Bliri, për çaj të këndshëm e mjaltë të çmuar
Në natyrë shpesh rriten në përbërje të pyjeve gjethrënëse, por po ashtu mbillen edhe si trungje të veçanta në parqe
Bliri (Tilia) është gjini e drunjve gjethërënës nga familja me të njëjtin emër (Tiliaceae). Trungjet janë të lartë deri në 40 metra dhe krijojnë kurorë të gjerë, të rregullt. Gjethet janë në formë zemre dhe interesante është se ndonëse thahen gjatë vjeshtës, ato mbesin në trungje deri në fund të dimrit. Sistemi i rrënjëve është i thellë. Lulet janë dygjinore, të rregullta, të verdha, të mbledhur në lulesë. Janë me shumë erë dhe i vizitojnë e polenizojnë shumë insekte. Janë të mbrojtura me një gjethe lulore të gjatë, e cila ndihmon frutat që të përhapen lehtë. Kur era e fortë i shkëputë prej degëve, është interesante të shihen se si pluskojnë në ajër, si elisë helikopteri dhe barten larg nga era. Pas lulëzimit zhvillohet arrëza, e cila mbetet në trung edhe gjatë dimrit.
Në natyrë shpesh rriten në përbërje të pyjeve gjethrënëse, por po ashtu mbillen edhe si trungje të veçanta në parqe. Kurora krijon hije të këndshme për nxehtësitë e verës.
Gjinia përmban rreth 30 lloje, ndërsa më të rëndësishmet janë bliri me gjethe të mëdha ose bliri i zi (Tilia grandifolia Ehrh, ose Tilia platyphyllos Scop.) dhe bliri gjethimtë (Tilia cordata Miller, ose Tilia parvifolia Ehrh.)
Bliri është bimë mjalti, bletat e vizitojnë me kënaqësi dhe mbledhin nektar e polen. Mjalti i blirit është me ngjyrë të verdhë të ndritshme pak në të gjelbër, i shijshëm, ngapak i hidhur. Kristalizohet pas 2-3 muajsh në kristale të forta mesatare ndërsa në gjendje të ngurtë është i verdhë deri në të përhitur. Çmohet shumë. Rendimenti është mesatarisht 20 kg për koshere.

Në fitoterapi përdoren dy loje të blirit dhe hibridi i tyre (Tillia cordata Mill., T. platiphyllos Scop., T. x vulgaris Heyne). Llojet tjera të cilat shpesh gjenden në shitje në qese filtri zyrtarisht nuk janë shëruese.
Çaji nga lulet shkakton djersitje, nxit urinimin dhe rekomandohet për ftohje e grip. Është sedativ, të vë në gjumë, por nuk është mirë të pihet shumë, për shkak se përdorimi afatgjatë ndikon në punën e zmerës.
- 1 lugë e vogël e gjetheve i hidhet një filxhan uji të vluar. Pihet 4x në ditë.
Druri i blirit është i butë dhe përpunohet lehtë.
Burimi: Literatura profesionale
Foto: Wikipedia
