastër i vitit 1970 i dha Kalifornisë të drejtën për të vendosur rregulla më të rrepta të ndotjes së ajrit nga ato që përcaktonte rregullorja kombëtare. Më shumë se 12 shtete të tjera kanë miratuar standarde të njejta me ato të Kalifornisë. Meqenëse së bashku këto shtete përbëjnë më shumë se një të tretën e tregut kombëtar të automjeteve, firmat e automobilëve zakonisht i prodhojnë të gjitha automjetet e tyre për të përmbushur standardet e Kalifornisë.
Por presidenti Trump ia hoqi Kalifornisë të drejtën për të “vendosur standarde uniforme për efikasitetin e konsumit të benzinës për automjetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke siguruar që asnjë shtet të mos ketë autoritetin të vendosë rregullat për mbarë vendin dhe që asnjë shtet të mos ketë të drejtë të imponojë politikat e tij në pjesën tjetër të vendit “, tha në një deklaratë zonja Chao. Sipas raportit të firmës “Rhodium” gati një e treta e emetimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë vjen vetëm nga ndryshimi i kësaj politike.
Kalifornia e kundërshtoi këtë vendim. Duke anashkaluar administratën e Trumpit, qeveria e këtij shteti arriti një marrëveshje me pesë prodhues të mëdhenj të automjeteve për të rritur standardet e tyre të efikasitetit me 3.7% në vit. Ky nivel është mes standartit të kërkuar nga administrata Obama dhe atij të administratës Trump.
Mbushja e zbrazëtisë
Kjo lëvizje thekson rolin që shtetet, qeveritë lokale dhe bizneset po luajnë në përpjekjet për të kompensuar veprimet për zbutjen e rregulloreve nga qeveria federale.
Virxhinia u bë këtë vit shteti i tetë, dhe i pari në Jug, që po kërkon që e gjithë energjia elektrike deri në vitin 2050 të prodhohet nga burime të ripërtëritshme. Hjustoni iu bashkua më shumë se 160 qyteteve amerikane që janë angazhuar për energji të ripërtëritshme. Kompania Lyft që mundëson ndarjen e udhëtimeve mes pasagjerëve të ndryshëm, thotë se të gjitha makinat e saj do të jenë elektrike deri në vitin 2030.
Sipas një raporti të Institutit për Burimet Botërore me bashkë-autore Devashree Saha, eksperte e politikave klimatike, shtetet, qytetet dhe bizneset mund të ulin së bashku emetimet me deri në 37% deri në vitin 2030 pa ndihmë nga qeveria federale, megjithëse kjo kërkon më shumë veprime nga ato që po ndërmerren aktualisht.
Për të arritur objektivat e caktuara sipas marrëveshjes së Parisit për klimën, ulja e emetimeve duhet të jetë në nivelin 45 deri në 50% thotë znj. Saha.
“Padyshim, ne mund të jemi në nivele më mira, nëse kemi ndihmë nga qeveria federale, “shtoi ajo.
Kjo ndihmë nuk ka të ngjarë të vijë në një mandat të dytë të presidentit Trump, shton znj. Saha./bbgreenkosova
Burimi: VoA
Foto: Voa, LA Times