Gjermania ndalon gjërat për një përdorim nga plastika
Qeveria e Gjermanisë ka vendosur që të ndalojë shitjen e kashtave për një përdorim, shkopinjve për veshë dhe takëmeve për ushqim.
Me këtë Berlini po e zbaton direktivën e Bashkimit Evropian për të zvogëluar sasinë e mbeturinave plastike që ndotin mjedisin. Qeveria gjermane ka pranuar që deri më 3 korrik të vitit 2021 të ndalojë shitjen e plastikës, duke përfshirë takëmet për një përdorim të ushqimit, shkopinjtë për përzierjen e pijeve dhe mbajtëset e balonëve me helium, si dhe filxhanët dhe kutitë e bëra nga polistireni.
Ministrja e mjedisit Svenja Schulze ka thënë se kjo është pjesë e përpjekjeve që të gjithë të heqin dorë nga “kultura e hedhjes”.
Rreth 20 përqind të mbeturinave në parqe dhe vende të tjera publike është plastikë për një përdorim, kryesisht polistiren.
Duhen dekada që plastika të shpërbëhet, ndërsa shndërrohet në grimca të vogla mikroskopike, të cilat janë gjetur në trupat e peshqve, zogjve dhe kafshëve të tjera.
Polistireni është një nga materialet plastike më të përdorura dhe prodhohet në disa miliardë kilogramë në vit.
Ky material përdoret për paketim, shishe, kapakë dhe takëm për një përdorim të ushqimit.
Përndryshe, Gjermania është një nga anëtarët “më të gjelbra” të Bashkimit Evropian dhe i kushton vëmendje të veçantë ngritjes së vetëdijës së qytetarëve për ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Burimi: Beta
Foto: Shutterstock
