Studim i ri: Çfarë ishin përmbytjet në 500 vitet e fundit?

Më të rejat

Në tri dekadat e fundit, Evropa është shkatërruar nga përmbytjet më të mëdha të lumenjve në pesë shekuj, ka treguar qartë një studim i madh ndërkombëtar në Universitetin e Teknologjisë në Vjenë (TU Wien) që përfshinë 34 grupe kërkimore nga pjesë të ndryshme të Evropës.

Studimi tregon gjithashtu për herë të parë që karakteristikat e përmbytjes në dekadat e fundit ndryshojnë nga ato të shekujve të kaluar në përmasa, temperatura e ajrit dhe sezonaliteti, sipas një artikulli të botuar të enjten në revistën Nature.

Përmbytjet janë më të mëdha se më parë në shumë vende, intervali kohor ka ndryshuar dhe marrëdhënia midis shfaqjes së përmbytjeve dhe temperaturës së ajrit është e përmbysur. Në të kaluarën, përmbytjet kanë ndodhur më shpesh në periudha të ftohta, ndërsa sot ngrohja globale është një nga nxitësit kryesorë të rritjes së tyre, thotë një artikull i nënshkruar nga më shumë se 40 bashkautorë nga pjesë të ndryshme të Evropës.

Të dhëna historike për gjysmë mileniumi

Një nga autorët e botimit Alberto Viglione nga Politekniku i Torinos thotë në një kumtesë të veçantë që studiuesit nga hulumtimet e mëparshme e dinin tashmë se si ndryshimi i klimës ka ndikuar në përmbytjet e Evropës në 50 vitet e fundit, por që është e rëndësishme të kuptohet nëse kjo është një situatë krejtësisht e re, ose thjesht një përsëritje e diçkaje që ka ndodhur tashmë.

“Ne kemi hulumtuar në hollësi këtë çështje dhe tani mund të themi me siguri: Karakteristikat e përmbytjeve të dekadave të fundit nuk janë të ngjashme me ato të shekujve të mëparshëm,” thotë Viglione.

Andrea Kiss nga Universiteti i Teknologjisë në Vjenë tregon se studimi analizoi dhjetëra mijëra dokumente historike që përmbajnë raporte për përmbytjet nga viti 1500 deri më 2016, dhe se ishte një sfidë e madhe të krahasosh tekste shumë të ndryshme nga periudha të ndryshme dhe rajone kulturore.

“Ne arritëm këtë krahasueshmëri duke i vendosur të gjitha tekstet në korniza të përshtatshme historike, duke tërhequr vëmendjen për hollësitë,” shpjegon ajo.

Përmbytjet tani funksionojnë ndryshe

Analiza e të dhënave identifikoi nëntë periudha me përmbytje të shpeshta dhe zona në të cilat ato ndodhën, ndër të cilat më të spikatura janë periudhat nga viti 1560 deri në 1580 në Evropën Perëndimore dhe Qendrore; nga viti 1760 deri në 1800 në pjesën më të madhe të Evropës; nga 1840-1870 në Evropën Perëndimore dhe Jugore, dhe nga 1990 deri në 2016 në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

“Studimi ynë tregon për herë të parë se mekanizmat themelorë të përmbytjes kanë ndryshuar: Në të kaluarën, përmbytjet kanë ndodhur më shpesh në kushte më të ftohta, ndërsa tani është e kundërta. Kushtet hidrologjike të së tashmes janë shumë të ndryshme nga ato të së kaluarës, “thotë Günter Blöschl, hidrolog në Universitetin e Teknologjisë në Vjenë.

Koha e përmbytjes brenda vitit ka ndryshuar gjithashtu. Më parë, 41 përqind e përmbytjeve të Evropës Qendrore kanë ndodhur në verë, e sot 55 përqind. Kjo lidhet me ndryshimet e reshjeve, avullimit dhe shkrirjes së borës dhe është një tregues i rëndësishëm për dallimin e rolit të ndryshimit të klimës në raport me faktorë të tjerë, si shpyllëzimi dhe menaxhimi i lumenjve, thekson ai.

Dëmi vjetor i shkaktuar nga përmbytjet e lumenjve në të gjithë botën vlerësohet në më shumë se 100 miliardë dollarë – dhe vazhdon të rritet.

Me gjithë këtë në mendje, Günter Blöschl thekson: “Menaxhimi i përmbytjes duhet të përshtatet me këto realitete të reja.”/bbgreenkosova

Burimi: Nature
Foto: globe.net

Leave a Reply