Centralet e erës dhe panelet diellore prodhojnë 10 përqind të energjisë elektrike në botë
Centralet e erës dhe panelet diellore prodhuan 10 përqind të energjisë elektrike në botë në gjysmën e parë të vitit 2020, ndërsa prodhimi i energjisë me qymyr të djegur po bie, tregon një raport i së enjtes.
Shkencëtarët paralajmërojnë se shkurtime më të mëdha të gazrave serë në sektorin e energjisë janë të nevojshme në dekadën e ardhshme për të kufizuar ndryshimin e klimës dhe pasojat e saj negative si përmbytjet, thatësirat dhe humbja e biodiversitetit.
Prodhimi i energjisë elektrike nga centralet e erës dhe panelet diellore është rritur për 14 përqind në gjysmën e parë të vitit 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa 8.3 përqind më pak energji elektrike erdhi nga termocentralet me qymyr, sipas një raporti nga qendra e pavarur think-tank Ember.
Në përgjithësi, kërkesa për energji elektrike ka rënë për 6 përqind gjatë gjashtë muajve të parë të pandemisë së virusit korona, thuhet në raport.
Megjithë rënien, termocentralet e qymyrit ende prodhojnë 33 përqind të energjisë elektrike në botë.
“Për të ruajtur mundësinë e mbajtjes së ngrohjes së Tokës në 1.5 gradë Celsius, prodhimi i energjisë me qymyr duhet të bjerë me 13 përqind çdo vit këtë dekadë,” tha analisti i Emberit, Dave Jones.
Përqindja më e lartë e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme është në Evropë (21 përqind) dhe në Mbretërinë e Bashkuar (33 përqind). Kina është në 10 përqind dhe Shtetet e Bashkuara me 12 përqind.
Prodhimi i qymyrit ka rënë 31 përqind në Shtetet e Bashkuara, 32 përqind në Evropë dhe vetëm dy përqind në Kinë.
Raporti i Ember-it ka analizuar të dhënat nga 48 shtete që përbëjnë 83 përqind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike./bbgreenkosova
Burimi: Ember
Foto: rikurenergy