Bima me emrin e mbretit ilir shton oreksin dhe shpejton tretjen

Bimët

Bar zemre (Gentiana lutea L.) në sasi të mëdha përdoret në industrinë e pijeve dhe të likerëve.

Në popull e quajnë bar zemre, ndërsa emri latin i gjinisë së bimëve Gentiana i është dhënë për nder të mbretit të fundit ilir, Gencit (181 p. e. s – 168 p. e. s), për të cilin Dioskoridi ka thënë se i pari e ka gjetur një bimë të ngjashme, bar zemre kryqëzor (Gentiana cruciata). Emri i llojit lutea do të thotë i verdhë, i tregon lulet.

Pamja e bimës dhe vendbanimi. Gentiana Lutea, apo bari zemre, është bimë barishtore shumëvjeçare, e cila disa vite të para i ka vetëm gjethet përdhese, ndërsa vetëm pas vitit të pestë ose më vonë, rritet kërcyelli vertikal i padegëzuar, me lule, i lartë 0,5 deri 1 m. Gjethet janë të kundruellta pa bisht, në formë veje, buzëplota, me nerva paralele. Grupet e luleve me ngjyrë të verdhë janë të vendosura nën sqetull të gjetheve në pjesën e epërme të kërcellit. Kjo bime ka rizomë të rrudhur në formë unazore, prej të cilit degëzohen rrënjët e gjata dhe mishtore. Lulëzon prej qershorit deri në gusht.

Bar zemre, lulja (Foto: Wikipedia}

Bar zemre paraqitet nëpër livadhe dhe kullosa të brezit alpik dhe paraalpik, në lartësi prej 600 deri 2.500 metra.
Krahas llojit të përmendur të barit të zemrës, për përfitimin e drogës përdoret edhe G. Punctata L. dhe G. Panonica Scop. E para është pak më e ulët se bar zemre i vërtetë, lulet i ka me ngjyrë të verdhë në të kuqe me njolla të kuqe të errëta. E dyta i ka lulet ngjyrë të gjelbër në të verdhë dhe të kuqe të mbyllët mavi.

Droga. Rrënja e barit të zemrës (Gentiana radix)
Në verë të vonshme nxirren vetëm rrënjët e bimëve të vjetra, pastrohen prej pjesëve të kalbura, kërcellit dhe kokës së rrënjëve, e pastaj lahen me ujë. Rrënjët me të trasha priten në mënyrë gjatësore dhe thahen në tertore, por bën edhe në diell.

Prej 4 deri 5 kg rrënjësh të njoma fitohet rreth 1 kg rrënjësh të thata.

Droga ka ngjyrë gështenje të verdhë deri gështenje, e në tharje ka ngjyrë të verdhë. Ka erë karakteristike dhe shije shumë të hidhur.
Nëse droga është për prodhimin e likerëve dhe pijeve tjera aromatike, veprohet në tjetër mënyrë. Rrënjet e mbledhura vëhen në grumbull, mbulohen me dhe dhe lëhen për t’u fermentuar. Droga atëherë fiton erë të këndshme dhe ngjyrë të errët gështenje në të kuqe, me thyerje ka ngjyrë gështenje të verdhë të mbyllët.
Pas tharjes paqetohet në thasë jute dhe ruhet në vende të pastërta dhe të thata.

Përbërja kimike dhe përdorimi. Përbërësit kryesorë shërues të drogës janë materiet e hidhura. Përdoret si shtesë çajave të ndryshëm, për oreks dhe për shpejtimin e tretjes. Prej saj fitohet ekstrakti dhe tintura. Sasi më të mëdha të drogës shpenzohen në industrinë e pijeve dhe të likerëve.

Për shkak të eksploatimit të madh të saj, rrënjë të saj duhet të ndahen në aq pjesë sa ka sytha dhe të mbillen menjëherë në distancë 50 x 50 cm.

Burimi: Literatura profesionale
Foto: plantea.com, Wikipedia

Leave a Reply