S’ka të ndalur gjuetia, kaprolli i rrezikuar me zhdukje në Kosovë

Njeriu dhe natyra

Habitatet e kaprollit (Capreolus capreolus Linnaeus, 1758) janë bukur të shumëta në Kosovë. Në Librin e kuq të të faunës së Kosovës thuhet se popullata të këtij lloji ka në Rugonë, përkatësisht në Shkrel e Malaj, pasta në Mushtisht, në Bjeshkët e Junikut, Kaçandoll, Svilen, Llanisht, Nikoc, Jezerc, Vilan, Tunaj, Bjeshkët e Strellcit, Bjeshkët e Belegut e Kozhnjer.

Por, derisa trendi i nënpopullatave të tij është i qëndrueshëm në nivel global, në Kosovë është lloj në rënie dhe i kërcënuar për zhdukje.

Kjo kafshë e urtë dhe e brishtë, përshkruhet se gjatë stinës së verës ka ngjyrë të kuqërreme të trupit, kurse gjatë dimrit kafe e mbyllët apo e përhime. Gjatësia trupore sillet prej 0.9 – 1.3 m, lartësia midis 66 – 88 cm dhe pesha trupore prej 15 – 35 kg. Mashkulli ka brirë me gjatësi prej 20 – 25 cm, të mbështjellë me një shtresë lëkurore, të cilët ndërrohen periodikisht.

Është shtazë më shumë aktive natën se sa ditën. Nuk migron e as bie në letargji. Ushqehet me një numër të madh të llojeve bimore, gjethe, fara, fruta, bulëza, barishte etj. Është pre e ujkut, rrëqebullit, dhelprës e grabitqarëve rë tjerë.

Jeton i vetmuar, por femra me pasardhësit jetojnë në grupe më të mëdha familjare ose më të vogla, në varshmëri edhe nga biotopi dhe dendësia e popullatës. Jetëgjatësia e këtij lloji është deri në 15 vjet.

Jeton në pyje, shkurrë e kullosa në tërë Evropëm dhe në Azi.

Ekspertët kanë vlerësuar se popullata e këtij lloji ka qenë në rënie edhe më herët, ndërsa, bazuar në vëzhgim, rënia po vazhdon për shkak se shkaktarët e rënies nuk kanë ndaluar.

Pos grabitqarëve, sëmundjeve gjenetike dhe degradimit të ambientit, kaprolli është i rrezikuar drejtpërdrejt edhe nga gjuetia dhe përndjekja nga njeriu për qëllime të ndryshme./bbgreenkosova

Burimi: Libri i kuq i faunës
Foto: Realtree, Wikipedia

Leave a Reply