
Fillon fushata mediale për vetëdijësimin e publikut për rolin dhe rëndësinë e pyjeve
Ka nisur fushata ndërgjegjësuese për edukimin e publikut mbi rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.
Kjo fushatë gjithëpërfshirëse për ndërgjegjësimin dhe edukimin mbi rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjen e tyre do të synojë promovimin e vlerave pyjore duke përfshirë rininë, nxënësit e shkollave, gratë dhe komunitetet që jetojnë në zonat rurale.
Fokusi kryesor i kësaj fushate është promovimi medial i rezultateve dhe aktiviteteve të ndryshme pyjore, të cilat janë organizuar në zona të ndryshme të Kosovës. Fushata fillon me video mesazhe prej kampeve pyjore për rrjete sociale, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e pyjeve dhe përdorimin e tyre të qëndrueshëm. Këto video mesazhe prezantojnë temat e kampeve pyjore si hapësira edukative për të rinjtë dhe anëtarët e komuniteteve rurale. Përmbajtja e video mesazheve thekson temat e trajnimeve, diskutimeve dhe aktiviteteve praktike, dhe kontributin e pyjeve në ruajtjen e ekosistemeve, rolin e tyre në përballjen me ndryshimet klimatike dhe rëndësinë që kanë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.
Një tjetër fokus i kësaj fushate është edhe promovimi i rolit të gruas në sektorin e pylltarisë. Gratë në Kosovë kanë një rol të pazëvendësueshëm në menaxhimin dhe shfrytëzimin e produkteve pyjore, duke kontribuar në mirëqenien ekonomike të familjeve dhe komuniteteve të tyre. Përmes këtyre aktiviteteve po promovohet pjesëmarrja aktive e grave, sfidimi i stereotipeve gjinore dhe krijimi i mundësive të reja në një sektor që tradicionalisht ka qenë i dominuar nga burrat.
Fushata do paraqesë mesazhet e nxënsëve para publikut me një video të një ore mësimore, ku është diskutuar për rolin dhe rëndësinë e pyjeve. Orët mësimore dhe debatet me nxënës janë zhvilluar në katër regjionet më të mëdha të Kosovës, siç është Prishtina, Peja, Prizreni dhe Gjilani. Gjatë kësaj ore mësimore, nxënësit ndajnë njohuritë e tyre rreth pyjeve, natyrës dhe mjedisit duke i ndarë këto informata me njëri-tjetrin dhe me arsimtarët, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve.
Fushata do të zhvillohet kryesisht përmes mediave sociale në katër raunde dhe ndër të tjera do të publikohen dhe tre dokumnetarë që do të shpalosin vlerat e pyjeve të Kosovës, potencialin e tyre ekonomik, mjedisor dhe social dhe përshirjen e komuniteteve lokale dhe gruas në pylltari.
Kjo fushatë është pjesë e programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, i cili po zbatohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO, me financim nga Bashkimi Evropian dhe Suedia./BBGreenKosova