Hapet thirrja për subvencionim të masave të efiçiencës së energjisë

Më të rejat

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se aplikimi për subvencionim të masave të efiçiencës së Energjisë në shtëpitë e tyre të banimit mund të bëhet përmes platformës e-Kosova.

Sipas njoftimit për medie Qeveria e Republikës së Kosovës dhe FKEE do të subvencionojnë rreth 1300 familje, me grant deri në 45% të shumës së investimit, ndërsa 50% për gratë pronare ose shtëpitë në pronësi të çiftit, pa kaluar shumën totale të subvencionit prej 5500 euro.

FKKE njofton se nëse investimi i familjes përfituese në total do të kushtojë 10 mijë euro, mund të përfitohet subvencioni nga Fondi deri në 4500 euro pas kryerjes së punimeve që duhet të përfundojnë deri më 31 dhjetor 2024.

Masat e efiçiencës së energjisë, për të cilat qytetarët mund të aplikojnë janë: termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit, si dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme.

Ndër kriteret kryesore të pranueshmërisë sipas kritereve të publikuara nga FKEE aplikuesit duhet:

  • të jenë qytetar të Republikës së Kosovës,
  • të jenë të regjistruar dhe të verifikuar në platformën eKosova
  • duhet të kenë shtëpitë të banueshme dhe të lidhura me furnizuesit operues energjetikë në Republikën e Kosovës,
  • të kënë konsum të energjisë elektrike dhe pagesë për atë konsum si dhe,
  • t’i plotësojnë kriteret teknike të sqaruara në dokumentet e thirrjes në uebfaqen e FKEE-së.

Sipas FKEE-së thirrja publike nuk vlen për punimet që tashmë kanë filluar dhe se raportet e auditimit të thjeshtëzuar duhet të jenë jo më të vjetra se data e shpalljes së thirrjes.

Të gjithë të interesuarit ftohen që paraprakisht ta lexojnë në përpikmëri Thirrjen Publike, e cila gjendet në uebfaqen zyrtare të FKEE-së (ëëë.fkee-rks.net), në mënyrë që t’u përmbahen kritereve të përzgjedhjes dhe udhëzimeve rreth aplikimit.

Aplikimet janë hapur nga dita e martë dhe zgjasin duke filluar prej orës 09:00 deri më 10 shtator 2024 në ora 16:00.

Megjithatë, FKEE rezervon të drejtën të mbyllë thirrjen para kohe në rast se buxheti i dedikuar rezervohet nga aplikimet, ose të zgjasë afatin për aplikim varësisht nga fondet në dispozicion.

Përmes buxhetit prej 5 milionë euro Bashkimi Bashkimi Evropian mbështet këto subvensionime./BBGK

Leave a Reply