Studimi: Akullnajat zvicerane po shkrihen me shpejtësi shqetësuese

Më të rejat

Akullnajat zvicerane kanë vazhduar të shkrihen me shpejtësi shqetësuese sivjet dhe mbulesa e borës në akullnajën më të madhe në Alpe nuk ka qenë kurrë kaq e vogël, paralajmëron një studim i botuar të premten.

Në përgjithësi, akullnajat zvicerane kanë humbur dy përqind të vëllimit të tyre këtë vit, sipas një studimi vjetor të botuar nga Akademia Zvicerane e Shkencave.

Kjo është në përputhje me mesataren e dhjetë viteve të fundit, por këto shifra janë ende “shumë shqetësuese”, tha për AFP-në autori i raportit, Matthias Huss, i cili drejton rrjetin e monitorimit të akullnajave GLAMOS.

“Shifrat janë pak më të ulëta se në tri vitet e fundit, kur kishim temperatura jashtëzakonisht të larta, por akullnajat përsëri humbën shumë masë”, shton shkencëtari.

Në 60 vitet e fundit, akullnajat zvicerane kanë humbur aq ujë sa ka në liqenin e Konstancës, 63 kilometra i gjatë në kufirin Austro-Gjermani-Zvicër.

Njëra nga matjet më shqetësuese ka të bëjë me akullnajën alpine më mbresëlënëse Aletsch.

Qëkur kanë filluar matjet, para pak më shumë se 100 vjet më parë, sivjet është shënuar akumulimi më i dobët i borës deri më tani, tha Huss. Matjet janë bërë në një lartësi prej 3,466 metrash, ku gjithmonë ka borë.

“Është ftohtë atje lart, por ka pak borë të akumuluar edhe në atë lartësi, natyrisht kjo është një shenjë e keqe për akullnajën më të madhe në Alpe,” tha ai.

Akullnaja, e cila mbulon 86 kilometra katrorë në Alpet Zvicerane, ka rreth 11 miliardë tonë akull, por pjesa e përparme e saj është tërhequr rreth një kilometër që nga fillimi i shekullit.

Akullnaja Aletsch është më mbresëlënësja midis mbi 4,000 akullnajave alpine.

Studimi i Universitetit ETH në Cyrih tregon se 95% e këtyre masave të mrekullueshme të akullit do të zhduken deri në vitin 2100 nëse nuk frenohet emetimi i gazrave serrë.

Dy të tretat e akullnajave do të zhduken edhe nëse respektohen masat e miratuara sipas Marrëveshjes së Klimës në Paris, thuhet në studim./bbgreenkosova

Burimi: AFP
Foto: M. Funk/wgms.ch/

Leave a Reply