
Trashëgimi natyrore e kombëtare: Lisi i kishës, shenjë mirënjohjeje për Haxhi Zekën
Trungu, me moshë mbi një shekull, është i gjatë mbi 20 m, diametrin e ka 1.50 m dhe është ekzemplar i rrallë dhe interesant për hulumtime shkencore
Ndër vlerat natyrore të Kosovës ka edhe disa trungje të vjetra, e ndër to edhe trungu i qarrit (Quercus cerris ) në fshatin Zllakuçan, të komunës së Klinës.
Në publikimin “Vlerat natyrore të Kosovës”, të Insitutit të Kosovës për mbrojtjen e natyrës, thuhet se ky trung është monument natyre me karakter botanik dhe turistik. Gjendet në oborrin e kishës së fshatit Zllakuçan. Trungu është i gjatë mbi 20 m, ndërsa diametri i trungut është 1.50 m. Është ekzemplar i rrallë dhe interesant për hulumtime shkencore.

Në një faqe në Facebook, të titulluar Rinia e Zllakuçanit, thuhet se Lisi i Kishës, siç e quajnë vendësit, është shenjë mirënjohje ndaj patriotit Haxhi Zeka, i cili u mboll në vitin 1895. Me këtë, kjo vlerë natyrore fiton edhe atë kombëtare, dhe na e përkujton kohën kur ndër shqiptarët jo vetëm që ka mbretëruar – me terminologjinë e sotme – toleranca fetare, por ndër shqiptarët feja kurrë nuk ka pasur rëndësinë e përkatësisë kombëtare./bbgreenkosova
Burimi: “Vlerat natyrore të Kosovës”, profili “Rinia e Zllakuçanit”
Foto: Rinia e Zllakuçanit