Studimi: Sektori i ndërtimit mund të jetë që tash neutral ndaj CO2-shit

Më të rejat

Në sektorin e ndërtimit në të gjitha pjesët e botës, tashmë ka aftësi dhe teknologji të nevojshme për ndërtimin e ndërtesave me emetime të gazrave serrë zero, tregon hulumtimit i bërë nga studiues të Universitetit të Oksfordit, Universitetit të Evropës Qendrore dhe të tjerë.

Sektori i ndërtimit është përgjegjës për 39% të emetimeve të gazeve serrë në lidhje me energjinë, e cila është arsyeja pse ndërtimi i ndërtesave me emisione neto-zero ose minimale është një hap i rëndësishëm drejt bërjes së këtij sektori energjik-neutral. Duhet të theksohet se këtu nuk vërehet vetëm ndërtimi i objekteve, por edhe emetimet që ndodhin nga përdorimi.

Arritja e emetimeve neto-zero në sektorin e ndërtimit është thelbësore për arritjen e qëllimeve klimatike. Ndërtimi dhe rinovimi i qëndrueshëm i ndërtesave në mënyrë që ato të jenë me efikasitet energjetik janë gjithashtu një burim i vendeve të reja të punës dhe janë identifikuar si një pjesë kryesore e rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia.

Hulumtimet kanë treguar se ndryshimet mund të ndodhin në një kohë shumë të shkurtër. Për shembull, Brukseli ka transformuar ndërtesat e tij nga ato me efikasitetin më të ulët të energjisë në ato më të mirat në të gjithë Evropën, në vetëm 7 vjet.

Qytetet në të gjithë botën, përfshirë Brukselin, Nju Jorkun, Vankuverin dhe Tirolin, motivojnë kompanitë e ndërtimit që të kthehen në këtë mënyrë ndërtimi për të mundësuar sukses në treg të ndërtesave me efikasitet energjetik. Në Kinë, për shembull, më shumë se 7 milionë metra katrorë hapësirë banimi dhe komerciale me afërsisht zero-emetime u ndërtuan kohët e fundit.

Gjithashtu, rezultatet e hulumtimit tregojnë se kostoja e ndërtesave të qëndrueshme mund të jetë e barabartë ose edhe më e ulët se kostoja e ndërtimit me metoda tradicionale.

Drejtorja e Qendrës për ndryshimin e klimës dhe politikën e energjisë së qëndrueshme në Universitetin e Evropës Qendrore Diana Urzh-Vorshac vuri në dukje se ky hulumtim tregon se në të gjitha pjesët e botës, në të gjitha kushtet klimatike është e mundur të ndërtohen ndërtesa me emisione neto-zero, dhe se ky parim është i zbatueshëm për të gjitha llojet e ndërtesave.

Sipas saj, ekzistenca e ndërtesave me efiçiencë të energjisë në treg do të jetë një faktor kyç në një ekonomi me klimë-neutrale. Mirëpo, duke pasur parasysh që sektorit të ndërtimit i duhet shumë kohë për të ndryshuar dhe përshtatur, kjo teknologji duhet të bëhet tashmë një praktikë standarde nëse duam që të gjitha ndërtesat të kenë emisione neto-zero nga mesi i shekullit.

Kërkimet nga Universiteti i Oksfordit kanë treguar se çelësi për arritjen e emetimeve neto-zero është maksimizimi i efikasitetit të energjisë me përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë për të përmbushur nevojat e mbetura të energjisë. Përdorimi i materialeve të rinovueshme, të tilla si druri, gjithashtu mund të ndihmojë në uljen e emetimeve të gazeve serë./bbgreenkosova

Burimi: University of Oxford
Foto: RPI

Leave a Reply