Pandemia shpejton fundin e industrisë së thëngjillit?
Pritet që në ShBA, për herë të parë në histori, sivjet të prodhohet më shumë energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme, se sa nga thëngjillit
Masat e jashtëzakonshme të vëna globalisht kanë shkaktuar rënien e kërkesës për energji elektrike në shkallë globale, gjë që ka rezultuar me zvogëlimin e përdorimit të thëngjillit për prodhimin e saj. Termocentralet me thëngjill janë goditur të parat, sepse energjia e cila fitohet nga gazi natyror, si edhe me ndihmën e rrezeve të diellit dhe erës, është më e lirë.
Pritet që në ShBA, për herë të parë në histori, sivjet të prodhohet më shumë energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme, se sa nga thëngjillit, sipas të dhënave nga raporti, të cilin javën e kaluar e ka publikuar Administrata amerikane për informata për energjinë (EIA, US Energy Information Administration). Përkundër premtimeve të Donald Trumpit se Amerika do të vazhdojë të eksploatojë thëngjillin, industria ka përjetuar mbyllje të reparteve dhe humbje të madhe të vendeve të punës, çfarë nuk janë parë në 60 vitet e fundit.
Muajin e kaluar, në Suedi e Austri janë mbyllur termocentralet e fundit më thëngjill, ndërsa nga Holanda kanë arritur lajme se në këtë vend do t’i zvogëlojnë kapacitetet e termocentraleve me thëngjill për 75 për qind. Britania e madhe tash më shumë se një muaj prodhon energji elektrike pa thëngjill, gjë që në këtë vend nuk ka ndodhur që nga fillimi i revolucionit industrial, deri sa Portugalia nuk po e përdor thëngjillin tash e gati dy muaj.
Në kushtet e pandemisë dhe dobësimit të ekonomisë, India, e cila është konsumuesi i dytë më i madh në botë i thëngjillit, si prioritet ka zgjedhur energjinë e lirë diellore si përgjigje për rënien e kërkesës energjetike. Kjo ka shkaktuar zvogëlimin e emisionit të dioksidit të karbonit dhe, për herë të parë në 4 dekada, ajër më të shëndetshëm, por edhe kërkesa të publikut për përdorim edhe më të madh të burimeve të përtëritshme të energjisë.
Nga kjo pamje globale veçohet Kina, ku digjet gjysma e thëngjillit botëror dhe e cila është financuesi ma i madh i minierave dhe termocentraleve në Azi e Afrikë. Pas fitores në luftën kundër virusit të ri korona, prioritet është nisja e sërishme e ekonomisë, dhe në Kinë fokusi është në numrin e madh të termocentraleve të reja, të cilat megjithatë punojnë me gjysmë kapaciteti, sepse kërkesa për thëngjill nuk është kthyer në nivelin paraprak.
Carlos Fernández Alvarez, analist prijës i përdorimit të thëngjillit nga Agjencia ndërkombëtare energjetike, ka thënë për The Guardian-in se Kina e India kanë ndërtuar më shumë kapacitete përprodhimin e energjisë elektrike nga thëngjilli se sa u nevojiten, dhe madje edhe para krizës kanë pasur problem me tepricat në prodhim, e tash kur kërkesa është zvogaluar ky problem është zhveshur edhe më shumë.
Fernández po ashtu thotë se pandemia më së rëndi e ka goditur industrinë e thëngjillit, por kjo rënie mund të jetë vetëm e përkohshme, në qoftë se qeveritë e shteteve nuk investojnë në teknologjinë e burimeve të përtëritshme të energjisë pas rimëkëmbjes së ekonomisë me përfundimin e pandemisë.
Rob Jackson, i cili e udhëheq Global Carbon Project-in, mendon se kjo industri vështirë se do të rimëkëmbet, madje edhe pasi që epidemia të marrë fund. Arsye për këtë janë çmimet e ulëta të gazit natyror dhe energjisë së fituar nga dielli e era, si dhe shqetësimi gjithnjë e më i madh për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndikimit në shëndet të thëngjillit, të cilat edhe para kësaj rënieje rekorde të kërkesës e kanë rrezikuar ekzistencën e industrisë së thëngjillit, ka thënë ai për The Guardian.
Burimi: The Guardian
Foto: BB Green Kosova