‘Bletaria urbane’ nga Franca vjen në Prishtinë
Intervistë me ambasadoren e Francës në Kosovë Marie-Christine Butel
‘Bletaria urbane’, ‘Bujqësia urbane’, ‘Marrëveshja e Parisit për klimen’ këto janë vetëm disa prej nismave në mbrotje të mjedisit që vijnë nga Franca në Kosovë. Ambasadorja Marie-Christine Butel tregon për BB Green Kosova se mbretëresha e bletëve është vendore dhe se për respektimin e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit, nuk do të ishte e dëshirueshme importimi i një mbretëreshe nga Franca. Qyteti perceptohet si një shkatërrues për natyrën. Kështu ka qenë në të kaluarën dhe është ende më se e vërtetë. Unë mendoj se është e mundur që qyteti të ketë më shumë respekt për mjedisin. Për këtë, ne duhet t’i integrojmë elementet e natyrës mu në qendër të qytetit. Në rastin e bletarisë, është e mundur që bletaria urbane t’i ruajë bletët, të cilat, në fshat vuajnë në veçanti nga përdorimi i pesticideve në bujqësi
Intervistë nga Behare Bajraktari
Prishtinë, gusht 2021 – Pas intervistës së një pasditeje shumë të nxehtë gushti duke u kujdesur për të respektuar masat kundër corona virusit u takuam në ambientin e ambasadës së Francës në Prishtinë me ambasadorën e këndshme Marie-Christine BUTEL.
Ambasada e Francës në Kosovë hapi dyert për BB Green Kosova për të folur rreth ideve të reja mjedisore siç është ‘Bletaria urbane’. Ambasadorja Maria-Christine Butler gjatë pritjes sonë tregoi se sa shumë njohuri ka për çështjet mjedisore, dhe sa e rëndësishme është mënyra jonë e jetës, përshtatja e saj me ndryshimet klimatike, ngrohjen globale dhe nevojat e reja.
Si erdhet deri te ideja e ‘Bletarisë urbane’?
Ka disa vite që bletaria urbane po zhvillohet në Francë. Tani ka shumë koshere në Paris, në parqe, kopshte, në lartësinë e ndërtesave. Një koshere ka qene gjate një kohe edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Çuditërisht, bletët përshtaten shumë mirë në mjedisin urban. Përndryshe, unë nuk kam menduar se është e mundur për të instaluar një koshere në një ballkon siç e kemi bërë në ambasadë. Mund të themi se pothuajse po bashkëjetojmë me bletët dhe gjithçka po ecën shumë mirë.
A keni patur përvojë me bletarinë apo kjo është edhe përvoja e parë me bletë edhe me këtë koncept të ri?
Interesohem për bletët, sepse unë jam e ndjeshme ndaj çështjes së mjedisit dhe biodiversitetit. Por, nuk kam përvojë në bletarinë e çfarëdo lloji. Unë jam duke u njohur me bletarinë, më duhet të them me habi sepse bota e bletëve është interesante. Për më tepër, është një projekt i ekipit dhe kosherja ka zgjuar interesimin e personelit të ambasadës.
A është njësoj bio, mjalti apo me çfarë ushqehen bletët tuaja të qytetit?
Unë shpresoj se bletët tona do të jenë në gjendje të ushqehen gjatë dimrit të ardhshëm me mjaltin që ato do të kenë prodhuar gjatë verës. Në të kundërtën, ne do t’u japim atyre sheqer siç bëjnë shpesh bletarët.
Kosherja e parë me bletët urbane ndodhet në balllkonin e ambasadës së Francës në lagjen ‘Arbëria’ ku patëm rastin t’i shohim bletët dhe të ndjehemi rehat nga butësia e tyre apo urbanizimi që bletët kanë fituar në Prishtinë.
Mbretëresha a është parisiene a është prishtinase?
Mbretëresha është Kosovare. Për respektimin e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit, nuk do të ishte e dëshirueshme importimi i një mbretëreshe nga Franca. Ka shumë varietete të bletëve të përshtatura për mjedisin e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbajtur specifikat e çdo varieteti.
Çfarë dëshironi të dëgjohet nga ‘Bletaria urbane’ në kuptimin e konceptit?
Qyteti perceptohet si një shkatërrues për natyrën. Kështu ka qenë në të kaluarën dhe është ende më se e vërtetë. Unë mendoj se është e mundur që qyteti të ketë më shumë respekt për mjedisin. Për këtë, ne duhet t’i integrojmë elementet e natyrës mu në qendër të qytetit. Në rastin e bletarisë, është e mundur që bletaria urbane t’i ruajë bletët, të cilat, në fshat vuajnë në veçanti nga përdorimi i pesticideve në bujqësi.
Nga Franca ky është koncepti i dytë interesant, sepse Parisi e ka krijuar edhe ‘Bujqësinë urbane’, cilat janë përfitimet e këtyre ideve për mjedisin dhe njerëzit?
Në Paris, ne jemi në fillim të kësaj lëvizjeje, si qytete të tjera të mëdha në botë ku shohim zhvillimin e formave të reja të bujqësisë në mënyrë që t’i bëjmë qytetet më pak të varura sa i përket sigurimit të ushqimit. Në përgjithësi, po bëhen përpjekje për të ri-vegjetalizuar qytetet: heqja e sipërfaqeve me beton dhe parkingjet, vegjetalizimi i mureve dhe kulmeve, rikrijimi i hapësirave me bar, mbjellja e pemëve… Kjo do të thotë shpesh të bësh më pak vende për automobila dhe të kufizosh qarkullimin e tyre. Pyetja nuk është vetëm për të zbukuruar qytete ose për të kënaqur teket e disa ekologëve. Ne po fillojmë të kuptojmë se është një domosdoshmëri, një urgjencë për t’u marrë me pasojat e ngrohjes globale.
Gjatë bisedës temat për mjedisin ishin të shumta, të mëdha si për mjedisin dhe natyrën në Kosovë ashtu edhe për Francën dhe botën, sidomos në lidhje me ndryshimet klimatike.
Parisi është ndër qytetet e gjelbra dhe inovative, por a keni provuar të sjellni pakëz Paris edhe në Prishtinë, me këto idetë e reja, përveç ‘Bletarisë urbane’?
Ne po zbulojmë të gjitha çështjet klimatike dhe mjedisore. Disa qytete po fillojnë të zhvillojnë përvoja të reja. Por, atë që duhet ta mbajmë në mend është se ne, ende kemi shumë për të mësuar dhe shumë beteja për të bërë, për të shpëtuar planetin tonë. Duke instaluar një koshere në ambasadë, ne vetëm duam të themi se mbrojtja e natyrës është çështje vitale dhe se të gjithë mund të marrin pjesë në këtë betejë.
A do ta kishit kthyer shikimin nga ndikimet tuaja si ambasadë në çështjet e gjelbëra dhe ndryshimet rrënjësore që po vijnë për mjedisin?
Çështjet e klimës dhe mjedisit janë një prioritet për Francën, e cila është e angazhuar fuqimisht në nivel ndërkombëtar. Unë do ta rikujtoja thjesht si një shembull kur Franca u mobilizua për nënshkrimin e vitit 2015 të Marrëveshjes së Parisit, që synonte kufizimin e ngrohjes globale në 1.5-2 ° C. Çrregullimet klimatike që po shohim (valë më të shpeshta të nxehtësisë, shira të rrëmbyeshëm dhe vërshime, janë pasojat e tyre) tani tregojnë më shumë se kurrë urgjencën për të zbatuar këtë marrëveshje. Respektimi i mjedisit dhe nevoja për ta zbatuar Marrëveshjen e Klimës së Parisit janë një pjesë integrale e diplomacisë franceze dhe për këtë arsye figurojnë ndër prioritetet e veprimeve të ndërmarra nga Ambasada e Francës në Kosovë.
Si koshere e parë nuk janë pak 2 kilogram mjaltë të fituara nga bletët urbane dhe se mjalti shijonte shumë pas kafesë së mikëpritjës si dhe ambijentit shumë të këndshëm dhe dashamirës.
A keni në plan t’i shtoni kosheret dhe a do të jetë ndonjë nga Franca?
Për fat të keq, ne nuk kemi hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar koshere të tjera. Dhe nuk është as puna jonë as aktiviteti ynë kryesor./BBGreenKosova