Kosovë: Kafshët e egra po humbin frikën nga njerëzit, institucionet japin alarmin

Më të rejat

Prishtinë – Ushqyerja e kafshëve të egra në pyje dhe zona të mbrojtura po shihet si një nga faktorët që po ndryshon sjelljen natyrore të faunës në Kosovë. Instituti për Mbrojtjen e Natyrës ka ngritur shqetësimin se vendosja e ushqimit në habitatet natyrore, pa kontroll institucional, po ndikon drejtpërdrejt në afrimin e kafshëve pranë zonave të banuara.

Sipas institutit, gjatë muajve të fundit janë evidentuar disa raste ku individë dhe organizata kanë krijuar pika ushqyese për kafshë të egra në zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe hapësira brenda parqeve kombëtare. Fenomeni është dokumentuar përmes monitorimeve në terren, por edhe përmes publikimeve në rrjete sociale.

Në të njëjtën kohë, qytetarë nga disa rajone kanë raportuar prezencë më të shpeshtë të kafshëve të egra afër vendbanimeve. Në zonat e Prizrenit dhe Dragashit janë raportuar raste të shfaqjes së ariut të murrmë, ndërsa në komunën e Istogut është vërejtur prezencë e ujkut.

Ekspertët e natyrës vlerësojnë se ushqyerja artificiale mund të krijojë varësi te kafshët dhe të ndikojë që ato të humbin instinktin për sigurimin natyror të ushqimit. Si rezultat, ato orientohen më shpesh drejt vendeve ku ushqimi gjendet lehtë, përfshirë afërsinë e shtëpive dhe zonave turistike.

Sipas specialistëve të mjedisit, kjo praktikë mund të sjellë pasoja të shumta, duke nisur nga rritja e konflikteve mes njerëzve dhe kafshëve, deri te përhapja e sëmundjeve dhe dëmtimi i ekuilibrit ekologjik. Po ashtu, grumbullimi i shumë kafshëve në një hapësirë të vetme mund të ndikojë në përhapjen më të shpejtë të infeksioneve dhe në ndryshimin e strukturës natyrore të popullatave të egra.

Instituti thekson se kushtet klimatike në Kosovë nuk janë aq ekstreme sa të kërkojnë ushqim shtesë për kafshët gjatë dimrit, prandaj ndërhyrjet e tilla konsiderohen të panevojshme dhe të dëmshme në planin afatgjatë.

Për këtë arsye, autoritetet kanë kërkuar inspektime në terren për identifikimin e pikave ushqyese të vendosura pa leje, largimin e tyre dhe marrjen e masave ndaj personave apo organizatave përgjegjëse.

Njohësit e çështjeve mjedisore bëjnë thirrje që qytetarët të shmangin çdo ndërhyrje të paautorizuar në habitatet natyrore, duke theksuar se ruajtja e jetës së egër duhet të bëhet përmes mbrojtjes së ekosistemit dhe jo përmes krijimit të varësisë nga njeriu./BBGreenKosova

Burimi: AMM

Foto: AMM

Leave a Reply