
BE-ja po shqyrton opsione për të zbutur objektivat për klimën 2040
Komisioni Evropian dëshiron të ruajë objektivin për uljen e emetimeve me 90%, por të ndryshojë mënyrën se si vendet llogarisin përparimin e tyre.
Komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra, po konsideron opsione për të zbutur objektivin klimatik të bllokut për vitin 2040, ndërsa përpiqet të menaxhojë kundërshtimet ndaj ambicieve mjedisore të Europës.
Organi ekzekutiv i BE-së, Komisioni Europian pritet të propozojë në javët e ardhshme një legjislacion për miratimin e objektivit të mëparshëm për uljen e ndotjes nga gazrat serrë me 90% deri në vitin 2040.
Megjithatë, për të qetësuar shqetësimet politike mbi koston e këtij synimi për industrinë e rëndë dhe bujqësinë, Hoekstra po shqyrton mundësi për “fleksibilitet” në arritjen e tij, sipas një zyrtari të Komisionit dhe dy personave të informuar mbi diskutimet, të cilët folën në kushte anonimiteti për të zbuluar detaje nga bisedimet konfidenciale, shkruan Politico Europe.
Opsionet që po diskutohen përfshijnë lehtësimin e shkurtimit të emetimeve për disa vende, lejimin e llogaritjes së reduktimeve të karbonit të financuara në vende të tjera ose mbështetjen më të madhe tek pyjet dhe teknologjitë që heqin karbonin nga ajri.
Për zyrtarët e BE-së, kjo qasje synon ta bëjë objektivin klimatik i cili po has gjithnjë e më shumë kundërshtime, më të pranueshëm politikisht dhe të sigurojë miratimin e Parlamentit Europian dhe kryeqyteteve të BE-së për legjislacionin.
Por grupet e shoqërisë civile paralajmërojnë se këto masa mund të dobësojnë përpjekjet e përgjithshme të BE-së për të frenuar emetimet që ngrohin planetin.
Këto janë “propozime shumë të rrezikshme,” tha Sam Van den Plas, drejtor i politikave në OJQ-në Carbon Market Watch. “Të gjitha këto mund të jenë shpërqendrime nga nevoja për të reduktuar menjëherë emetimet. Fleksibiliteti mund të shihet edhe si një mënyrë për të anashkaluar detyrimet.”
Komisioni Europian po shqyrton disa mënyra për t’u dhënë vendeve më shumë hapësirë veprimi në arritjen e objektivave të reduktimit të emetimeve. Këto opsione synojnë të bëjnë politikën klimatike më të pranueshme, por kritikët paralajmërojnë se ato mund të dëmtojnë efektivitetin e përgjithshëm të masave kundër ndryshimeve klimatike.
Katër opsionet në shqyrtim
1. Rrugë “jo-lineare” drejt objektivit
Në vend të një reduktimi të qëndrueshëm nga 55% në 2030 në 90% në 2040, BE-ja mund të lejojë ulje më të ngadalta në fillim të dekadës dhe më të shpejta më vonë. Kjo mund të rezultojë në më shumë ndotje në total gjatë viteve 2030.
2.Blerja e krediteve të karbonit në tregjet ndërkombëtare
Vendet e BE-së mund të financojnë projekte që reduktojnë emetimet jashtë BE-së, si programet kundër shpyllëzimit apo përmirësimi i industries dhe të përdorin kreditë e fituara për të arritur objektivat e tyre të brendshme. Kjo mund të ndihmojë vendet më të varfra të zhvillojnë projekte të gjelbra, por kritikët thonë se këto tregje janë të vështira për t’u monitoruar dhe mund të mos garantojnë ulje reale të ndotjes.
Përdorimi i krediteve ndërkombëtare do të ndryshonte qasjen tradicionale të BE-së, e cila deri tani ka vendosur objektiva vetëm për emetimet e saj të brendshme. Po ashtu, ka shqetësime se mund të ndodhë ajo që ndodhi në vitet 2010, kur tregu europian u mbush me kredi ndërkombëtare, duke ulur ndjeshëm koston e ndotjes dhe duke e bërë politikën më pak efektive.
3. Llogaritja e më shumë “emetimeve negative”
Ky opsion do t’u lejonte vendeve të mbështeten më shumë te karbonin e larguar nga atmosfera – qoftë nga pyjet apo teknologjitë e reja që thithin CO₂ nga ajri. Kjo qasje është parë si e nevojshme për të arritur neutralitetin klimatik, por kapaciteti i teknologjive të tilla është ende i kufizuar.
4. Fleksibilitet në objektivat për sektorë të veçantë
Vendet mund të kenë më shumë liri për të balancuar emetimet midis sektorëve. Nëse një sektor ka vështirësi për të arritur reduktimet e kërkuara, qeveritë mund të kompensojnë duke llogaritur uljet më të mëdha nga një industri tjetër që po lëviz më shpejt drejt objektivave të saj klimatike.

Kush vendos vërtet?
Ligjet e BE-së e detyrojnë Komisionin të hartojë një legjislacion për objektivin e vitit 2040. Megjithatë, vëmendja politike është larguar nga rreziku i dëmeve klimatike katastrofike dhe është përqendruar te çështje të tjera, si mbrojtja dhe konkurrueshmëria industriale.
Kjo situatë e ka vënë Hoekstrën në një pozitë të vështirë, ndërsa përpiqet të gjejë një rrugë të pranueshme politikisht për të përmbushur premtimin e Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, për një ulje prej 90% të emetimeve deri në vitin 2040.

Hoekstra mes presionit politik për objektivin klimatik të vitit 2040
Hoekstra duhet të balancojë interesat e grupeve në Parlamentin Europian:
Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe të Gjelbrit kërkojnë të ruhet ambicia e fortë klimatike të BE-së. Partia Popullore Evropiane (EPP), e qendrës së djathtë, kërkon më shumë fokus te ndikimi i politikave klimatike në industri. Përfaqësues nga të dyja grupet refuzuan të komentojnë për këtë artikull të gazetës Poitico Europe. Fillimisht, Komisioni kishte premtuar ta publikonte propozimin legjislativ brenda tre muajve të parë të këtij viti, por procesi duket se po vonohet për shkak të negociatave politike.
Presioni ndaj objektivit klimatik të BE-së për 2040-ën po rritet
Opozita ndaj synimit për uljen e emetimeve me 90% po forcohet. Italia, e drejtuar nga një qeveri e djathtë e ashpër, po shtyn për një objektiv më të ulët – midis 80% dhe 85%. Gjermania ende nuk e ka konfirmuar mbështetjen për objektivin e plotë. Partia Kristiandemokrate (CDU), që fitoi zgjedhjet e 23 shkurtit, nuk e ka përfshirë ende objektivin në negociatat e koalicionit me Socialdemokratët (SPD). SPD, megjithatë, po kërkon ta sigurojë atë si pjesë të marrëveshjes së qeverisë së re.
Një diplomat i një vendi të BE-së tha se shumica e vendeve mbështesin objektivin 90%, por pozicioni i Gjermanisë mbetet vendimtar – veçanërisht duke qenë se CDU është partia e Ursula von der Leyen dhe Manfred Weber, kreut të Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Von der Leyen dhe Weber kanë pasur përplasje të vazhdueshme mbi politikat klimatike të BE-së. “Problemi këtu është VDL dhe sidomos Weber – që më bën të pyes vërtet kush është shefi i vërtetë mes tyre,” tha diplomati, duke folur në kushte anonimiteti.
Një ndikim global
Ngërçi rreth objektivit të 2040-ës ka tashmë një peshë ndërkombëtare…
Qëllimi dhe shkalla e fleksibilitetit që lejon do të ndikojë në planet klimatike për vitin 2035, të cilat BE-ja dhe të gjitha vendet janë të detyruara t’i dorëzojnë këtë vit në kuadër të Marrëveshjes së Parisit. Këto njihen si kontribute të përcaktuara në nivel kombëtar, ose NDC.
Vetëm pak vende arritën të përmbushnin afatin e shkurtit të vendosur nga Kombet e Bashkuara. Veçanërisht vonesa e BE-së po i lejon ndotësit e tjerë të mëdhenj të shmangin përgjegjësinë, tha një zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe për këtë arsye u lejua të mbetej anonym, shkruan Politicoo Europe.
“Ajo që ka ndodhur me SHBA-në, duke u marrë me vonesa, ka bërë që të zhduket çdo motivim për të pasur NDC ambicioze,” tha diplomati. “India nuk do ta shtyjë përpara këtë aspke, as Arabia Saudite, ndërsa tani afatet për dorëzimin e NDC-ve po spostohen prapa në kohë, kryesisht sepse BE-ja do të vonohet.”
Këtë javë, shefi i klimës në OKB, Simon Stiell, i bëri thirrje BE-së që të veprojë: “Kur bëhet fjalë për garanci sigurie në aspektin ekonomik, nuk ka asgjë më të fuqishme për Evropën sesa një plan i ri dhe i guximshëm kombëtar për klimën këtë vit.”/BBGreenKosova