Fëmijët në Portugali padisin 33 vende për ndotje
Janë paditur 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, plus Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Norvegjia, Rusia, Turqia dhe Ukraina
Suedezja Greta Thunberg, e njohur tash botërisht, nuk është adoleshentja e vetme, e cila ngre zërin kundër ndotjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Gjashtë aktivistë të rinj portugezë kanë filluar një proces gjyqësor kundër 33 shteteve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përpjekjen e fundit për t’i detyruar ato që të forcojnë luftën kundër ndryshimit të klimës.
Gjashtëshja në padi i kërkojnë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të kërkojë llogari nga shtetet për përpjekjet e tyre të pretenduara joadekuate për të zvogëluar emetimet e ndotësve, edhe pse ato janë zotuar për këtë.
Aktivistët pretendojnë se mosrespektimi i ndryshimeve klimatike kërcënon mirëqenien e tyre fizike dhe mendore, duke shkelur të drejtat e tyre për jetë dhe të familjeve të tyre.
Ata kanë mbështetjen e organizatës ndërkombëtare jofitimprurëse “Global Legal Action Network”, e cila ndjek shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe një ekipi prej pesë avokatësh londinezë.
Janë paditur 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, plus Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Norvegjia, Rusia, Turqia dhe Ukraina.
Gjashtë aktivistët portugezë janë midis 12 dhe 21 vjeç, katër prej të cilëve jetojnë në pjesën qendrore të vendit, ku zjarret në pyje, pjesërisht fajtorë për ndryshimin e klimës, vranë më shumë se 100 njerëz në vitin 2017. Dy të tjerët jetojnë në Lisbonë, një qytet bregdetar i kërcënuar nga nivelet në rritje të Oqeanit Atlantik.
Nëse aktivistët fitojnë kontestin në gjykatën e Strasburgut, në Francë, vendet e pandehura do të ishin të detyruara ligjërisht të ulnin emetimet e gazit në përputhje me kërkesat e Marrëveshjes së Klimës së Parisit të vitit 2015.
Ato gjithashtu duhet të adresojnë rolin e tyre në ndotjen globale, duke përfshirë kompanitë e tyre shumëkombëshe.
“Ne e shohim këtë rast si mbështetje për Marrëveshjen e Parisit,” tha Gary Liston, një zyrtar ligjor në “Global Legal Action Network”, gjatë një konference online për shtyp.
Shkencëtarët thonë se emetimet e gazrave serrë nga aktivitetet njerëzore, siç është dioksidi i karbonit, duhet të ndalen plotësisht më së voni deri në vitin 2050, në mënyrë që temperatura globale të mos e tejkalojë pragun prej 1.5 gradë Celsius, të përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit për klimën.
Çështja portugeze është e dyta pas një të mëhershme në Holandë, ku paditës është një grup mjedisor “Urgenda” në emër të 900 qytetarëve holandezë të shqetësuar për pasivitetin e qeverisë në lidhje me ndryshimin e klimës.
Ata thonë se mbrojtja nga efektet potencialisht shkatërruese të ndryshimit të klimës është një e drejtë e njeriut dhe se Qeveria ka për detyrë të mbrojë qytetarët e saj.
Në dhjetor, Gjykata e Lartë në Hagë vendosi në favor të tyre.
Gjithashtu, 16 fëmijë, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg, vitin e kaluar i paraqitën një ankesë Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve në shenjë proteste ndaj mungesës së veprimit nga shtetet në lidhje me krizën e klimës./bbgreenkosova
Burimi: AP
Foto: Zjarr në Monchique në Portugali më 2018 (Filipe Farinha/EPA)