Shkencëtarët: Panjeve u duhet mbrojtje serioze
Është muaji kur, mbase kah fundi i tij, sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të marrë pamje shumë të bukur të drunjve me gjethe të kuqrreme. Janë një nga shumë lloje panjesh (lat. Acer). Por, në pyjet e Kosovës panjat, sidomos një lloj i tyre – panja malore (Acer heldreichii Orph), sipas publikimit “Biodiversiteti i Kosovës”, është i rrezikuar.
Por, shkencëtarët tërheqin vërejtjen se madje çdo i pesti lloj i panjeve në natyrë u kërcënohet zhdukje, sipas vlerësimit të parë të rrezikut për pemën, e cila është zbukurim i shumë kopshteve dhe nga kënaqësitë e natyrës me gjethet e saj intensive të vjeshtës.
Por, në habitatet natyrore, ato përballen me një numër kërcënimesh, duke përfshirë prerjet e paqëndrueshme, ndryshimet klimatike, shpyllëzimet dhe zjarret në pyje.
Botanistët po bëjnë thirrje për veprim urgjent për të mbrojtur pemët e rralla të panjave dhe thonë se farat duhet të mbahen si sigurim kundër zhdukjes së tyre.
Vlerësimi i të gjitha 158 specieve të panjeve është pjesë e një përpjekjeje për të regjistruar sistematikisht statusin e të gjitha specieve deri në fund të vitit 2020 dhe po kryhet nga grupi Konservimi ndërkombëtar i kopshteve botanike (Botanic Gardens Conservation International).
Drejtuesi i grupit Dan Crowley tha për BBC: “Panja janë ndër pemët më të njohura, sidomos në vjeshtë kur ato kanë gjethe të bukura të verdha, portokalli, të kuqe dhe vjollcë”.
Ai tregon se, megjithëse janë të zakonshme në hapësirat tona publike ku vlerësohen, disa lloje janë shumë të rrezikuara nga natyra.
Shkencëtarët thonë se veprimi është i nevojshëm për të siguruar që mbrojtja zbatohet në pyjet e panjeve, dhe farat e specieve të rralla duhet të mblidhen dhe të ruhen në kopshte botanike, sepse ajo që shohim në kopshte dhe parqe është vetëm një pjesë e vogël e specieve që ekzistojnë në natyrë.
Aktualisht, 14 specie panje, duke përfshirë katër që janë në prag të zhdukjes, nuk ekzistojnë në arboretume dhe kopshte botanike.
Dan Crowley thotë se ne jemi përgjegjës për kërcënimet me të cilat përballen disa specie, përfshirë zhvillimin urban, bujqësinë, prerjet dhe duke pasur parasysh që kemi aftësinë për t’i ruajtur ato specie në natyrë, duhet ta bëjmë këtë.
Kina ka më shumë specie të panjeve, madje 92.
Speciet e panjeve të rrezikuara gjenden gjithashtu në pjesë të tjera të Azisë dhe Amerikës./bbgreenkosova
Burimi: Hina
Foto: Pixabay, BB Green Kosova