Koment: Bashkimi i paqëlluar i dy ministrive

Më të rejat

Nga Dush Gashi

Bashkimi i Ministrisë së ekonomisë me atë të Ambientit me rastin e zvogëlimit të numrit të ministrive nga qeveria e kaluar dhe pranimi i këtij fuzionimi edhe nga ministria aktuale është, thënë më së buti – i paqëlluar.

Janë këto dy ministri të rëndësishme, të cilat me veprimin e tyre të përbashkët mund të kontribuojnë për ndërtimin e shoqërisë së qëndrueshme dhe prosperuese, por, në shumë aspekte, këta dy sektorë janë në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe është e paimagjinueshme përbashkësia e tyre brenda një ministrie pa e lënë manash njërin prej tyre.

Është interesante dhe se e njëjta gjë është paralajamëruar se do të ndodhë edhe me formimin e qeverisë së re kroate, me ç’rast Ministria e deritanishme e atjeshme për mbrojtjen e mjedisit dhe ajo e Ekonomisë dhe e ndërmarrësisë bashkohen nën një kulm. Mirëpo, deri sa te ne kjo gjë ka kaluar në heshtje, atje javën e kaluar, ka reaguar Nisma e shkencëtarëve për klimën, madje me fjalë më të ashpra, duke e quajtur këtë paralajmërim si “rrënjësisht të paarsyeshëm dhe shqetësues”.

Shkencëtarët e kësaj organizate të shoqërisë civile kanë thënë se, për fat të keq, shumë tregues udhëzojnë në atë se në një organizim të tillë mbrojtja e mjedisit do të lëhej anash dhe se qysh tash, me bashkimin me energjetikën, “është reduktuar me të madhe”.

Në Apelin për aksion sistematik për klimën, ata tërheqin vërejtjen se ndryshimet gjithnjë e më evidente të klimës, të cilat po ndodhin mu për shkak të mosveprimit apo veprimit të orientuar keq në planin ndërkombëtar kanë shkaktuar krizë klimatike dhe se shumë shtete tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. “Është e palejueshme që Republika e Kroacisë të sillet sikur kjo ne nuk na intereson”, deri sa “Mesdheu qysh tash për përjeton pasoja më intensive të ndryshimeve klimatike në krahasim me pjesën tjetër të botës”.

Kosova, ndërkaq, përkundër se vend i vogël dhe i varfër, ka hise bukur të madhe në ndotjen e planetit me gazra serrë, ndërsa aktivitetet efikase për mbrojtjen e amnientit, pos atyre që financohen nga Bashkimi Evropian apo shtete të veçanta të tij dhe organizma të tjerë ndërkombëtare, pothuajse janë të pakonsiderueshme.

Muajin e kaluar, dhe atë jo për herë të parë, raporti i CEE Bankwatch tërhiqte vërejtjen se vendet e Ballkanit, duke numëruar ndër to edhe Kosovën, dy vjet pasi që kanë pasur obligim që të harmonizojnë punën e termocentraleve të tyre me thëngjill me Direktivën e BE-së për furrat e mëdha, jo vetëm që emisionin e dioksidit të sulfurit nuk e kanë zvogëluar, por madje edhe e kanë shtuar. Tash ai është për gjashtë herë më i lartë se sa është e lejuar me Planet kombëtare për zvogëlimin e emisioneve (NERP1) të cilat këto vende ia kanë dorëzuar Sekretariatit të komunitetit për energji. Në mënyrë me specifike, për termocentralin Kosova B thuhet se ka mbetur ndotësi kryesor i rajonit me pluhur, duke liruar 5.4 herë më shumë sesa tavani i maksimumi i emetimeve të tij.

Rreth një vit e gjysmë më parë, raporti i Komunitetit për energjinë me seli në Vjenë dhe rrjetit të organizatave joqeveritare të prira nga Aleanca për shëndet e mjedis jetësor (HEAL) si dhe organizatën evropiane për mbrojtjen e mjedisit “Europe Beyond Coal” tërhiqte vërejtjen se, sërish, 16 termocentrale në Ballkan, natyrisht duke përfshirë edhe ato të Kosovës, e ndotin regjionin dhe tërë Evropën më shumë se të gjitha 250 centralet tjera me thëngjill dhe se po bëhen “vrasës i padukshëm gjithnjë e më i rrezikshëm për tërë Evropën”. Hartuesit e raportit, sipas gazetës franceze Le Mond, tërhiqnin vërejtjen se “vendet të cilat bëhen të shurdhëra ndaj kërkesave për adresimin e problemeve të tilla mjedisore “duhet të ballafaqohen me ndalesë në procesin e integrimeve evropiane”.

Sigurisht, nuk janë këto problemet e vetme mjedisore të Kosovës, sepse të gjitha raportet flasin për menaxhim jo të duhur të mbeturinave, mungesë të impiantëve për ujërat e kanalizimit dhe rrjedhimisht edhe lumej të ndotur, për florë e faunë të rrezikuar, ndërsa Prishtina, tash e sa vjet, në stinën e dimrit hyn në listën e qyteteve me ajër më të ndotur në botë.

Por, mbase janë të mjaftueshme këto të dhëna për të parë se Ministria e ambientit nuk është mirë të mbetet nën hije dhe se çështjeve mjedisore në Kosovë duhet qasur seriozisht.

Në foto: Tymi nga termocentralet mbi Prishtinë e rrethinë (Foto: BB Green Kosova)

Leave a Reply