Ndotja merr haraq: Evropa humb miliarda shkaku i ajrit toksik

Më të rejat

Ndotja e ajrit i kushton Evropës 166 miliardë euro në vit, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, në të cilin shqyrtohen kostot e vdekjes së parakohshme, sëmundjeve dhe ditëve të humbura të punës për shkak të ndotjes në 432 qytete evropiane.

Ky raport, të cilin e ka bërë CE Delft-i për Aleancën evropiane të shëndetit Publik (EPHA), një platformë jo-qeveritare me bazë në Bruksel, shqyrton 432 qytete në 27 vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Studimi krahason tre ndotësit kryesorë të ajrit – grimcat e pluhurit, dioksidi i karbonit dhe ozoni, dhe kostot e tyre që lidhen me trajtimin, jetëgjatësinë e zvogëluar ose sëmundje të tilla si bronkiti i rëndë kronik dhe të ngjashme.

Londra kryeson qytetet me kostot më të larta të lidhura me ndotjen (11.4 miliardë euro), përpara Bukureshtit dhe Berlinit, ndërsa Parisi është në vendin e shtatë.

“Hulumtimi ynë zbulon se sa i dëmshëm është ajri toksik, por edhe sa pabarazi të konsiderueshme ekzistojnë midis vendeve të ndryshme evropiane,” komenton sekretari i përgjithshëm i EPHA, Sascha Marschang, i cili shton se “politikat e transportit publik mund të përmirësojnë situatën dhe qytetet mund të ulin kostot me inkurajimin e lëvizshmërisë që nuk ndot mjedisin “.

Ndotja e ajrit në qytete është rezultat i disa faktorëve – transportit, ngrohjes së shtëpive apo edhe aktivitetet industriale ose bujqësore. Megjithëse është e vështirë të vlerësosh saktë pjesën e secilit prej këtyre sektorëve, raporti merrej me transportin dhe vlerësonte se një rritje në numrin e makinave në qytet me vetëm 1 përqind rrit kostot sociale me gati 0.5 përqind.

“Duhet të bëjmë përpjekje për të kaluar në transport më pak ndotës – ecje, çiklizëm dhe automjete elektrike”, shton Marshang.

Ndotja e ajrit është përgjegjëse për 480,000 vdekje të parakohshme në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), dhe këta numra mund të jenë vetëm më të lartë./bbgreenkosova

Burimi: AFP
Foto: Bankwatch.org

Leave a Reply