
Pasojat e pandemisë: Shkatërrimi i pyjeve është shtuar për 77 për qind
Pamjet satelitore tregojnë se rajonet ku ky trend është më i theksuar janë Azia, Afrika dhe Amerika Latine
Pos pasoja në njerëz e në ekonomi, gjatë pandemisë së virusit korona duket se e kanë pësuar edhe pyjet e botës.
Që nga fillimi i pandemisë, shpyllëzimi është rritur për 77 përqind në krahasim me vlerën mesatare nga periudha 2017-2019, thuhet në raportin e ri nga laboratori The Global Land Analysis and Discovery (GLAD) nga Universiteti i Merylandit.
GLAD erdhi në këto të dhëna duke analizuar imazhet satelitore, dhe rajonet ku ky trend është më i theksuar janë Azia, Afrika dhe Amerika Latine.
Banorët e zonave rurale, ku ekonomia lokale është shembur, u janë kthyer prerjeve të pyjeve për të gjeneruar të ardhura ekonomike, duke injoruar ligjet mjedisore.
Në Indonezi, që është prodhuesi më i madh në botë i vajit të palmës, pastrimi i tokës pyjore u rrit me 50 përqind në 20 javët e para të vitit 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019, tregojnë analizat e bëra nga GLAD dhe Greenpeace.
Të dhënat nga Nepali tregojnë se prerjet ilegale në 11 zona të mbrojtura të këtij vendi u ngritën deri në 227 përqind në muajin e parë të karantinës, në krahasim me muajin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar më shumë shkelje të ligjeve mjedisore sesa në 11 muajt e fundit bashkë.
Sidoqoftë, epiqendra në botë e shpyllëzimit është pylli tropikal Amazon në Brazil. Në periudhën midis gushtit 2019 dhe korrikut 2020, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten e kaluar, për shkak të aktiviteteve të industrisë së drurit, minierave dhe bujqësisë, është humbur zona pyjore, sipërfaqja e së cilës është sa ajo e Qipros.
Gjatë vitit të kaluar, çështja e shpyllëzimit, që është shkaku i lëshimit të sasive të mëdha të dioksidit të karbonit të akumuluar në atmosferë, ka filluar të marrë gjithnjë e më shumë vëmendje në sferën politike.
Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë futjen e ligjeve që do të ndalojnë importin e produkteve të marra nga shpyllëzimi i paligjshëm.
Përqendrimi në këtë temë është sforcuar edhe më tej për shkak të sasisë në rritje të provave shkencore që tregojnë ekzistencën e një lidhjeje midis humbjes së tokës pyjore dhe përhapjes së sëmundjeve infektive.
Ekspertët kanë frikë se pas përfundimit të pandemisë, mund të ndodhë një krizë ekonomike, e cila ndoshta do të çonte në vazhdimin e këtij trendi, dhe ata besojnë se zgjidhja më e mirë është mbrojtja ligjore e pyjeve./bbgreenkosova
Burimi: GLAD, Greenpeace
Foto: BB Green Kosova