Gazetaria e gjelbër si zhanër i domosdoshëm – Rasti i Kosovës
Ndryshimet klimatike dhe mediet
Pas politikës dhe futbollit, showbiz-i zë vendin më të madh në hapësirën tonë mediatike dhe kudo në mediat e tjera. Raportet mjedisore janë në momentin e përmbytjeve, zjarreve në pyje apo ndonjë ditë simbolike të shënuar. Ndërsa ndryshimet klimatike në lajme vijnë vetëm në rubrikën për botën si diçka që nuk na përket neve, të paktën nga këndvështrimi ynë. Ashtu si dezinformimi dhe keqinformimi i bënë njerëzit të mos besojnë në Covid-19 ose në vaksinën në të njëjtën mënyrë media po humb mundësinë për të informuar njerëzit për rrezikun që paraqet ndryshimi i klimës.
Autore: Behare Bajraktari
Çfarë ndodhi në Kosovë me gazetarinë, jo vetëm, por edhe me informimin falas, rrjedhimisht me humbjen e nocionit të Ndryshimeve Klimatike?
Kosova, ndryshimet shekullore
Kosova në vitet e komunizmit, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore ka pasur një gazetari modeste por koherente. Që nga viti 1948, kur u themelua dhe u zhvillua ‘korporata’ e gazetarisë së përditshme, e përditshmja ‘Rilindja’, e cila në lulëzimin e saj ka zënë vend në tregun e ish-Jugosllavisë socialiste me më shumë se 120.000 kopje në ditë. Kjo ishte padyshim një periudhë, nëse jo periudha e artë, e shkëlqyer e gazetarisë së shkruar.
Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, të shekullit të njëzetë, në Kosovën e Jugosllavisë pati një shpërthim të gazetave dhe revistave javore, të profilizuara dhe periodike. Ndër më të spikaturat ishin ‘Zëri i rinisë’ pastaj ‘Zëri javor’, si dhe më vonë revista argëtuese sociale ‘Kosovarja’, e përditshmja ‘Bujku’ dhe revista e profilizuar politike ‘Koha’.
Të gjitha këto, në një mënyrë apo tjetër, trajtonin kronikat shoqërore dhe temat lokale, më rrallë ngjarjet politike, përveç ngjarjeve të strukturave federale socialiste që ishin tema kryesore. Por asnjëherë në aspekte të natyrës, shkencës, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale në ish-Jugosllavi nuk ishte një temë tabu, por një nocion ende i panjohur për frazeologjinë e masmedias.
Gazetaria e shtypit është zhdukur
Në Kosovën e pasluftës, gazetaria dukej se kishte rilindur. Kështu dukej dhe kështu ndodhi. Të paktën për një kohë të shkurtër, derisa media e shkruar kryesore arriti deri në pesëdhjetë mijë kopje në treg. Por pas kësaj, ata pësuan rënien e tyre, njëri pas tjetrit; ‘Epoka e re’, ‘Kosova sot’, ‘Bota sot’, ‘Lajm’, ‘Ekspress’, ‘Zëri ditor’ dhe së fundmi edhe ‘Koha ditore’. Realisht, kohëve të fundit në kioskë mund të gjesh vetëm ndonjë kopje të fjalëkryqeve dhe revista mujore për të rinj e KFOR-it ‘For You” dhe asgjë tjetër. Duke parë nga afër zhdukjen e gazetarisë së shtypit në Kosovë, mund të themi se pak prej tyre kanë luajtur rolin e duhur të spikerit dhe informatorit, ndërsa edhe më pak prej tyre janë marrë me temat e ndryshimeve klimatike. As që bëhet fjalë të kenë mjedisin në faqet e para me tituj, ndërkohë që tema e ndryshimeve klimatike ka qenë e parëndësishme.
Portale pa para dhe pa vizion
U krijuan disa portale të tjera të reja, të ‘pavarura’ nga ndikimet politike, por të papërvojë dhe pa traditë nga ana tjetër të pambështetur financiarisht, më shumë përkeqësuan gjendjen e gazetarisë dhe informimit të drejtë se sa krijuan informacione të dobishme. Kështu rrezikoi të kalonte në sindromën e klikimeve vetëm për të ekzistuar duke mos ndjekur asnjë normë të etikës gazetareske, sigurisht duke i përjashtuar disa sosh prej këtij sindromi. As nuk imagjinohet të merren me tema të mëdha si ndryshimi i klimës, përveç si lajme kalimtare.
Një dekadë e gazetarisë së gjelbër të radios
RTK – Radio 1 si radio publike ka raportuar për mjedisin që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Kiotos, në shkurt të vitit 2005. Radio media publike ka qenë pioniere e raportimit për ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale edhe kur situata shihet me skepticizmi, ndërsa raportimi për të ende konsiderohej i panevojshëm me paragjykimin se çfarë ka të bëjë Kosova me ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale. Përkundrazi, radioja ka raportuar edhe për Marrëveshjen e Parisit, në dhjetor 2015. RTK – Radio 1, nga viti 2017 emisioni ‘ON AIR’ ka krijuar rubrikën me audioklipe, një nismë e veçantë në formën e një fushate dhe mesazhi të përditshë gazetaresk, për të ofruar fakte rreth mjedisit, shëndetit, ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, si dhe si i vetmi emision që në baza ditore vazhdon t’i trajtoj çështjet mjedisore si pjesë transformuese shoqërore si për agjenden e gjelbër evropiane, ashtu edhe për eceur drejt BE-së. Si i vetmi emision që në mënyrë të vazhdueshme ofron intervista me ekspertë, zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe këdo tjetër që mund të kontribuojë në këtë çështje. ‘ON AIR’, i Radio Televizionit të Kosovës në hapësirën audiovizive është themelues i ‘Green Journalism’.
Gazetaria e gjelbër – zhanri i ri i gazetarisë
Kur flasim për gazetarinë e gjelbër si zhanër i ri, ajo është themeluar nga platforma online, ‘BB Green Kosova’, e cila është themeluar zyrtarisht në vitin 2019. Ajo ka lindur si një nevojë e madhe për informacion të gjelbër, ku do të raportonte ekskluzivisht për mjedisin dhe situatën e rëndë mjedisore në Kosovë, në një platformë profesionale, të hapur dhe si pjesë e saj ‘Agjenda e Gjelbër’.
Synimi i gazetarëve të gjelbër të ‘BB Green Kosova’ ishte që qytetarët e Kosovës të informohen për gjendjen reale mjedisore në vend, të ndërgjegjësohen për veprimet e tyre dhe të kuptojnë se çfarë obligimesh kanë institucionet e vendit për çështjet mjedisore. Duke besuar se vetëm informacioni i duhur na çon në ndryshimet e synuara për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm drejt një të ardhmeje të gjelbër. Slogani i ‘BB Green’ është ‘Toka është ajo që kemi të përbashkët’, prandaj vetëm së bashku mund të arrijmë ta shpëtojmë Kosovën nga ndotja dhe degradimi i natyrës.
Gazetaria e gjelbër krijoi edhe më shumë jehonë gjatë vitit të parë ku u raportua për ajrin e ndotur, tokën e ndotur dhe ujin i ndotur. ‘BB Green’ ka ndikuar që raportet e përditshme së bashku me qytetarët të ndalojnë ndërtimin e lagjes te liqeni i Badovcit (ku me ujë të pijshëm furnizohen 500 mijë banorë, përfshirë edhe kryeqytetin e Prishtinës). Resurset ujore të Kosovës mbeten kërcënimi më i madh për vendin, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Gazetaria e Gjelbër dhe Agjenda e Gjelbër Europiane
Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një strategji e re për zhvillimin e rajonit që kërcen nga një model ekonomik tradicional në një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Duke nënshkruar Deklaratën mbi Axhendën e Gjelbër, vendet e Ballkanit Perëndimor u angazhuan në Samitin në Sofje më 10 nëntor 2020 për të zbatuar masa ndaj ndryshimeve klimatike, zhvillimit të energjisë, transportit dhe ekonomisë qarkulluese, si dhe mbrotjes se biodiversitetit, bujqësisë dhe prodhimit të qëndrueshëm.
Gazetarët e gjelbër do ta ndihmojnë Kosovën në arritjen e objektivave më shpejt duke raportuar për pikat e agjendës,por edhe për pengesat apo problemet që hasë vendi ynë, siç është: dekarbonizimi i burimeve (energjia, transporti dhe klima), ekonomia qarkulluese, pastrimi i ajrit, ujit dhe tokës , bujqësia dhe sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe mbrojtja e biodiversitetit-
Në Samitin në Sofje, i cili mblodhi përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, përveç Deklaratës për Agjendën e Gjelbër, u nënshkrua Deklarata e Drejtuesve të Ballkanit Perëndimor mbi Tregun e Përbashkët Rajonal, e cila duhet të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin ekologjik të rajonit. Gazetaria e Gjelbër është çëlësi i Agjendës së Gjelbër Europiane.
Konkluzione
Specializimi i gazetarëve dhe rikthimi i audiencës
Që nga paslufta, mediat në Kosovë nuk kanë treguar interesim për avancimin profesional të gazetarëve, gjithçka që ka ndihmuar në trajnimet thelbësore kanë qenë institucionet dhe organizatat ndërkombëtare si më parë ashtu edhe tani. Duke profilizuar gazetarët apo duke i lejuar ata të specializohen në një fushë të caktuar, vëmendja do të kthehej tek problematikat reale, ku do të përfitonin vetë mediat, si profesionalisht ashtu edhe financiarisht dhe do të rifitonin besimin e humbur të qytetarëve.
Transformimi mediatik – me mendje të reja
Mediat në Kosovë asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht thelbin e jetës, zhvillimin dhe nevojat e shoqërisë. Ata janë marrë kryesisht me debate të agjendave politike ditore, grupeve të interesit apo pasurimit të pronarëve të tyre. Duke qenë se krimi më i madh është krimi mjedisor dhe ndikimi i tyre kalon përmes mediave tek publiku, gazetarët nuk kanë arritur të bëjnë emisione për mjedisin apo ndryshimet klimatike në ‘prime time’. Për të transformuar median, mentaliteti i menaxherëve të medias duhet të ndryshojë për të parë investimet dhe transformimin afatgjatë dhe për të gjeneruar të ardhura buxhetore në forma të tjera dixhitale duke strukturuar axhenda të reja.
Fushata zgjedhore në programin mediatik “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”
Në Kosovë media publike ka prirë për shumë gjëra, çfarëdo që ka ndërmarrë me skemën e saj programore është ndjekur nga media të tjera private dhe komerciale. Prandaj, për të transformuar hapësirën mediatike, media publike duhet të vendosë një qëllim tjetër. Me mundësitë buxhetore do të krijonte lehtësisht agjendë të re në tregun mediatik.
Mediat duhe të fillojnë që në fushatat zgjedhore qoftë ato lokale apo qendrore ta bëjnë pjesë mjedisin, dnryshimet kliamtike dhe agjenden e gjelbër europiane.
Kur të ketë hapësiren e duhur ‘Gazetaria e Gjelbër’ dhe “Programet partiake zgjedhore për mjedisin” ky do të ishte jo vetëm një revolucion duke e bërë pjesë të medieve ‘Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike’, por edhe transforimi dhe afrimi me BE-në,që besoj se do të jetë edhe standrad i ri i kërkuar.
Editorial për mjedisin dhe mënyrën evropiane
Kjo është një tjetër ide dhe propozim që i është bërë menaxhmentit dhe bordit të RTK-së për themelimin e redaksisë “Gazetaria e Gjelbër”. Me formimin e redaksisë do të mblidheshin shumë gazetarë të interesuar të medias publike për të raportuar profesionalisht dhe shkencërisht mbi mjedisin, ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale. Aty ku jo vetëm do të përmbushej detyrimi i transmetuesit publik ndaj publikut, por do të ishte rruga kryesore drejt transformimit kombëtar në të gjitha aspektet, si mediatike, sociale, politike dhe të gjelbra sipas ‘Marrëveshjes së Gjelbër’ drejt rrugës evropiane, drejt energjisë së rinovueshme. dhe qëndrueshmëri.
Mënyra më e sigurt që Kosova të arrijë objektivat e saj mjedisore është të raportohet nga media të specializuara me gazetarë kompetentë, me raporte ekskluzivisht për mjedisin.
Shënim:
Ky publikim on-line paraqet një përzgjedhje të eseve të shkruara nga gazetarët që marrin pjesë në programin e-learning “Raportimi i ndryshimeve klimatike” (edicion 2021/2022) – një projekt i koordinuar nga COPEAM (Konferenca e Përhershme e Operatorëve Audiovizualë të Mesdheut) dhe Universiteti Ndërkombëtar i Telematikës Uninettuno, me mbështetjen e EIB – Banka Evropiane e Investimeve.
Green journalism as an indispensable genre – the case of Kosovo by Behare Bajraktari, RTV – Kosovo Ketu linku i shkrimit në anglisht