Samiti Botëror i Ujit në Berlin: Britania e Madhe vs Gjermania (3)

Green journalism, Më të rejat, Shkrimet autoriale

Behare Bajraktari, Berlin

Gazetare & publiciste/E specializuar në raportime për ndryshimet klimatike dhe mjedisore

Gjermania mbetet epiqendra e fuqisë në Evropë dhe përtej, gjithashtu edhe si vend mikpritës i Samitit, pavarësisht dallimeve të konsiderueshme rajonale në këtë vend, reshjet arritën në 805 l/m² në vitin 2021 që korrespondon afërsisht me mesataren afatgjate.

Sasia e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore teorikisht të përdorshme në Gjermani, mesatarisht për shumë viteve, është 188 miliardë metra kub në vit.

Rreth 70 për qind e ujit të pijshëm të Gjermanisë vjen nga ujërat nëntokësore ose nga burimet. Ujërat nëntokësore janë përgjithësisht të një cilësie shumë të mirë dhe burojnë nga puset deri në 400 metra të thella.

Konsumi i ujit të pijshëm për frymë në Gjermani ka mbetur relativisht i qëndrueshëm vitet e fundit. Mesatarisht, konsumohen 128 litra për person në ditë. Përafërsisht 4 për qind e ujit të pijshëm përdoret për të ngrënë dhe për të pirë, 36 për qind shkon për higjienën personale, 27 për qind përdoret për shpëlarjen e tualetit, 12 për qind për larjen e rrobave, 9 për qind përdoret nga bizneset e vogla, 6 për qind për larje dhe 6 për qind për pastrimin e shtëpisë.

Ndërsa, krejt ndryshe situata është në Britaninë e Madhe, nën qeveritë konservatore të Margaret Thatcher dhe John Major, kompanitë shtetërore u shpërbënë dhe iu shitën sektorit privat në vitet 1980 dhe 1990. Pakë ditë pasi u mbajt Samiti Botëror i Ujit, në BM është thelluar frika sepse kompania më e madhe britanike e ujit po shkon në prag të kolapsit, greva të përsëritura në hekurudhat e keqwsuara, familjet e goditura nga faturat e larta të energjisë elektrike dhe gazit: sektorët jetikë të MB janë në krizë, dekada pas privatizimeve të diskutueshme.

Lëvizja solli investime të reja, por edhe bonuse të mëdha ekzekutive, dividendë të aksionarëve dhe borxhe masive.

“Thames Water” me borxhe, kompania që menaxhon furnizimin me ujë të zonës së Londrës, njoftoi në fillim të qershorit se kishte mbledhur 880 milionë euro nga aksionarët e saj. Por kompania, stabiliteti financiar i së cilës shqetëson edhe qeverinë britanike, ka një borxh prej afro 16 miliardë euro.

Qeveria konservatore tha në qershor se ishte gati për çdo skenar, mes shqetësimeve që kompania më e madhe e ujit në Mbretërinë e Bashkuar mund të dështoj.

Duke u shërbyer 15 milionë klientëve në dhe rreth kryeqytetit britanik, “Thames Water” së bashku me furnizuesit e tjerë të ujit ka qenë gjithashtu në mënyrë të përsëritur titujt kryesorë në muajt e fundit për hedhjen e ujërave të zeza të papërpunuara në rrugët ujore të vendit.

Sipas shtypit të atjeshëm, zyrtarët po punojnë për një plan emergjence që mund të lejojë, nëse është e nevojshme, shteti të rimarrë kontrollin e “Thames Water” .

Njohësit e çështjes së ujit thonë se rinacionalizimi i ujit do të kishte një kosto të lartë. Një sondazh i YouGov 2022 zbuloi se shumica e britanikëve besojnë se trenat, uji dhe energjia duhet të qëndrojnë brenda sektorit publik.

“Realiteti i trishtuar është se, në një botë të dominuar gjithnjë e më shumë nga lakmia individuale… sektori i ujit është bërë historia më e madhe e mashtrimit në MB,” ka thënë një analist për AFP.

Një privatizim katastrofal ka ndodhur në Kosovë pas luftës, ku padrejtësisht i janë marrë shtetit shumë prona, burime dhe të mira të tjera, por fatmirësisht nuk është privatizuar sektori i ujit.

Nesër: Bastet e fitimeve për energjinë, ndërsa vazhdojnë ta shpenzojnë ujin

Leave a Reply