“Nesër mot me diell, ajri mesatarisht i ndotur…”
Bashkë me parashikimin e motit, mund të jipet edhe raporti për cilësinë e ajrit. Këtë e mundëson sistemi automatik i monitorimi i cilësisë së ajrit dhe raportet jepen edhe online në kohë reale, por edhe parashikimi. – Çfarë është cilësia e ajrit në Kosovë?
“Nesër në Kosovë do të mbretërojë kryesisht mot me diell, ndërsa ajri në disa zona urbane do të jetë mesatarisht i ndotur…”. Ka kohë që përafërsisht kështu mund të fillojë parashikimi i motit bashkë njoftimin për cilësinë e ajrit, për shkak se, tashmë në Kosovë ekziston sistemi automatik i monitorimit të cilësisë së ajrit, ndërsa pak qytetarë e dinë se raportimet e këtij sistemi publikohen edhe online dhe ka edhe parashikime për ditët në vazhdim. Vetëm portali i motit Accuweather, bashkë me të dhënat për temperaturën, shtypjen e ajrit, shpejtësinë e erës e parametra të tjerë meteorologjikë, tashmë njoftimeve të saj për motin ua ka shtuar edhe cilësinë e ajrit.
Nga viti 2009 Ministria e atëhershme e mjedisit dhe e planifikimit hapësinor (tashmë e fuzionuar me atë të ekonomisë) dhe Agjencia për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës kanë filluar me instalimin e sistemit të monitorimit automatik të ajrit dhe tash ky sistem ka 12 stacione fikse të monitorimit dhe një mobil. Stacionet fikse janë të vendosura pranë Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në rrugën “Bill Klinton” dhe para ish-Palllatit të shtypit, të dyja në Prishtinë, pastaj në Obiliq, Dardhishtë, Palaj, Pejë, Prizren, Hani i Elezit, Gjilan, Drenas, Mitrovicë dhe Brezovicë.
Gjatë vitit të kaluar është lansuar edhe sistemin për raportimin online të rezultateve për cilësinë e ajrit që monitorohen nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Softueri për raportimin e të dhënave për cilësinë e ajrit është kompatibil me Indeksin e kualitetit të ajrit në Evropë dhe prezanton të dhënat e monitorimit të 5 indikatorëve kryesor në 12 stacione të monitorimit të cilësisë së ajrit. Me këtë, tash edhe Kosovën e gjejmë në hartën e Evropës për cilësinë e ajrit dhe mund të bëjmë krahasime se si është gjendja në vendin tonë në krahasim me shtetet tjera të regjionit apo edhe të tërë kontinentit.
Në sistemin e të dhënave për cilësi të ajrit në kohë reale mundësohet qasje duke klikuar direkt në linkun e sistemit të të dhënave në faqen në internet të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës; përmes faqes së Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës, përmes faqes së Ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor; apo edhe përmes linkut të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Investimet në përmirësimin e sistemit për monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit po vazhdonë edhe me mbështetje shtesë nga Qeveria amerikane përmes Programit të Korporatës së sfidave të mijëvjeçarit (MCC) dhe nga Qeveria japoneze përmes Agjencisë ndërkombëtare japoneze për Zhvillim (JICA).
Stacionet monitoruese bëjnë monitorimin e grimcave të pluhurit (particulates matter; PM10, PM2.5), oksideve të azotit (NO/NO2), dioksidit të sulufurit (SO2), ozonit (O3) dhe oksideve të karbonit (CO).
Në bazë të Ligjit për mbrotjen e ajrit nga ndotja janë përcaktuar edhe informimi dhe kufijtë e alarmit për cilësinë e ajrit. Për shembull, për dioksidin e sulfurit pragu alarmues është nëse sasia e këtij gazi arrinë në 500 miligramë për metër kub, për dioksidin e azotit pragu është në 400 miligramë për metër kub.
Varësisht nga përqëndrimi i këtyre gazrave në ajër, cilësia e ajrit vlerësohet si “shumë e mirë” (ngjyra në tabelë është e kaltër), e mire (ngjyra e gjelbër), e moderuar (e verdhë), e pashëndetshme (e kuqe e ndritshme) dhe e rrëzikshme për shëndetin (e kuqe e errët).
Agjencioni për mbrotjen e natyrës për çdo vjet e bën edhe raportin vjetor për gjendjen e ajrit në Kosovë, gjë që pritet ta bëjë edhe sivjet. Meqë nuk ka pasur njoftime për ndonjë investim serioz në industrinë ndotëse në aspekt të zvogëlimit të emetive të materieve ndotëse dhe nga autoritetet, pos ndalimit të shitjes së thëngjillit në Prishtinë, nuk është ndërmarrë ndonjë masë tjetër, është vështirë të pritet të ketë ndonjë përmirësim të cilësisë së ajrit këtij dimri, pos nëse kushtet meteorologjike do të jenë më të favorshme.
Vitin e kaluar, ndërkaq, siç thuhet në raport, presionet në mjedis nga faktorët e ndryshëm ndotës kanё ndikuar që në periudha tё ndryshme kohore të vitit të kemi përkeqësim të cilёsisё sё ajrit. Në vitin 2019, ndotja e ajrit është vlerësuar mё e lartë në vendet urbane, që sipas vlerësimeve të tё dhënave janë: Prishtina, Obiliqi, Drenasi, Hani i Elezit, Mitrovicё etj.
Gjatë dimrit të kaluar kishte vlera shumё tё larta tё pluhurit nё formё PM 10 dhe PM2.5 nё disa lokalitete të vendit. Tejkalime tё theksuara tё vlerave kufitare kishte pothuaj nё shumicën e stacioneve monitoruese, pёrveҫ nё Brezovicё. Kёto tejkalime ishin gjatё muajit janar, shkurt, tetor, nëntor dhe dhjetor 2019.
Nё fakt niveli i ndotjes se ajrit nё tёrё territorin e Kosovës gjatë vitit 2019 nuk dallon nga niveli i ndotjes sё ajrit nё vitin paraprak, pёr faktin se burimet sektorale tё ndotjes sё ajrit janё pothuaj tё njëjta. Në raport përshkruhen edhe kushtet meteorologjike, të cilat mbretëruar në në muajt e pёrmendur, e të cilat ndikojnë që ndotja të jetë më e madhe. Situata të tilla janë kur nuk ka erë, përkatësisht lëvizjet e masave ajrore ishin me intensitet tё ulёt (mё pak se 2 m/sec), temperatura tё ndryshueshme (2-15 °C), shtypje atmosferike e lartё (1013-1016 hPa) dhe pa reshje.
Nё kёto kushte meteorologjike vie deri te i ashtuquajturi inverzion i temperaturёs, i cili e mban ndotjen mbi territorin nё tё cilin mbretёrojnё kushtet e tilla. Me këto kushte atmosferike në pjesët urbane, ku ka trafik tё dendur, lëvizje tё automjeteve të vjetra, ngrohje të ndërtesave me thëngjill, dru e pelet, ndikojnë në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit.
Sa u takon parametrave SO2, CO dhe ozon lehtë konstatohet se nuk kishte tejkalim tё vlerave maksimale të të lejuara.
Vlera tё rritura (tё kohёpaskohshme) tё pёrqendrimit tё NO/NO2 kishte nё aglomeracionin AKS1, i cili përfshinë zonën e stacioneve të monitorimit nё IHMK, Rilindje, Obiliq, Dardhishtё dhe Palaj. Nё Zonёn Kosova 1 (ZKS1), në të cilin përfshihen Hani i Elezit, Gjilani dhe Prizreni kishte tejkalime tё vlerave tё NO2-shit.
Dy Termocentralet Kosova A dhe Kosova B janë një nder ndotësit më të mëdhenjë edhe gjatë vitit 2019 në Kosovë, pasojnëFeronikeli, Sharrcemi, industria e metaleve në Mitrovicë etj.
Niveli i lartë i ndotjes ka reflektuar edhe më numrin e madh të pacientëve me sëmundje respiratore dhe ato kardiovaskulare. Në rajonin e Prishtinës, numri i qytetareve me sëmundje respiratorë ka rezultuar me 167550 raste, ndërsa me sëmundje kardiovaskulare janë regjistruar 54784 raste. Në Fushë Kosovë, me sëmundje respiratore janë regjistruar 29522 raste ndërsa me sëmundjet kardiovaskulare janë regjistruar 20331 banorë. Edhe në rajonin e Obiliqit dhe Drenasit janë regjistruar një numër i lartë i rasteve me sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare. /D. Gashi
Burimi: AMM
Foto: aqicn.org (Screenshot); BB Green Kosova
Ndotësit dhe ndikimi i tyre në shëndet e mjedis
SO2 – Dioskidi i sulfurit është gaz toksik me veti acidike, pangjyrë dhe erë të fortë. Burimet kryesore prej nga prodhohet ky gaz janë kapacitetet energjetike dhe ngrohtoret, të cilat shfrytëzojnë si lëndë djegëse naftën dhe thëngjillin me cilësi të dobët e të cilat përmbajnë sulfur.
Ndikimet në shëndet dhe mjedis. Janë të njohura efektet në zvogëlimin e volumit pulmonar, rritja e rezistencës së frymëmarrjes dhe simptome të tilla si pengesa në frymëmarrje, ngushtime në gjoks dhe zvogëlim të ritmit të frymëmarrjes. Mund të shkaktojë kokëdhimbje dhe iritime të hundës. Dyoksidi i sulfurit është ndër shkaktarët kryesor i të ashtuquajturave shirat acidike, të cilat përshpejtojnë korrozionin e objekteve të ndërtimit dhe acidifikimin e dheut, liqeneve dhe rrjedhave të lumenjve.
CO – Monoksidi i karbonit. Është gaz shumë helmues dhe i djegshëm. Kryesisht është produkt i djegies jo komplete të karbonit në lëndët djegëse. Konsumimi i duhanit në objekte të banimit, në zyre, makina dhe restorante e rrit përqendrimin e monoksidit të karbonit.
Ndikimet në shëndet dhe mjedis. Qëndrimi i zgjatur në mjedis ku është prezent CO mund të zvogëlojë sasinë e oksigjenit për frymëmarrje deri në masën sa njeriu humb vetëdijen si shkak i mungesës së oksigjenit.
Monoksidi i karbonit kontribuon në efektin e gazrave serrë dhe ngrohjen globale.
NO2 – Dioksidi i azotit (përfaqëson rreth 80% të NOx). NO2 është gaz toksik, i cili kryesisht vjen nga djegia e karburanteve në makina, ngrohtore individuale e kolektive dhe nga termocentralet.
Ndikimet në shëndet dhe mjedis. Oksidet e azotit kanë efekte të theksuara në mushkëri por edhe në organet tjera si në mëlçi dhe shpretkë. Në gjak ka aftësi për krijim të meta hemoglobinës, e cila nuk lejon transportimin e oksigjenit. Gazrat nitroze në ajër mund të shndërrohen në shira acidike. Gjithashtu NO dhe NO2 janë kontribues në hollimin e shtresës së ozonit.
O3 – Ozoni. Është substancë me toksicitet të lartë e veti korrozive të theksuara dhe njihet si ndotës i zakonshëm.
Ozoni formohet në atmosferë nga reaksioni mes oksideve të azotit, hidrokarbureve dhe dritës së diellit. Shumë nga pajisjet elektrike, si për shembull, televizorët, fotokopjuesit dhe motorët elektrik (që shfrytëzojnë brushat), prodhojnë sasi të tilla të ozonit sa njeriu shumë lehtë mund t’i nuhas si aromë.
Ndikimet në shëndet dhe mjedis. Ndikimet akute përfshijnë simptomet në sistemin respirator, ndryshime në funksionimin e sistemit pulmonar, rritje e ndjeshmërisë respiratorë dhe inflamacione respiratore. Ozoni dëmton bimësinë dhe pyjet (efekti i fotooksidimit), prishjen e pamjes së qyteteve, parqeve nacionale dhe hapësirat për rekreacion.
PM10/PM2.5 – Grimcat e pluhurit. Këto dy lloje të grimcave nuk janë komponime të veçanta, por përqendrimi i masës së suspenduar në ajër që kanë diametër më të vogël se 10 µm (PM10) ose diametër më të vogël se 2.5 µm (PM2.5). Posaçërisht në lokalitetet me trafik të dendur kur këta parametra tejkalojnë pragjet e lejuara apo vlerat maksimale të lejuara, për publikun dhe popullsinë janë me rëndësi të veçantë.
Ndikimet në shëndet dhe mjedis. Një numër i madh i studimeve tregojnë ndikime afatshkurta në sistemin kardiovaskular, të cilat ndërlidhen me PM-të, ndërsa ndikime direkt në një numër të sulmeve në zemër janë argumentuar se shkaktohen nga prezenca e PM-ve në ajër. Efekte afatgjata konsiderohen grimcat e pluhurit PM, të cilat kanë përmbajtje toksikologjike e të cilat sulmojnë sistemin respirator dhe zvogëlim të imunitetit për shkak të depërtimit të PM-ve në thellësi të mushkërive dhe në pjesët bronkiale.
Smogu – Është fenomen i ajrit të ndotur. Fjala smog vjen nga anglishtja smoke = tym dhe fog = mjegull.
Smogu paraqitet në qytetet e mëdha, gjatë vjeshtës dhe dimrit, ku dominojnë ndotës të mëdhenj në një hapësirë të vogël (industria, nxemjet qendrore, gazrat e liruara nga djegiet e motorëve të automobilave, nxemjet individuale, etj.). Mungesa e erërave e shton edhe më shumë ndotjen me prezencёn e smogut.
Smogu posaçërisht është i dëmshëm për të sëmurit nga astma, për tё moshuarit dhe fëmijët. Së voni është paraqitur edhe termi “smogu elektronik”. Me këtë nënkuptohet ndotje të ndryshme, të cilat kanë prejardhje nga aparatet elektrike dhe elektronike, si nënstacionet, largpërçuesit, stacionet e telefonisë mobile, emetuesit radio dhe televiziv,ë por edhe gypat e neonit, tharëset e flokëve, mikrovalët, elektromotorët e ndryshëm, monitorët, etj. (AMM)