Carl Linnaeus, themelues i ekologjisë moderne
“Zoti krijon, Linné organizon”, thoshte shkencëtari suedez Carl Linnaeus (1707 – 1778), i cili ka bërë klasifikimin e bimëve
Botanisti dhe mjeku suedez, i cili ka vënë themelet e klasifikimit modern të bimëve. E ka ndarë natyrën në mbretëri – bimët, kafshët dhe minerialet dhe të gjitha ato i ka klasifikuar në klasë, rende, gjini e lloje, sidomos duke e përshkruar secilën bimë dyfish – me emrin latin për gjininë dhe llojin.
Ka shkruar shumë libra dhe punime shkecore. Merret si themelues i ekologjisë moderne.
Jeta e hershme dhe shkollimi
Ka lindur në vitin 1707 në vendin Småland në Suedinë jugore. Babai i tij ka qenë ndër të parët i cili famijes së tij i ka vënë mbiemër të përhershëm, duke i dhënë emrin sipas trungut të blirit (lind në suedisht), para kësaj në vendet skandinave ka qenë traditë që i biri të trashëgojë mbiemrin si formë e emrit të babait.
Që në vegjëli i ka dashur bimët. Babain e ka pasur klerik luteran dhe botanist laik dhe ia ka përcjellë dijen dhe dashurinë ndaj bimëve Carlit. Mendohet se i ati e ka mësuar latinisht madje edhe para se të ketë mësuar suedisht. Carli ka lexuar shumë për botanikën po edhe lëndë të tjera të cilat është dashur t’i mësojë (greqisht, hebraisht, teologji, matematikë), por nuk ka qenë aq i zellshëm dhe nuk premtonte të ardhme të shkëlqyeshëm.
Mësuesi i tij Johan Rothman i cili e ka mësuar shumë për bimët e kishte këshilluar që më së miri për të është të specializojë në botanikë dhe mjekësi, gjë që edhe e ka bërë. Pas përfundimit të fakultetit në Uppsala University, ka punuar në po të njëjtin fakultet si profesor i botanikës.
Klasifikimi i bimëve
Gjatë viteve 1740 ka shkuar në udhëtime pesëmujore nëpër rajonin e Laponisë në veri të Suedisë për të gjetur e klasifikuar bimët e kafshët. Atëherë i ka shkruar veprat e tij të para serioze Florula Lapponica dhe Flora Lapponica. Ndonëse rajoni i Laponisë ka shumëllojshmëri të kufizuar bimës, ai i ka përshkruar qindra bimë të panjohura më parë. Nga ai udhëtim njërën prej llojeve të panjohura të bimëve e ka quajtur sipas emrit të tij – Linneae borealis.
Në vitin 1735 ka shkuar në Holandë për ta përfunduar doktoratën në mjekësi. Rrugës ka ndaluar në Hamburg, ku është takuar me kryetarin e bashkisë, i cili me krenari ia ka treguar një ekzemplar të hidrës me shtatë kokë, të cilin e posedonte. Linné shpejt zbulon se ekzemplari është i rrejshëm; nofullat e putrat janë marrë nga dhelpra ndërsa lëkura nga gjarpri dhe janë ngjitur mirë. Besonte se këtë e kanë bërë mirgjit për të krijuar bishën e përshkruar në Zbulesë, me të cilin synihej frikësimi i besimtarëve. Mendimin e tij e ka thënë publikisht dhe nga frika për pasojat, ka ikur shpejt nga ai ven.
Në vitin 1742 astronomi suedez Anders Celsius ka shpikur shkallën e temperaturës, me të cilën pikën e v limit e ka vënë në 0°C, ndërsa pikën e ngrirjes në 100 °C. Linné tri vite me vonë e ka përmbysur këtë dhe e ka vënë standardin e sotshëm, ku pika e ngrirjes është në 0°C.
Ka qenë orator i zoti dhe ligjëratat të cilat i ka mbajtur janë pranuar shkëlqyeshëm. Mendonte se është Adami i dytë dhe shpesh thoshte “Zoti krijon, Linné organizon”. Ka pasur nxënës të shumtë, të cilët i quante “apostujt e tij”. I dërgonte në udhëtime të ndryshme rreth botës për t’i sjellë ekzemplarë të llojeve të panjohura bimore.
Mbreti suedez Adolf Frederick në vitin 1761 i ka dhënë titull fisniku, dhe atëherë Carli emrin e tij të latinizuar e ka pasuruar me titullin dhe e ka shkurtuar në von Linné.
Carl von Linné ka vdekur në vitin 1778. Në çastin e vdekjes, ka qenë i njohur dhe i çmuar gjerësisht në tërë Evropnë.
Botanisti anglez James Edward Smith e ka blerë koleksionin e tij dhe në Londër i ka vënë themelet e fondacionit Linnean Society of London. Koleksioni numëronte 14.000 bimë, 3198 insekte, 1564 guaca, rreth 1600 libra dhe 3000 letra./bbgreenkosova
Burimi: famousscientists
Foto: BB Green Kosova, Wikipedia