Çikorja, e hidhur por me shije të këndshme

Bimët

Si bimë e hidhur përdoret për përmirësimin e punës së mëlçisë dhe shtimin e oreksit. Por, jo vetëm kaq…

Çikorja (Cichorium intybus L.) është bimë barishtore nga familja Asteraceae. Kërcyelli është vertikal, leshatuk, drunjësor dhe këndor, në pjesën e epërme i degëzuar. Rritet deri një metër lartësi. Rrënja është shumë e degëzuar, rrypake, me ngjyrë të verdhë të bardhë. Gjethet përdhese janë të bashkuar në rozetë, gjatësore, me prerje të thella e bisht të shkurtër, gjethet e epërme janë të alternuara, të shtrira dhe e përfshijnë kërcellin, të gjitha gjethet janë të zhveshura apo në anën e prapme më leshatuke. Kaptinat e luleve me diametër 2-3 cm paraqiten nga qershori deri në tetor, rriten të veçuara në sqetull të gjetheve dhe në maje të kërcyejve.
Lulet janë dygjinore, të kaltër te çela, gjuhore, me 5 cepa. Janë të hapura vetëm në orët e mëngjesit, ndërsa mbyllen në mot të vranët. E tërë bima përmban lëng qumështor me shije të hidhur, sidomos deri sa është e re.

Është bimë e mjaltit, bletëve u jep sasi të pakëta të nektarit dhe polenit. Rendimenti në sipërfaqe prej 1 ha mund të jetë deri në 100 kg.

Vendbanimi

Është e përhapur në trërë rajonin e Evropës. E gjejmë pranë rrugëve, në toka të shkreta e të papunuara, livadhe, kullosa. Për shkak të rrënjes së zhvilluar fuqishëm, e përballon mirë thatësinë. Shumohet me fara.

Përdorimi

Përdoren gjethet, lulja dhe rrënja. Si bimë e hidhur përdoret për përmirësimin e punës së mëlçisë dhe shtimin e oreksit.

Pjesë shëruese është rrënja, e cila nxirret në vjeshtë apo në pranverë, por meqë bima edhe e fortë dhe e qëndrueshme, nxirret vështirë nga toka. Përmban 15-20 (-40)% inulin, 20% fruktozë, materie të hidhura e pektinë. Ka shije të hidhur, nxit tajimin e vrerit dhe vepron si koleretik u butë.

Thahet, fërgohet dhe bluhet dhe përdoret si përbërje për përfitimin e kafesë së bardhë. Ka një përzierje e shijshme si alternativë e kafesë, e cila mund të bëhet me rrënjë të bluar të çikorias, e cila përzihet me lende, elb dhe thekër.

Gjethet mblidhen të reja në pranverë para lulëzimit, janë të hidhur por me shije të këndshme. Përmbajnë 40-50 mg% vitaminë C dhe 6-14% karoten. Pipthat e rinj mund të shtihen turshi, ndërsa lulet u shtohen sallatave./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply