Lulebasani, ilaç natyral kundër depresionit

Bimët

Hypericum perforatum L., lulebasani apo e njohur në rajon me emrin kantarion, është ilaç natyral kundër depresionit, por nuk duhet të përdoret bashkë me ilaçe tjera kundër depresionit.

Pamja e bimës dhe vendbanimi. Lulebasani (Hypericum perforatum L.) është bimë barishtore shumëvjeçare e lartë deri 1 m. Kërcellin e ka vertikal, të fortë dhe të degëzuar. Gjethet janë të imëta, të kundruellta, gjatësore në formë eliptike, lakuriqe, buzëplota. Shikuar në dritë gjethet duken të vrimëzuara prej shumicës së gjëndrrave të vajit eterik që përmban. Në maje të degëzave dhe kërcellit ndodhen lulesat e përbëra prej luleve të rregullta me ngjyrë të verdhe të artë. Fryti është kapsollë. Kjo bimë lulëzon gjatë tërë verës.

Lulebasani rritet gjithkund nëpër livadhe, skaj rrugëve, nëpër rrahishta e vende tjera.

Droga. – Pjesa mbitokësore e lulebasanit (Hyperici herba). – Pjesa mbitokësore e bimës në lulëzim pritet me thikë ose me gërshërë në mot të bukur e të thatë. Pasi që kërcyelli i lulebasanit është i fortë dhe rrypak, këputja me dorë nuk është mënyrë e preferuar, sepse bima nxirret lehtë prej toke bashkë me rrënjë. Pjesët e mbledhura thahen në hije në vend të ajrosur ose në tertore në temperaturë deri 40 °C, të shtrira në shtresë të hollë pse të lidhura në tufa.
Prej 4-5 kg pjesë të njomë fitohet rreth 1 kg pjese mbitokësore të thatë.
Droga duhet ta ruajë ngjyrën natyrale të gjlebër në të gështenjtë, erën ballsamore me shije të hidhur në të athët.
Paqetohet në thasë jute ose presohet në dëngje. Ruhet në vende të thata dhe të errëta. Droga është e mirë nëse përmban shumë lule dhe gjethe.

Lulebasani (kantarioni) – Foto: BB Green Kosova

Përbërja kimike dhe përdorimi. – Lulebasani përmban tanine, vaj eterik dhe materie tjera. Në popull përdoret së jashtmi për prerje dhe djegie, ndërsa së brendshmi për shërimin e dhimbjes së barkut, kundër barkqitjes. Vaji i lulebasanit vepron në mënyrë antiseptike. Në kohë të fundit përdoret në kozmetikë për përfitimin e pastave dhe pomadave.

Çaji prej luleve dhe gjetheve të reja përdoret kundër tendosjes e depresionit, por nevojitet kohë e gjatë për ta përdorur dhe nuk bën të kombinohet me antidepresivë të tjera, prandaj për këtë duhet konsultuar edhe me mjekun. Lajm i mirë është se shijen nuk e ka të keqe, siç ndodhë zakonisht me bimët shëruese e çajat.

Prej luleve të lulebasanit bëhet uji lulor i Bachut, i cili përdoret për pasiguri, mungesë së vetëbesimit dhe frikës nga e panjohura.

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply