Kaça, me lule të bukura e burim vitaminash
Frutat përmbajnë vitaminë C, B1, B2 dhe provitaminë A; farat janë të pasura me vitaminë E dhe përmbajnë 0.01% vanilin, i cili i jep aromë të butë të këndshme
Kaça, apo trëndafili i egër (Rosa canina L.) është kaçube gjethrënëse nga familja e trëndafileve (Rosaceae). Rritet deri në 3 metra lartësi, e degëzuar. Degët e kaçubeve më të vjetra janë të gjata dhe të lakuara në hark, të kafta, të mbuluara me xhemba të lakuar si drapër, të gjata deri 10 mm. Sistemi i rrënjëve është i zhvilluar mirë dhe i thellë. Ka lëvore të lëmuar, të gjelbër të errët apo të kaftë dhe të plasaritur cekët për së gjati. Gjethet janë pendore teke, të përbëra prej 5 deri 7 fletëzave në formë ovale, skajeve të dhëmbëzuara ashpër. Lulet janë mjaft të mëdha me ngjyrë trëndafili, më rrallë me ngjyrë të bardhë, hasen të vetmuara ose nga dy e tri së bashku.
Fruti ka formë veje, i gjatë 2 cm, së jashtmi i lëmuar, me ngjyrë të kuqe. Mbështjellësi i jashtëm mishtor është bërë prej pistilit të lules e në të ndodhen farat e vogla, të forta dhe me qime kreshtake të panumërta. Kjo bimë lulëzon në maj, ndërsa frutat bëhen për t’u mbledhur nga gushti.
Kaça është e përhapur në regjionin e Evropës. Azisë perëndimore e të mesme dhe në Afrikën veriperëndimore. Haset më së shpeshti skaj pyjeve, në gurore, në lendina, mes kaçubesh, skaj rrugëve, në mexha, skaj rrethojave etj.
Përdoren frutat dhe farat e tyre. Skuqen në gusht, por megjithatë më së miri mblidhen pas acarit të parë, pasi të zbuten pak. Meqë kaça është bukur e fortë, një mënyrë që të nxirren farat është që pas tharjes, të mbështillen me një leckë dhe të rrahen me çekan. Atëherë është më së miri të konsumohen si çaj. Përdoren edhe gjethet e reja dhe petalet, të cilat mund të hahen apo të përdoren për çaj, si dhe pipat, prej të cilëve më së shëpeshti bëhet ektrakti.
Frutat përmbajnë vitaminë C, B1, B2 dhe provitaminë A (5-8 mg%), rreth 2,6% sheqer, 1,4% sakarozë, thartira organike, pektinë dhe taninë. Farat janë të pasura me vitaminë E dhe përmbajnë 0.01% vanilin, i cili i jep aromë të butë të këndshme. Gjethet përmbajnë rreth 400-550 mg% vitaminë C.
Nga farat e kaçës përfitohet vaji bimor, i cili është shumë i çmuar në trajtimin e sëmundjeve të lëkurës, për regjnerimin e lëkurës dhe për trajtimin e saj të përditshëm.
Burimi: Literatura profesionale
Fotot: BB Green Kosova, Wikipedia