Shqetësim në BE: Dështojnë planet për riciklimin e mbeturinave plastike?
Anembanë Evropës po rritet shqetësimi se rënia e çmimit të naftës, i shkaktuar nga pandemia Covid-19 mund të bëjë që të mos ketë kërkesa për plastikë të recikluar, mirëpo të dhënat ende nuk janë kompletuar për atë se si ka ndikuar epidemia në grumbullimin e mbeturinave plastike, ka thënë komesari evropian për mjedis, Virginius Sinkevicius.
Meqë karantina në tërë botën kanë ndikuar në rënien e çmimeve të karburanteve fosile, çmimet e naftës kanë rënë sivjet, kështu që madje edhe plastika e re është bërë më e lirë se ajo e recikluar, shkruan agjencia Reuters.
Kjo mund të ndikojë negativisht në planet e BE-së që të nxitet reciklimi i këtij materiali i cili shpërbëhet vështirë.
BE “grumbullon” rreth 26 milionë tonelata mbeturina plastike çdo vit. Vetëm 30 përqind e saj riciklohet.
“Jemi të shqetësuar për shkak të mundësisë së çrregullimit të tregut të reciklimit të plastikës, të shkaktuar nga çmimi i ulët i naftës së papërpunuar, por edhe për shkak të grumbullimit të maskave e dorëzave për një përdorim”, ka thënë për Reutersin Sinkevicius.
“Në këtë çast ende nuk kemi mjaft të dhëna të mbledhura, në bazë të të cilave do të mund të nxirnim përfundime të besueshme rreth ndikimit të krizës së koronës në grumbullimin e mbeturinave të plastikës, sortimit të tyre, reciklimit apo hedhjes”, ka shtuar ai.
Pandemia ndalon “objektivat e gjelbërta”
Impiantet për riciklimin e plastikës në të gjithë Evropën janë detyruar të zvogëlojnë operacionet gjatë pandemisë, dhe disa thonë që kërkesa ka rënë sepse klientët thjesht refuzuan të ashtuquajturat “objektiva të gjelbërta”, për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi.
Tash për tash, kompanitë mbeten ende në rrugën e rekomanduar të BE -së për të arritur qëllimin e përdorimit të 10 milionë tonelata plastikës së ricikluar në prodhimin e produkteve të reja deri në vitin 2025, tha Sinkevicius.
Ai shtoi se Komisioni Evropian pranoi “relativisht pak” kërkesa nga kompanitë për t’u përjashtuar ose për t’ua zgjatur afatin objektivin e përmendur, për shkak të krizës së kovidit, por disa vende kishin probleme për ta arritur atë edhe para pandemisë.
BE vitin e ardhshëm do të ndalojë disa lloje plastik për një përdorim, dhe udhëheqësit e saj ranë dakord muajin e kaluar për të vendosur një taksë për mbeturinat plastike të riciklueshme, në mënyrë që të mbledhin para për rikuperimin e Unionit nga kaosi ekonomik i shkaktuar nga virusi, shkruan Reuters.
Sinkevicius tha se për sektorin e riciklimit do të mund të ndahej nga fondi i BE-së për rimëkëmbje nga koronavirusi, i cili arrin në 750 milionë euro./bbgreenkosova
Burimi: Reuters
Foto: BB Green Kosova