Greta Thunberg fton krerët e Evropës të bëjnë gjithçka që munden për klimën
Përpara samitit të BE në Bruksel, i cili do të trajtojë edhe luftën kundër ndryshimit të klimës, aktivistja suedeze Greta Thunberg u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë të bëjnë gjithçka që munden për klimën.
BE-ja do të miratojë një ligj të ri për klimën deri në janar, me synime të reja detyruese për uljen e emetimeve të CO2-shit deri në vitin 2030. Kjo çështje do të jetë në axhendën e samitit të rregullt të vjeshtës të BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Komisioni Evropian propozoi në mes të shtatorit të ulte emetimet e CO2 me të paktën 55 përqind deri në 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, për ta bërë Evropën klimatike-neutrale deri në vitin 2050. Synimi aktual është 40 përqind. Parlamenti Evropian po propozon të ulë emetimet e CO2-shit me të paktën 60 përqind. Shtetet anëtare janë të ndara për këtë çështje sepse tranzicioni nuk do të jetë i lehtë ose i lirë, veçanërisht për ato që, si Polonia, varen nga lëndët djegëse fosile. Një vendim nuk pritet përpara samitit të ardhshëm në dhjetor.
“Asnjë nga ato që janë propozuar ose mbrojtur nuk është në përputhje me ato që na thotë shkenca”, tha Thunberg në një intervistë për AFP-në përmes Zoom-it, në të cilën mori pjesë edhe aktivistja gjermane Luisa Neubauer.
“I ftojmë të bëjnë gjithçka që është e mundur, gjithçka që munden”, tha aktivistja 17-vjeçare, organizatore e lëvizjes “Të premten për të ardhmen”.
Megjithatë, ajo nuk dëshironte të propozonte ndonjë qëllim specifik, duke besuar se “nuk ka asnjë numër magjik ose një datë magjike”. Thunberg bëri thirrje që “të përcaktohen synimet e obligueshme vjetore për emetimin e karbonit, të cilat do të zbatohen tani, e jo vetëm në vitin 2030 dhe 2050”.
OJQ-të besojnë se ulja e emetimeve të CO2-shit me 55 përqind, apo edhe 60 përqind, nuk është e mjaftueshme për të arritur qëllimet e Marrëveshjes së Klimës në Paris.
Kostoja ekonomike
Synimet e reja të klimës do të kenë ndikim të madh në ekonomitë e shteteve anëtare, që pengohen nën barrën e pandemisë së koronavirusit.
Komisioni Evropian ka propozuar shtrirjen e skemës për tregtinë e karbonit (ETS) në transportin rrugor dhe detar, si dhe në sektorin e ndërtimit, me standarde ndjeshëm më të rrepta të emetimit të automjeteve.
“Barra do të jetë e rëndë në disa sektorë. Por gjithsesi do të duhet të investohet dhe ristrukturohet”, për shembull në automjete elektrike ose avionët që përdorin më pak karburant, tha në mes të shtatorit zëvendës presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.
Ai gjithashtu theksoi nevojën që masat të jenë të pranueshme shoqërisht, duke kujtuar një seri lëvizjesh protestuese të tilla si “jelekët e verdhë” në Francë.
“Nëse nuk bëhet asgjë, çmimi më i lartë (i ndryshimit të klimës) do të paguhet nga më të varfrit, më të prekshmit. Të pasurit gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për të shmangur pasojat,” tha ai./bbgreenkosova
Burimi: Hina
Foto: Pixsell, Reuters