Ujqit në Kosovë: A ekziston “lloji i rrezikuar ulkonja e zezë”?

Njeriu dhe natyra

Një lajm i botuar në median lokale Kamenica Press, i cili bën të ditur se një qytetar ka arritur ta fotografojë një ulkonjë të zezë, u botua pothuaj se në të gjitha mediet qëndrore të Kosovës, duke theksuar se është fjala për një lloj të rrezikuar për zhdukje.

Mediat citojnë postimin në Facebook të qytetarit Arian Mavriqi se ai, i shoqëruar nga një shok, fotografitë e ulkonjës së zezë, “specie e rrezikuar për zhdukje”, i ka realizuar në një lokacion, të cilin do ta mbajë të fshehtë shkaku i gjahtarëve.

“Ishim të mahnitur nga pamja shumë e bukur dhe shikimi që na e hodhi. Për fat të keq, kjo specie kërkohet për t’u vrarë dhe për vendin tonë do të ishte humbje e madhe nëse nuk mbrohet me ligj! Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që te ruhen këto pasuri tonat, sepse një bukuri të tillë në vendet tjera munden vetëm ta ëndërrojnë”, ka shkruar ai më 1 shtator.

Por, a ekziston ujku i zi, përkatësisht ulkonja e zezë?

Ekziston, sigurisht, deri sa dëshmi për këtë është edhe fotografia e përmendur. Por, ukju i zi, pra as ulkonja e zezë, nuk është lloj i veçantë ujku!

“Ujku i zi është variant melanistik u ujkut të përhitur (Canis lupus)“, shkruan në artikullin Black Wolf (ujku i zi) në enciklopedinë elektronike Wikipedia.

Më tej shpjegohet se hulumtimet gjenetike nga Fakulteti i mjekësisë i Universitetit të Stanfordit në Kaliforni dhe të Universitetit Kalifornia në Los Angjelos, kanë zbuluar se ujqit me lëkurë të zezë për pamjen e tyre duhet t’i falënderohetn mutacionit, i cili ka ndodhur tek qentë shtëpiakë, ndërsa tek ujqit është përcjellë me hibridizimin ujq-qenë.

“Pos ngjyrës së qimeve dhe të gjunjve, ata janë ujq normalë të përhitur”, konstaton artikulli.

Ndërsa melanizimi (nga fjala greke μελανός, “më ngjyrë të zezë”), po në Wikipedia, përkufizohet si pigmentizim i tepruar, përkatësisht depozitim i melaninës. Kafsha melanite, për dallim të ngjyrës së rëndomtë të llojit të saj, është e ngjyrosur krejtësisht me të zezë.

Mundësia e trashëgimisë së karakteristikave melanike të kafshëve janë vetëm 25 për qind, kështu që individët e tillë vërtet janë të rrallë, siç është edhe ulkonja e zezë e parë në Kamenicë. Por, siç u tha, nuk është fjala për një lloj të ri.

Përndryshe, ujku (Canis lupus Linnaeus, 1758) jeton në Kosovë, është i mbrojtur me ligj dhe nuk hyn ndër llojet e rrezikuara, po ndër ato për të cilat ekziston shqetësim i vogël.

Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës e përshkruan si kafshë sociale dhe rrallë mund të haset e vetmuar, madje kryesisht gjatë verës. Anëtarët e shoqërisë zakonisht sillen prej 5 deri në 40. Jetojnë në grupe sociale, të udhëhequra nga mashkulli alfa me femrën. Është kafshë e shpejtë dhe mjaft e fuqishme. Zhvillon luftë të ashpër për territor, saqë vdekshmëria e tyre nëpër beteja sillet prej 14 – 65 %. Ushqim kryesor i kanë ungulatet (grup gjitarësh) me peshë 20 – 100 kg. Jetëgjatësia arrin deri në 16 vjet.

Nënpopullata e këtij lloji në Kosovë vlerësohet si stabile, ndërsa fakti se është hasur në shumë vende ka bërë që edhe të mos konsiderohet si specie e rrezikuar./bbgreenkosova

Burimi: Kamenica Press, Wikipedia, Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës
Foto: Alamy, Arian Mavriqi

Leave a Reply