Rreqëbulli ballkanik, lloji që po mbetet vetëm në legjendë

Degradimi i natyrës

Në vitet e 1970-a, ky lloj endemik i Ballkanit, i cili numëronte 280 individë, tash ka rënë nën 50 sish. Çfarë e rrezikon rrëqebullin?

Në Shqipëri thuhet se nëse Rreqëbulli ballkanik të shikon me sytë e tij në formë bajameje të verbon. E ka treguar këtë legjendë për këtë kafshë të rrallë gazetarja Briseida Mema në portalin phys.org. Për fat të keq, kjo specie rrezikon të mbetet vetëm në legjendë, për shkak se i kërcënohet zhdukja.

Vetëm rreth 40 individë të kësaj kafshe enden në malet e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut fqinje sipas të dhënave të Unionit ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës (IUCN), i cili në vitin 2015 e klasifikoi “Lynx lynx balcanicus-in”, siç quhet me emrin shkencor, si të rrezikuar në mënyrë kritike. Numër të përafërt – nën 50 sish – ka dhënë edhe prof. Daut Rexhepaj para dy vitesh, teksa po punonte në hartimin e Librit të kuq të faunës së Republikës së Kosovës.

Ky libër rreqëbullin e përshkruan si të ngjashëm me macen e egër dhe atë shtëpiake, por me përmasa më të mëdha – prej 80 deri 130 cm i gjatë, rreth 32 kg në peshë; mashkulli është më i madh se femra. Gjatë verës ka ngjyrë më të ndritshme të trupit, të verdhë ose me nuanca të arta, kurse gjatë dimrit më të mbyllët, në të kuqërremtë. Është shtazë shumë e shkathtë, lëvizë natën, por edhe ditën brenda territorit deri në 25 km, të cilin e shënjon me anë të jashtëqitjeve. Ushqehet me gjitarë, por edhe me shpendë. Jeton deri në 18 vjet.

Habitat i tij janë pyjet, shkurret e kullosat e klimës mesatare, në zona malore nga 700 deri 2.500 m lartësi mbidetare të tipit alpin, duke u ambientuar në klimën e tipit boreal. I preferon vendet shkëmbore dhe të thyeshme, të qeta dhe larg vendbanimeve.

Është lloj endemik i Ballkanit, i cili haset në Kosovë, Shqipëri, Mali të Zi e Maqedoni të Veriut. Në Kosovë është i përhapur kryesisht në fshatrat e Rugovës, Rekë e Allagës, Koshutan dhe mbi Bogë, por edhe te hidrocentrali në Deçan. Mirëpo, trendi i popullatës është në rënie e sipër, madje në gjithë arealin e përhapjes, prandaj është vlerësuar si lloj skajsshmërisht i rrezikuar për zhdukje.

Lloji është i mbrojtur strikt me masë administrative, por megjithatë lista e kërcënimeve të tij është e gjatë, e rrezikojnë rrugët dhe hekurudhat, përdorimi i burimeve biologjike, gjuetia, prerja e pyjeve, ndërhyrjet njerëzore dhe shqetësimet, modifikimet e
sistemeve natyrore.

“Rreqëbulli ballkanik do të duhej mbrojtur edhe për shkak se prania e tij është tregues i cilësisë së njëmendtë të habitatit dhe mbrojtja eventuale e llojit siguron efekt mbrojtës për lloje të tjera dhe lokalitetin/lokalitetet ku gjendet”, thekson prof. Rexhepaj.

Në vitet 1970, rajoni kishte rreth 280 rreqëbuj ballkanikë, por, sipas ekspertëve të biodiversitetit, trazirat civile, copëtimi dhe shkatërrimi i habitatit kanë bërë që numri të bjerë në mënyrë drastike. Nga viti 2006, një iniciativë rajonale është duke u zhvilluar me qëllim të parandalimi të zhdukjes së llojit.

Lajme të mira kanë arritur në fund të vitit të kaluar nga Shoqata ekologjike e Maqedonisë së Veriut, sipas të cilës në territorin e Parkut nacional “Mavrovë” është prezent edhe rrëqebulli ballkanik dhe ai po shumohet./bbgreenkosova

Burimi: phys.org, Libri i kuq i faunës së Republikës së Kosovës
Foto: lake_ohrid/ Wikipedia

Leave a Reply