BB Green Kosova mbështetet nga Republika e Çekisë
BB Green Kosova si njësia e vetme e lajmeve kushtuar mjedisit mbështetet nga Ambasada e Republikës së Çekisë, në Kosovë, për të ndihmuar mediet e pavarura, në kuadër të projekteve transformuese, që është njëri nga parimet kryesore të politikës së jashtme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, për Ballkanin Perëndimor. Projekti transformues çek, në ndihmë medieve të lira në Kosovë, u nënshkrua nga udhëheqësi i Ambasadës së Republikës së Çekisë, në Prishtinë, Pavel Bílek.
BB Green Kosova është media e vetme në Kosovë e specializuar në prezantimin e temave për mjedisin. Ambasada e Çekisë në Kosovë, duke përmbush njërën nga përparësitë e politikës së jashtme të Republikës së Çekisë, për Ballkanin Perëndimor, ka miratuar kërkesën e BB Green për ta financuar raportimin e këtij mediumi për zhvillimet në shkatërrimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Republika e Çekisë ndër vite ka kontribuar për mjedisin në Kosovë përmes donacioneve të ndryshme, si në komunat e Podujevës, Fushë Kosovës e të Prishtinës. Një prej dhurimeve më të mëdha është ai në fshatin Mramor të Prishtinës, ku është hapur fabrika e dytë për pastrimin e ujërave të zeza që vijnë nga Mramori e derdhen në liqenin e Badovcit, në vlerë prej më shumë se 700 mijë euro.
Ky projekt i financuar nga Republika Çeke në kuadër të programit çek të bashkëpunimit dhe zhvillimit, është bërë në bashkëpunim me institucionet e Kosovës duke u bashkë financuar nga Komuna e Prishtinës dhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “ Prishtina”.
BB Green Kosova, po ashtu, në kuadër të këtij projekti do të prezantojë vlerat më të mëdha të natyrës së Kosovës, si dhe do të promovojë Konventën e Aarhusit edhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare për të drejtën elementare të qasjes në informata mjedisore./BBGreenKosova