Katastrofë e re ekologjike në Rusi, lumenj acidi derdhen nga minierat e bakrit (Video)
Prokurorët rusë kanë filluar hetimin kundër një kompanie dhe uzinës që duhej të përpunonte dhe trajtonte acidin dhe mbetjet e materialit nga miniera e braktisur në Ural.
Pamjet e dronit të postuara nga një bloger rus i udhëtimit në llogarinë e tij në Instagram tregojnë një peizazh të ndritshëm portokalli pranë një minierë të braktisur të bakrit, afër fshatit Ljovik në Ural.
“Miniera është zhytur dhe tani lumenj acidi po rrjedhin prej saj, duke helmuar gjithçka që prekin”, ka shkruar blogeri rus.
“Prokurorët në rrethin Nizhny Tagil kanë filluar hetimin për trajtimin e ujërave të ndotura nga miniera e Levikinski,” i tha AFP zëdhënësja e gjykatës, Marina Kanatova.
Aktivisti për mbrojtjen e natyrës Andrej Volegov, i cili drejton organizatën Ecoplavo, ka shkruar në Facebook se ujërat e zeza duhej të ishin neutralizuar në një liqen të veçantë të rrethuar, i cili vërshoi për shkak të shirave të mëdha.
Volegov tashmë kishte paralajmëruar prokurorët vitin e kaluar dhe kishte marrë një përgjigje se kompania që duhej të përpunonte mbeturinat nuk ka marrë fonde të përshtatshme dhe për këtë arsye nuk ka mundur të blejë gëlqere të mjaftueshme për të neutralizuar acidin.
Mediat lokale deklarojnë se qeveria rajonale në Sverdlovsk kërkoi që miniera të mbyllet, por ajo u refuzua nga Moska sepse resurse të vlefshme ka ende në minierë.
Në fund të majit, në Rrethin arktik rus u derdhën 20,000 ton naftë, gjë që tregoi një problem të madh të ndotjes industriale në vendin më të madh në botë, sepse kompanitë përgjegjëse për katastrofat mjedisore morën gjoba të vogla, dhe mbeturinat e dëmshme mbetën të patrajtuara për muaj dhe madje vite./bbgreenkosova
Burimi: AFP
Foto: Screenshot