Përtej Samitit Botëror të ujit: Si ka qenë dhe si është çështja e ujit në Kosovë? (5)
Behare Bajraktari, Berlin
Gazetare & publicite/ E specializuar në raportime për ndryshimet klimatike dhe mjedisore
Milionat zviceriane për popullin e Kosovës
Derisa shtetet e fuqishme diskutojnë për ndërrime të sistemit të ujit apo transmisionin ujorë ndër shtetëror, Kosova krejt pas luftës filloi të shoh normalitetin për sistemin në ujin e pijes. Popullata kishte jetuar nën kushte të tmerrshme shëndetësore, higjienike dhe nën standarde të jetës, sepse sistemi shtetror i Serbisë, Kosovën e kishte bllokuar në zhvillim.
U tha më lartë se ujërat nëntokësore në Gjermani për shembull janë përgjithësisht të një cilësie shumë të mirë dhe burojnë nga puse deri në 400 metra thellësi. Nëse e krahasojmë me Kosovën që është në interesin tonë të dimë sa ujë kemi, p.sh ne kemi traditë me hapjen e puseve individuale me që 90 për qind e popullsisë nuk kishte ujë nga sistemi i ujësjellësit.
Para vitit 1999 apo para luftës përveç qyteteve (edhe në qytete me lagjet periferike pa ujë të sistemit) të gjitha zonat e tjera ishin lënë jashtë standardeve të ujit të pijes. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), I cili drejtoi një operacion për higjienizimin e ujit në Kosovë, gjatë vitit 1999 besohet se nga 20 mijë puset e Kosovës, më shumë se gjysma u ndotën me kufoma njerëzish apo me kafshë të vrara dhe me plehra dhe kimikate.
Pra, nga këto të dhëna kuptojmë se Kosova ka ujëra nëntokësore me që të gjitha fshatrat por edhe lagje jashtë urbanizmit të qyteteve furnizoheshin me ujë të pijes përmes puseve private individuale në thellësi prej 2-3 metrash e deri në 20 metra, varësisht prej territoreve ku ndodheshin fshatrat dhe tokat e tyre. Duhet përmendur që shumë familje edhe në qytete mbanin puse uji për nevojat e tyre familjare.
Ndërsa, puset vazhdojnë të mbesin në përdorim për një pjesë më të vogël të popullatës së Kosovës, ne duhet të theksojmë rëndësinë e sistemit të ujit që e investoi qeveria zviceriane në Kosovë. Ky investim me gjasë është ndër më të rëndësishmit në Kosovë, sepse përfituan bizneset, shkollat, institucionet, sporti, aspekti rekreativ – kështu u zhvillua ekonomia e vendit. Pas luftës qeveria zvicerane filloj të investoj në katër programe: “Demokracia dhe sundimi I ligjit, uji dhe infrastruktura, ekonomia dhe punësimi” dhe që prej vitit 2015 investimi në sektorin e shëndetësisë, në shëndetin primarë”.
Në këto katër sektor Zvicra ndihmoi Kosovën çdo vit me nga 20 milionë euro, ndërsa vetëm për sektorin e ujit në këto dy dekada janë investuar 100 milion euro. Zvicra ka investuar në Kosovë që prej vitit 1999 në sektorin e ujit dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke e vlerësuar si vend lider në zhvillimin e infrastrukturës që lidhet me shëndetin e popullatës dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Nga këto projekte deri më tani mbi 92% e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në sistemin e ujësjellësit përderisa 80% e tyre menaxhohen nga kompanitë regjionale të ujësjellësve – nga sektori publik.
Nga ndihma e Zvicrës, ka përfituar 1/3 e popullatës apo 600 mijë qytetarë të Kosovës. Mbase për Samitin Botëror të Ujit kjo informatë duket e papërfillshme, por për ne është vetë bota, siç thonin edhe vet ata në Samit “uji është çdo gjë”.
Ujërat e padukshme të Kosovës mund të bëhen të dukshme së shpejti
Në bazë të dhënave të autoritetit rregullator, 92 për qind e popullatës ka qasje në furnizim me ujë prej sistemeve qendrore që realizohet përmes 7 kompanive rajonale. Uji i pijes është sipas standardeve të Bashkimit Evropian, thonë zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Të dhënat nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) thonë se 1.6 milionë banorë marrin shërbimet e ujësjellësit, ndërsa pjesa tjetër e banorëve, kryesisht në zonat rurale kanë ujësjellës të veçantë apo sisteme individuale, të cilat nuk menaxhohen nga ofruesit e shërbimeve publike. Pra këto janë puset private në oborret e qytetarëve.
Aktualisht Kosova nuk mund ta dijë se si lëkunden ujërat nëntokësore, ngase vetëm sa është filluar monitorimi i tyre, kështu që duhet të kalojnë disa vite që të kemi të dhëna të cilat mund të na tregojnë lëkundjen e tyre në hapësirë dhe kohë sipas akuifereve, ku mund të shihet ndikimi i shfrytëzimit të tyre, lidhja me reshjet e shiut, shkrirjet e borës, thatësirat si procese në vazhdimësi duke ia shtuar edhe elementin e ndryshimeve klimatike, sipas Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës.
Shpimet dhe hulumtimet mundësohen nga Suedia
Në Kosovë, për herë të parë që nga pas lufta, vitin e kaluar (2022), janë zbatuar dy projekte të rëndësishme për monitorimin e ujërave nëntokësore. Shpimet dhe hulumtimet e ujërave nëntokësorë në Kosovë kanë filluar që prej vitit 2006, nëpër disa pellgje lumore, sidomos në atë të Moravës së Binçës, Lepencit dhe Drinit të Bardhë.
Gjatë vitit 2021 – 2022, me ndihmën e SIDA (Suedeze), janë implementuar 2 projekte, i pari për rehabilitimin e puseve dhe i dyti vendosjen e senzorëve, për monitorimin e ujërave nëntokësorë në 40 puse. Aktualisht në pellgun e Drinit monitorohen 18 puse: Ibri 8, Morava Binçës 7, dhe Lepnc 7, prej tyre 9 anë me qasje online dhe 3 me multiparametra.
Programi nacional është çelës për ujin dhe mjedisin
Kosova po e vuan mungesën e planifikimeve dhe programeve strategjike krahas zhvillimit dhe nevojave të kohës dhe rritjes së temperaturave, ndryshimeve të motit, ndryshimeve klimatike dhe ndotjes në shumë dimensione dhe shumë faktorëve të tjerë në mjedisin urban dhe në mjedisin natyror.
Mungesa e një Programi Nacional ku do të përfshinte të gjitha nivelet, mjedisi i Kosovës do të degradohet për ditë e më shumë, duke e përfshirë ujin I cili nga ndotjet sipërfaqësore të ujërave dhe lumenjve kemi ndotje të ujërave nëntokësore.
Të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim po marrin hapa konkret për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike dhe me rrezikun që i kanoset jetës së njeriut dhe specieve të tjera.
Shkenca ka ngritur alarmin se këto ndyshime janë të lidhura direkt me sëmundjet, goditjet nga temperaturat e larta, që ndikojnë në përcaktuesit social dhe mjedisor të shëndetit.
Ndërmjet viteve 2030 dhe 2050, ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë qindra vdekje, në vit, ndërsa në vendin tonë institucionet nuk merren me këtë rrezik duke filluar në gjelbërimin e zonave urbane dhe hapësirat e kaltra (ujin), shumë qytetarë gjatë ditëve të nxehta do ta pësojnë, ndër të tjera nga stresi i nxehtësisë, siç ndodhi në këtë verë me korrikun më të nxehtë.
E drejta për qasje në ujë të pijes dhe e drejta për jetë të shëndetshme janë të barabarta si e drejtë njerëzore dhe kushtetuese, por në vendin tonë nuk po planifikohen as buxhetet shëndetësore dhe as ato mjedisore për krizat që do të sjellë rritja e temperaturave. Bota shkencore tashmë ka filluar t’i llogarisë dëmet paraprake me shpenzimet e drejtpërdrejta të demit për shëndetin e cila vlerësohet të jetë midis 2-4 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030.
Nesër: Mungesa e ujit mund të qojë në luftëra