Shkaba, në Kosovë skajsshmërisht e rrezikuar
Dikur e pranishme në tërë Kosovën, tash si habitat i saj përmendet vetëm fshati Restelicë
Shkaba (Gyps fulvus (Hablizl, 1783), një shpezë madhështore, për mbijetesën e të cilës në Evropa ekziston – sipas terminologjisë për mbrojtjen e llojeve – shqetësim i vogël, në Kosovë është skajsshmërisht e rrezikuar.
Dikur e pranishme në tërë Kosovën, tash si habitat i saj në Librin e kuq të faunës së Republikës së Kosovës përmendet vetëm fshati Restelicë, në komunën e Dragashit, ndërsa mendohet se numri i individëve të saj është vetëm rreth 50.
Fjala është për një shpezë të madhe, 93–110 cm, me peshë 6000–10000 g, kurse hapja e krahëve është 234–270 cm. Disa popullata janë shtegtare, kurse disa të tjera janë rezidente.
Habitati i saj janë vendet e hapura në mjedise të ndryshme, që nga zonat malore deri në gjysmëshkretëtira. Haset nga niveli i detit deri në rreth 3000 m lartësi mbidetare, nga Afrika veriperëndimore, Gadishulli Iberik, Franca Jugore drejt pellgut të Mesdheut (përfshirë Majorkën, Sardinian, Kretën dhe Qipron), Ballkani, Turqia, Lindja e Mesme, Arabia dhe Irani drejt Pamirit dhe Kazakistanit jugor dhe lindor.
Lloji është i mbrojtur me ligj, por ajo kërcënohet nga përhapje e bujqësisë e blegtorisë, prodhimi dhe minierat e energjisë, energjia e ripërtërishme, korridoret e transportit dhe shërbimeve, gjuetia etj.
Ekspertët rekomandojnë se për konservimin e këtij lloji kërkohet mbrojtje e ambientit dhe habitateve të saj./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës
Foto: EEA