Shembujt e të tjerëve: Gambia e vogël me projekte të mëdha për klimën

Njeriu dhe natyra

Ndonëse me probleme financiare, Gambia ka filluar të punojë në uljen e ndjeshme të emetimeve të gazrave serrë dhe ndërtimin e infrastrukturës për përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë

Njëra ndër shtetet e pakta që planifikon të ndërmarrë hapa konkretë për t’iu përshtatur qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit e që temperatura mesatare globale në të ardhmen të mos ngrihet për më shumë se 1.5 gradë në krahasim me periudhën para-industriale, është Gambia.

Dihet që vendet e vogla që tashmë vuajnë pasojat e ndryshimit të klimës janë më të gatshmet për të luftuar kundër këtij fenomeni, por shumë prej tyre karakterizohen me situatë të keqe financiare. Përkundër kësaj, Gambia ka filluar të punojë në uljen e ndjeshme të emetimeve të gazrave serrë dhe ndërtimin e infrastrukturës për përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, kështu që në shumë mënyra mund të jetë shembull për vendet e tjera.

E lidhur ngushtë me lumin

Gambia është një vend i vogël në Afrikën Perëndimore dhe është i njohur për plazhet e saj përgjatë Oqeanit Atlantik. Praktikisht i gjithë territori i këtij vendi është i përbërë nga lumi me të njëjtin emër, i cili rrjedh nëpër të gjithë rrugën deri në derdhje në Oqeanin Atlantik. Karakterizohet nga një klimë tropikale me një sezon të ngrohtë dhe me shi nga qershori deri në nëntor dhe temperaturat më të ulëta në muajt e mbetur. Pjesa më e madhe e popullsisë është e angazhuar në bujqësi, e cila është e lidhur ngushtë me lumin rreth të cilit u formua shteti.

Pasojat e ndryshimit të klimës

Meqë shumica e popullsisë së Gambisë merret me bujqësi, ata tashmë kanë ndjerë pasojat e ndryshimit të klimës. Thatësirat e shpeshta dhe të rënda, si dhe rritja e nivelit të detit çojnë në humbjen e pjellorisë së tokës dhe rendimentet në rënie, gjë që dobëson shoqërinë në tërësi. Një sfidë e veçantë është fenomen i njohur si ndërhyrja e kripës. Në fakt, është e zakonshme që uji me kripë nga Oqeani Atlantik të arrijë në lumin Gambia dhe kështu të vazhdojë të depërtojë në tokën e fushave të afërta të orizit.

Në sezonin me shi, kur ka reshje të mjaftueshme, kripërat arrijnë të ngrenë nivelin e ujit të freskët aq shumë sa e shtyjnë përsëri në oqean. Mirëpo, me ndryshimin e klimës, ky sezon është dukshëm më i shkurtër dhe më i thatë, kështu që lumi nuk arrin të balancojë kripërat. Më shumë kripë shfaqet në tokë se më parë, gjë që ndikon negativisht në të lashtat që nuk arrijnë të piqen plotësisht. Për shkak të uljes së rendimentit, disa fermerë kanë ndaluar tashmë kultivimin e orizit.

Prioritet energjisë së gjelbër

Gambia ka përcaktuar si prioritet zhvillimin e energjisë së gjelbër dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë. Në nivel global, ky vend nuk është emetues i madh i gazrave të dëmshëm dhe nuk kontribuon ndjeshëm në ngrohjen globale, por pavarësisht kësaj, ata janë të angazhuar në këtë proces dhe planifikojnë shuma të mëdha parash për të, në raport me madhësinë e ekonomisë së tyre. Kjo gatishmëri do të duhej të ndiqet nga vendet që ndikojnë shumë në ndryshimin e klimës.

Në vitin 2013, parlamenti Gambian miratoi një ligj të ri për energjinë e rinovueshme, i cili aktualisht është dokumenti më i rëndësishëm rregullator për këtë vend, dhe parashikon ndarjen e fondeve të caktuara për zhvillimin e infrastrukturës për prodhimin e energjisë së rinovueshme, por edhe për kërkime e zhvillim.

Mirëpo, financat janë pengesa më e madhe për të arritur qëllimet e dëshiruara. Kjo është arsyeja pse Qeveria e Gambisë në vitin 2015 hartoi një Plan veprimi për energji të qëndrueshme, dhe u përcaktuan qëllimet e energjisë për vitin 2020 dhe 2030, si dhe matjet e arritjes së këtyre qëllimeve.

Përballja me problemet financiare theksoi më tej rëndësinë e ndihmës së huaj për vendet në zhvillim, si dhe investimet aktive dhe të synuara për të arritur prodhimin e energjisë së rinovueshme, por vullneti për të ndërmarrë një hap të tillë është ende parësor.

Plane ambicioze

Në vitin 2018, filloi një projekt i rëndësishëm i Programit të Kombeve të bashkuara për mbrojtjen e mjedisit, i cili është edhe projekti më i madh i zhvillimit të burimeve natyrore në historinë e këtij vendi. Për projektin e EbA-së kanë ndarë 20,5 milionë dollarë nga Fondi i gjelbër i klimës, ndërsa qeveria gambiane kontribuoi me 5 milionë dollarë.

Projekti duhet të çojë në ndryshime në përdorimin e tokës, dhe është planifikuar restaurimi i 10,000 hektarëve të pyjeve të degraduara, parqe të kafshëve të egra, mangrove e savanave. Programi gjashtëvjeçar përfshin pyllëzimet, restaurimin e tokës bujqësore të braktisur, konservimin e specieve të rralla dhe të rrezikuara, dhe vlerësohet se 11.550 familje do të përfitojnë drejtpërdrejt nga këto aktivitete.

Në mars të vitit të kaluar, Banka evropiane e investimeve, Banka botërore dhe Bashkimi evropian njoftuan se do të mbështesin financiarisht programin e energjisë së rinovueshme në Gambia, përfshirë financimin e ndërtimit të termocentralit të parë diellor. Vlera totale e këtij projekti është sa 142 milion euro.

Është planifikuar që kjo ndërmarrje të sigurojë energji diellore për 1.100 shkolla dhe qendra shëndetësore në Gambian rurale./bbgreenkosova

Burimi: prospect.org/ northafricapost.com
Foto: Wikipedia

Leave a Reply