Reportazh për Gjakovën,Pjesa I: Komuna e Gjakovës, qyteti dhe mjedisi natyror

Më të rejat, Njeriu dhe natyra

Higjiena është gjysma e shëndetit, por pastërtia e qytetit është ligj

Thuhet se ‘nga e thëna në të bërë ekziston një det i tërë’, mund të duket e ngjajshme me thënien ajo çfarë është shkruar në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës se, vizioni dhe misioni i saj është: ‘Një Komunë shembull për komunat e tjera me mundësi zhvillimi, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, si dhe trajtimi i prioriteteve në të gjitha fushat e zhvillimit si komunë”. Në të bërë, Gjakova në sytë e qytetarëve nuk shikohet njësoj si porosia në ‘web’, të paktën jo në aspektin mjedisor dhe zhvillimor, megjithëse ka përparime që janë të dukshme.

Gjakova e themeluar para gjashtë shekujsh me trashegëmi ndër brezash për kulturë, qytetari dhe intelektualizëm, pas vitit 1999 doli e shkrumbuar si në aspektin njerëzor ashtu edhe në aspektin ekonomik dhe mjedisor.

Ky reportazh mjedisor është për Gjakovën e bukur që e mbajtën me frymën e shpirtit dhe zemrën e madhe banorët e saj, edhe kur pas luftës doli qyteti më i dëmtuar, i shkatërruar me 80 përqind të infrastrukturës. Gjakova u ngrit në këmbë sërish, por jo aty, ku duan ta shohin njerëzit e saj. Mungon zhvillimi, punësimi dhe shpresa se kujdesi ndaj qytetit dhe njerëzve të saj do të jetë në rend të parë.

Parqet janë po ato që ishin krijuar, shumë kohë më parë, urat janë po ato, çarshia po ajo vetëm se nuk ka më dyqane artizanale, aty është e mbushur me kafene. Monumente historike, kulturore dhe natyrore.

Një prej atraksioneve të bukura është ‘Shpellat e kusarëve’. Ato kanë ekzistuar gjithmonë, por kanë qenë zor të qasshme, dhe në vitin e kaluar, kryetari Gjakovës Ardian Gjini sipas planprogramit e ka përfunduar projektin. Por përveç ‘Shpellave të kusarve’, pjesë të programit  e kishte edhe ‘Shpellën e qirave’, e cila është 15 minuta rrugë larg prej ‘Shpellës së kusarëve’. Për mjedisin e Gjakovës janë kryer edhe punë të tjera; janë rregulluar urat, kanioni i “Drinit të bardhë”, “Ura e Terzive”, “Ura e Tabakëve”. Ndërsa, tash me projektin e lumit Krena rregullohet edhe “Ura e Taliqit” dhe mbetet në të njëjtin model.

Shpellat e Kusareve, duke pastruar vullnetarët mjedisor – Foto B.Qarri

Pyetja që shtrohet është kjo: si po ruhen monumentet dhe a janë duke u mbrojtur të paktën, këto monumentet mjedisore?

Pse është duke munguar  kujdesi për ambientin, natyrën, gjelbërimin, rrugët, parqet, lumenjtë? Për qytetarët e Gjakovës, shqetësimi kryesor është ky; përse hudhen mbeturinat kudo? Çfarë ka ndodhur me njerëzit dhe pse zyrtarët komunal nuk marrin masa për ta mbrojtur mjedisin që na rrethon, sipas ligjeve po edhe sipas të drejtës parësore për qasje në mjedis të pastër.

Një prej aktivistëve më të njohur mjedisor në Gjakovë është Burim Qarri, i cili pastrimin e mbeturinave e konsideron si obligim. Ai për ‘BB Green Kosova’ tha se: “Pastrimi i mbeturinave është thjesht një obligim. Unë nisem prej vetes. Nuk dua të qëndroj në një vend ku është i papastër. Pra, është obligim për secilin prej nesh, që përpos të bëjmë mbeturina, të kujdesemi për ambientin se kemi vend të bukur. Mbeturinat e kanë vendin e tyre ku të hidhen, e ato përsëri hidhen, vend e pa vend”, thotë Qarri.

 Ashtu si Burimi, janë shumë qytetarë që ngritin zërin kritik, të gjithë i mbajnë shtëpitë e pastra, por kudo ku janë pasuritë publikë nuk brengoset askush për to edhe i gjuajnë mbeturinat kudo pa problem.

Burim Qarri, aktivist mjedisor

Janë dy shqetësime të përditshme, hedhja e mbeturinave nga qytetarët dhe deponia e cila është shumë kontaminuese dhe shqetësuse për jetën e qytetarëve në Gjakovë. E njohur si Qendra e transferit ajo ka qenë e stërmbushur me mbeturina dhe djegia ka ndodhur me dekada. Kryetari Gjini, për këtë qendër mbeturinash, tha se, “Gjithmonë është djegur dhe gjithmonë ka kundërmuar, sidomos gjatë mujave të verës, ajo ka qenë shumë problematike”

Komuna e Gjakovës, për këtë deponi ka marrë fondet shtesë prej Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit. Ajo është pastruar këtë vit, por ende punë duhet të bëhet që të përfundojë  komplet pastrimi i saj.

Aktivisti mjedisor, Burim Qarri i shfrytëzon rrjetete sociale për çështje mjedisore ku edhe ka marrë përkrahje të madhe nga qytetarët, jo vetëm në Gjakovë, të paktën përmes komenteve në facebook, por Burimi thotë se, ato nuk janë veprime.

“Kam pasur përkrahje mjaft të madhe, të paktën në komente në facebook, por ato nuk janë veprime. Tash së fundmi më janë bashkangjitur disa vajza dhe djem, që të gjithë vullnetarë. Madje para se të hynim në karantinë e pata filluar një fushatë:  ‘Merre një thes me vete para se me shku në deti’, është pak komike por e tregon shumë qëllimin se para se të shkoni në deti për secilin qytetar, vlen shumë një qese apo një thes të mbushet me mebturina, kjo vlen shumë“./BB Green Kosova

Nesër: Parku i ri i Gjakovës dhe lumenjt

Autore Behare Bajraktari

Leave a Reply